
Partia në pushtet e Takaichi-t drejt fitores në zgjedhjet në Japoni

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi është drejt fitores në zgjedhjet e parakohshme, me bllokun qeverisës që pritet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në Dhomën e Ulët.
LDP (Partia Liberale Demokratike) parashikohet të fitojë rreth 300 nga 465 vendet, rezultati më i mirë që nga viti 2017, duke rifituar mbështetjen e humbur për shkak të krizës së çmimeve dhe skandaleve të korrupsionit.
Fitorja e saj mund të sjellë tensione me Kinën dhe shqetësime në tregjet financiare, për shkak të qëndrimeve të ashpra ndaj Pekinit dhe borxhit të lartë të Japonisë.
Fituesja iraniane e Çmimit Nobel, Narges Mohammadi, dënohet edhe me shtatë vite burg të tjera

Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, është dënuar me më shumë se shtatë vite të tjera burg, pasi nisi një grevë urie, sipas mbështetësve të saj.
Ajo ishte dënuar më parë me rreth 14 vjet burg për akuza të tjera.
Mbështetësit e saj kanë shprehur shqetësim për gjendjen shëndetësore, pasi ajo ka pësuar disa infarkte gjatë qëndrimit në burg, përpara se t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente në vitin 2022.
Fitore e thellë për kandidatin e qendrës së majtë, António José Seguro, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali

Kandidati i qendrës së majtë, António José Seguro, fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali, duke siguruar një mandat pesëvjeçar dhe duke mposhtur rivalin e ekstremit të djathtë, André Ventura.
Pavarësisht motit të keq dhe disa votuesve të vonuar për shkak të përmbytjeve, shumë prej qytetarëve shkuan në kutitë e votimit, dhe António José Seguro siguroi rreth 64% të votave, ndërsa André Ventura 36%.
Pavarësisht humbjes së tij të dielën, André Ventura mund të krenohet me këtë mbështetje në rritje, e cila tregon rritjen e ndikimit të së djathtës ekstreme në Portugali dhe në pjesën më të madhe të Europës.
Jimmy Lai, figurë e njohur pro-demokracisë në Hong Kong, dënohet me 20 vite burg për shkelje të sigurisë kombëtare

Aktivisti i njohur pro-demokracisë, Jimmy Lai , është dënuar me 20 vite burg në Hong Kong për vepra penale të sigurisë kombëtare, një dënim që vajza e tij tha se mund të nënkuptojë që ai do të vdesë si dëshmor pas hekurave.
Jimmy Lai u shpall fajtor në dhjetor për akuza të nxitjes së rebelimit dhe bashkëpunimit me forca të huaja, por ai kishte mohuar çdo akuzë, ndërkohë për to, dënimi maksimal ishte burgimi i përjetshëm.
Ky vendim përfaqëson kulmin e një procesi që ka zgjatur prej vitesh, të cilin kritikët e shohin si një tregues të transformimit të Hong Kong-ut nga një qytet kryesisht i lirë, në një vend ku ndalimi i mosmarrëveshjeve politike është i rreptë dhe kontrollohet nga autoritetet e Partisë Komuniste kineze.