
Brigitte Bardot, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare
Përmes një deklarate për Agence France-Presse, Fondacioni Brigitte Bardot, njoftoi ndarjen nga jeta të aktores.
"Fondacioni Brigitte Bardot njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së tij, Zonja Brigitte Bardot, një aktore dhe këngëtare me famë botërore, e cila zgjodhi të braktiste karrierën e saj prestigjioze për t’i kushtuar jetën dhe energjinë mirëqenies së kafshëve dhe fondacionit të saj,” thuhej në deklaratë, sipas BBC.
Megjithatë, aty nuk jepeshin detaje mbi vendin apo kohën e vdekjes.
Lajmi vjen pas raportimeve se aktorja kishte kaluar një operacion për shkak të një “sëmundjeje të rëndë” në tetor 2025.
Homazhe të shumta janë bërë për Brigitte Bardot, aktoren dhe këngëtaren franceze që u shndërrua në sex symbol ndërkombëtar, përpara se t’i kthente shpinën industrisë së filmit dhe t’i kushtonte jetën aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në rrjetet sociale se Bardot kishte “mishëruar një jetë plot liri” dhe “një shkëlqim universal”. Sipas tij, Franca po vajtonte “një legjendë të shekullit”.

Bardot u bë e famshme ndërkombëtarisht me filmin “And the God Created Woman” (1956), me skenar dhe regji nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim. Në fillim të viteve 1970 ajo u tërhoq nga aktrimi dhe u angazhua gjithnjë e më shumë në çështje politike dhe në aktivizmin për të drejtat e kafshëve.
Megjithatë, deklaratat e saj provokuese për pakicat etnike, emigracionin, fenë islame dhe homoseksualitetin çuan në disa dënime për nxitje të urrejtjes racore. Midis viteve 1997 dhe 2008, gjykatat franceze e gjobitën gjashtë herë për deklaratat e saj, veçanërisht ato kundër komunitetit mysliman.
E lindur në Paris më 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur katolike tradicionale. Ajo shkëlqeu si balerinë dhe studioi në Konservatorin prestigjioz të Parisit, ndërsa njëkohësisht punoi si modele. Në moshën 15-vjeçare u shfaq në kopertinën e revistës Elle, gjë që i hapi rrugën roleve të para në film. Në një audicion ajo njohu Roger Vadim, me të cilin u martua në vitin 1952.
Filmi “And the God Created Woman”, ku ajo luante rolin e një adoleshenteje të lirë në Saint-Tropez, e shndërroi Bardot në një ikonë ndërkombëtare.
Ajo u bë frymëzim jo vetëm për publikun e kinemasë, por edhe për artistë dhe intelektualë. Simone de Beauvoir i kushtoi një ese të famshme në vitin 1959, duke e paraqitur Bardot si gruan më të lirë të Francës. Në vitin 1969, Bardot u zgjodh modeli i parë real për figurën e Marianne-s, simbolit të republikës franceze.
Në vitet 1960 ajo luajti në filma të njohur francezë dhe ndërkombëtarë, përfshirë “The Truth”, “Contempt” dhe disa produksione Hollywood-iane. Paralelisht, ajo edhe zhvilloi edhe karrierën e saj muzikore, përfshirë regjistrimin origjinal të këngës “Je t’Aime… Moi Non Plus” të Serge Gainsbourg.

E lodhur nga fama, Bardot u tërhoq përfundimisht nga aktrimi në vitin 1973, në moshën 39-vjeçare. Që nga ajo kohë, fokusi i saj kryesor u bë mbrojtja e kafshëve. Ajo themeloi Fondacionin Brigitte Bardot në vitin 1986 dhe protestoi kundër gjuetisë së fokave, vrasjes së delfinëve dhe keqtrajtimit të kafshëve në mbarë botën.
Bardot ishte martuar katër herë dhe kishte një djalë. Jeta e saj private dhe qëndrimet e forta politike mbetën shpesh objekt polemikash, por ndikimi i saj në kulturën franceze dhe botërore mbetet i padiskutueshëm.