
Sot është Halloween, dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza, errësirës dhe çdo gjëje të frikshme. Kunguj të mëdhenj të ndriçuar nga brenda, skeletë, figura hije, kostume të shumëllojta të çuditshme.
Halloween festohet edhe Shqipëri, ndërsa në botë kjo festë kthehet në garë midis personazheve te njohur, për kostumin më të bukur. Halloween u përhap në Shqipëri pas viteve ’90, duke ardhur e u bërë më shumë konkrete, kryesisht e festuar nga të rinjtë.
Ç’është Halloween?
Emri i Halloween është interpretimi modern i All Hollows’ Eve të Irlandës, apo Dita e të gjithë Shenjtorëve. Kjo festë tepër e lashtë mbërriti në SHBA së bashku me emigrantët irlandezë dhe hodhi rrënjë për të pasur tani një transformim radikal.
Dita e 31 tetorit, kur dhe festohet Halloween shënon fundin e Vitit të Keltëve dhe besohet të jetë dita kur shpirtrat e atyre që kanë vdekur një vit më parë rikthehen për të zënë vend në trupin e një të gjalli. Pikërisht për këtë arsye, njerëzit veshin kostume të frikshme për t’i trembur. Ekzistojnë versione të ndryshme të traditave të Halloween-it, por origjinën e vërtetë e gjejmë në festivalin antik të keltëve të njohur si Samhain.
Në Skocinë e vjetër mendohej se ishte pikërisht nata e 31 tetorit, kur nuk kishte më kufi mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve. Legjenda thotë se shpirtrat që kishin vdekur gjatë atij viti mblidheshin së bashku për t’u bërë bashkë me botën e të gjallëve dhe më pas, për të nisur rrugën drejt një bote tjetër.
Në natën e fundit të të korrave të vjeshtës, bota ndryshon nga ngrohtësia e diellit të verës në ftohtësinë e errët të dimrit, toka nga pjellore në shterpë. Keltët e lashtë besonin që ky tranzicion u jepte formave të mbinatyrshme një shans për të thyer përmes në botën e të gjallëve dhe shkatërrime e tyre djallëzore të lulëzonin.
Ata vijnë për të festuar natën kryesor në dimër si Samhain (“fundi i verës”), festivali konsiderohet gjerësisht të jetë shenjë paralajmëruese e Halloween-it. Në natën e Samhain, keltët besonin se shpirtrat e njerëzve që kishin vdekur vitin e kaluar do të ecin në mesin e të gjallëve.
Kështu, fshatarët vinin ushqim dhe ëmbëlsira të qetësonin shpirtrat e tyre, një ritual që mund të ketë paraprirë 'trick or treat'. (Nuk ka asnjë provë në fakt se Samhain ishte me të vërtetë një festival i të vdekurve, sipas historianit Nicholas Rogers, në librin e tij: "Holloween; Nga ritual pagan në një festë mbrëmjeje"). Edhe pse Halloween ka origjinë pagane, emri i saj rrjedh nga pushimet e kristianëve “All Hallows Eve”, Dita e Shenjtorëve, apo mbrëmja para Ditës së të Gjithë Shenjtorëve (1 nëntor).
Pushimet, në fakt u përshtatën edhe nga të krishterët të cilët shpresonin zhdukjen e paganizmit dhe gjatë viteve, disa nga aspektet më të errëta të Halloween janë zëvendësuar nga festime me më shumë dashuri, dritë apo miqësi.
Por lidhjet e Halloween me të frikshmen dhe të mbinatyrshmen mbahen të forta ende në festimet në të gjithë botën.
Kostumet kelte
Përveç sakrifikimit të shpirtrave për zotat dhe mbledhjes përreth zjarreve të mëdhenj, shpeshherë keltët vishnin kostume, ndoshta lëkurë kafshësh, në mënyrë që të ngatërronin shpirtrat dhe të pushtoheshin prej tyre.
Gjithashtu, thuhet se keltët, duke vendosur maska, ose duke pikturuar fytyrën, donin të mishëronin paraardhësit e vdekur. Djemtë e rinj visheshin si gra dhe e kundërta, duke thyer për një periudhë të shkurtër ndarjet bindëse sociale. Sipas gojëdhënave, keltët, të veshur si shpirtra, shkonin nga një shtëpi në një tjetër, duke bërë performanca qesharake në këmbim të ushqimeve dhe pijeve: një praktikë e frymëzuar ndoshta nga lënia jashtë dere e një cope buke apo e ndonjë pije si ofertë për qeniet mbinatyrore.
Ndikimi i krishterë te Halloween-i
Në vazhdim, liderët e krishterë e përvetësuan këtë traditë dhe e transformuan festën e Samhain, si festat e tjera pagane. Në shekullin VII, Papa Bonifaci IV dekretoi që 1 nëntori të festohej si Dita e Shenjtorëve (All Hallows’Day). Në vigjilje të festës të vazhdonin të ndizeshin zjarre të mëdhenj dhe të visheshin kostume, por nën një emër tjetër: “All Hallows’Eve”, që në vazhdim do të bëhej Halloween.
Halloween arrin në Amerikë
Ishin emigrantët europianë që e çuan festën e Halloween-it në Shtetet e Bashkuara! Në fakt, festimet u bënë vërtet popullore në shekullin XIX, në kulmin e emigrimit irlandez. Sipas gojëdhënave, ishte Anoka, në Minesota, vendi ku u zhvillua për herë të parë festa zyrtare e Halloween-it, duke filluar që nga viti 1920, çdo 1 nëntor në qytet ndizeshin zjarre të mëdhenj dhe bëhej paradë me maska.
Simbolet e Halloween:
Misri dhe gruri
Domethënia e misrit dhe grurit është e thjeshtë. Halloween-i festohet në vjeshtë dhe në kulturën Samhain shënonte fundin e verës dhe të të korrave. Misri dhe gruri janë simbole të ndryshimit agrokulturor dhe ndryshimit të stinëve. Është simboli që përfaqëson në mënyrën pragmatike më të qartë të mundshme këtë feste kontradiktore. Fundi i verës = të korra = grurë dhe ushqim për dimrin.
Ngjyrat portokalli dhe e zezë
Në mënyrë të ngjashme me simbolin e mësipërm, ngjyra portokalli dhe ngjyra e zezë janë paraqitje të mëtejshme të kësaj periudhe të vitit. Ngjyra portokalli paraqet vjeshtën, kur gjethet bien dhe ndryshojnë nga të gjelbra në të kuqërremta. Sipas traditës kelte, festa shënonte kalimin nga ditët “me ndriçim” në ditët “e errëta”. E zeza, me shumë gjasa, paraqet ditët e errëta të dimrit kur dita shkurtohet. Sigurisht, Halloween-i modern nuk i ka më tipike këto dy ngjyra, prandaj një shpjegim i tillë mund të duket i dobët, por është i vërtetë.
Merimangat
Le të kalojmë te merimangat! Nëse shkoni në një festë Halloween-i do të ndesheni patjetër me merimanga (shpresojmë plastike) të shpërndara kudo. Diskutimi lidhur me ndonjë cilësi të mundshme mistike të merimangave, mund të konsiderojë që merimangat thurin rrjetat, gjë që është asociuar me kalimin e kohës, progresin dhe fatin. Kjo nuk është dhe aq mistike! Në fund, endja e pëlhurës nga merimangat është një paraqitje natyrore e ciklit të jetës. Gjithashtu, merimangat preferojnë vendet me pluhur dhe të errëta, prandaj në një shtëpi të braktisur (një vend i preferuar për Halloween-in) do të mund të gjesh shumë merimanga dhe rrjetat e krijuara prej tyre.
Lakuriqët e natës
Lakuriqët e natës, siç e tregon edhe emri, janë krijesa të natës, prandaj është e natyrshme që festimi i fundit të stinëve me dritë dhe fillimit të atyre me errësirë të përfshijë edhe lakuriqët e natës. Për më tepër, lakuriqët e natës janë pjesë e legjendave të ndryshme, sipas të cilave ata mund të komunikojnë me të vdekurit.
Gjithashtu, në legjendat e vampirëve, të cilat janë pjesë e folklorit të Halloween-it, lakuriqët e natës luajnë rolin e tyre, duke qenë se vampirët mund të ktheheshin në krijesa si lakuriqët e natës. Të gjitha këto shpjegime i bëjnë lakuriqët e natës përfaqësuesit më dinjitozë të Halloween-it.
Macet e zeza
Sipas disa kulturave të lashta, besohet se gjatë natës së Halloween-it veli ndarës midis botës sonë dhe botës së shpirtrave është shumë i hollë. Kultura e vjetër kelte rrëfen se macet ishin rimishërime të shpirtrave të njerëzve dhe se ato kishin aftësi të parashikonin të ardhmen. Gjithashtu, mendohej se shtrigat mund të shndërroheshin në mace.
Shumica e shtrigave ishin gra të vetmuara dhe shumica prej tyre kishin mace. Prandaj, vërehet një familjaritet i madh midis shtrigave dhe maceve. Në vitet 1600 dhe 1700 kultura të ndryshme gjatë muajit qershor merrnin pjesë në ceremoni ku digjnin macet. Kjo praktikë u ndoq për qindra vite në fshatrat francezë derisa fatmirësisht, u bindën se janë thjesht kafshë.
Skeletet
Skeleti është simbol i shpeshtë i Halloween-it pikërisht për nderimin e të vdekurve. Kafka veçanërisht është simbol në shumë kultura, duke shërbyer si manifestim i vdekshmërisë së njerëzve, frikës nga vdekja ose rrezikut që mund të jetë vdekjeprurës. Ndërkaq, keltët besonin se kafka ishte “vendi psikik” i shpirtit njerëzor. Kafkat dhe skeletet lidhen me Halloween-in, sepse prezantojnë fundin e pjesës fizike të jetës, diçka që lidhet me këtë festë në dy prizme:
- me vdekjen e stinëve “të dritës”
- me perceptimin mbi lidhjen me botën e shpirtit
Fantazmat
Duke qenë se në fillesat e tij, Halloween-i festohej jo vetëm për fundin e të korrave, por edhe për ata që kishin kaluar në “mbretërinë” tjetër, shpesh ai quhej “Festivali i të Vdekurve”. Ideja e fantazmave sugjeron që Halloween-i është nata kur shpirtrat e të vdekurve janë në gjendje të ecin mes të gjallëve. Për më tepër, në kuptimin modern të Halloween-it, fantazmat janë element shtesë për të krijuar atmosferë të frikshme.
Maskat dhe kostumet
Ç’do të ishte Halloween-i pa kostume? Nëse kthehemi mbrapa në kohët kelte, të pranishmit vishnin kostume me qëllim stepjen e shpirtrave të vdekur. Mendohej se, nëse ata do të arrinin të mashtronin të vdekurit, shpirtrat do të reshtnin së bezdisuri të gjallët. Natën kur veli midis botës së shpirtrave dhe botës natyrore ishte kaq i hollë, është më mirë të pretendosh se je dikush tjetër. Në fillim të shekullit XX, amerikanët filluan të vishnin kostume për Halloween, por pa besimet kelte në mendje.
Shtrigat
Cili është kostumi më i preferuar për vajzat natën e Halloween-it? Sigurisht, jo ai i princeshave të Disney-t. Kostumi i shtrigave! Cili është subjekti më i preferuar i filmave në lidhje me Halloween-in? Vrasës serialë që nuk mund të kapen! Nëse do të flisnit me dikë nga periudha e Shtrigave të Salemit, diferenca nuk është aq e madhe.
Besohej se fuqitë e shtrigave ishin më të mëdha gjatë natës së Halloween-it. Mendohej se ato kishin lidhje me djallin. Edhe sot simboli i një shtrige mbi fshesë në një natë me hënë është një ndër simbolet më tradicionale të Halloween-it.
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       