
Hilary Duff po përqendrohet te muzika e saj e re provokuese, ndërsa emri i saj është përfshirë në dramën “toksike” të grupit të nënave të Ashley Tisdale.
Aktorja dhe këngëtarja 38-vjeçare publikoi një video ku shfaqet krejt e pashqetësuar, duke kënduar një këngë ende të papublikuar me vargje eksplicite. E veshur me një fustan ngjyrë të verdhë, Duff këndon në mes të një fushe të gjelbër, nën rrezet e diellit.

Kënga flet për një çift që dëshiron të rikthehet te faza më e zjarrtë dhe emocionuese e marrëdhënies së tyre, pasi ka humbur shkëndijën fillestare. Teksti shpreh mallin për momentet e para, pasionin, emocionet dhe “fluturat në stomak” që vijnë nga dashuria e re, përpara se rutina ta shndërrojë lidhjen në bashkëjetesë pa zjarr.

Në vargje të drejtpërdrejta, Duff këndon për dëshirën për fillimin, jo fundin e një marrëdhënieje, për netët e shfrenuara, takimet e fshehta dhe pasionin fizik që dikur ishte i gjallë, por tani duket i zbehur. Disa rreshta janë veçanërisht provokues dhe përshkruajnë hapur frustrimin seksual dhe mungesën e vëmendjes nga partneri.

Postimi i saj vjen pak pasi bashkëshorti i Duff, muzikanti Matthew Koma, reagoi ashpër ndaj Ashley Tisdale, pasi kjo e fundit kritikoi publikisht ish-grupin e saj të nënave në një ese për revistën The Cut. Në atë shkrim, Tisdale la të kuptohej se grupi - ku bënin pjesë Hilary Duff, Mandy Moore dhe Meghan Trainor - ishte “toksik”.

Edhe pse përfaqësuesit e Tisdale mohuan se ajo po i referohej drejtpërdrejt Duff-it dhe të tjerave, bashkëshorti i Hilary-t reagoi me ironi në rrjetet sociale, duke publikuar një kopertinë të sajuar të The Cut me një titull tallës për Ashley-n, që shkruante: “Kur je personi më egoist dhe më i shkëputur nga realiteti në botë, nënat e tjera priren ta zhvendosin vëmendjen te fëmijët e tyre”.

Në esenë e saj, Ashley Tisdale kishte shkruar se ndihej e përjashtuar nga takimet e grupit, gjë që e bëri të ndihej “jo mjaftueshëm cool” dhe e hutuar për arsyet pse po lihej jashtë. Ajo tha se u dërgoi mesazh duke u shprehur se kjo situatë i dukej “si sjellje adoleshentësh” dhe se nuk donte më të ishte pjesë e saj, duke theksuar se megjithatë nuk i konsideronte nënat “njerëz të këqinj”, me ndonjë përjashtim të mundshëm.

Ndërkohë, Hilary Duff duket se po e lë dramën pas krahëve, duke e kthyer vëmendjen te muzika, pasioni dhe rrëfimet e sinqerta për jetën në çift. :)

