
Pas muajsh spekulimesh, Dua Lipa më në fund ka konfirmuar zyrtarisht atë që fansat dyshonin prej gati gjysmë viti: ajo është e fejuar.
Këngëtarja, në një intervistë për British Vogue, zbuloi jo vetëm fejesën me aktorin britanik Callum Turner, por edhe detaje mbi unazën.
“Është shumë emocionuese,” tha Dua. “Të marrësh një vendim për t’u rritur dhe plakur bashkë me dikë, për të ndarë jetën me të, dhe për të qenë, thjesht... miqtë më të mirë të njëri-tjetrit, është një ndjenjë vërtet e veçantë.”
Unaza e fejesës e Duas është larg nga versionet tradicionale që jemi mësuar të shohim në duart e yjeve të njohur. Nuk është një model i hollë klasik apo një trashëgimi e vjetër familjare, është moderne dhe i përshtatet krejtësisht stilit të saj.
Unaza përbëhet nga një diamant me prerje të rrumbullakët, i vendosur mbi një rreth të trashë 18 karatësh.
“Është fiks unaza ime,” tha Lipa në intervistë. “Është bukur kur personi me të cilin do të kalosh jetën të njeh kaq mirë.”
Thuhet se Turner ka bashkëpunuar me motrën e Duas, Rinën, dhe disa nga miqtë e saj më të afërt për ta zgjedhur unazën.
Unaza e fejesës së Dua Lipës mund të sinjalizojë edhe fillimin e një epoke të re në këtë aspekt.
Më shumë nuse kërkojnë origjinalitet dhe stil të guximshëm dhe unaza e saj përmbush të gjitha këto kërkesa. Nëse ndikimi i saj në muzikë dhe modë është tregues, atëherë unazat me rreth të trashë dhe diamante minimaliste mund të jenë trendi i ardhshëm.
Dua dhe Callum filluan të takoheshin në vitin 2023, por e mbajtën lidhjen tërësisht private për gati një vit. Ajo tregoi për British Vogue se e kishte njohur Turner për herë të parë në “The River Café” në Londër, ku u prezantuan nga një prej bashkëthemeluesve të restorantit. Por dyshja u takuan sërish rastësisht në një restorant në Los Angeles një vit më vonë dhe aty lindi dashuria mes tyre.