
Imdb: 6.9
Rotten Tomatoes: 73 %
Personal: 7
Në kohërat e Luftës së Dytë Botërore, Hitleri në një rast i quajti rusët në regjimin e Stalinit “terrorista të terrorizuar”. Mbase ky është dhe i vetmi rast kur i duhet vënë veshi atij diktatori famëkeq. Në fakt Hitleri nuk po përshkruante vetëm regjimin e Stalinit, apo akoma më shumë regjimin që kishte krijuar vetë, por thelbin e çdo diktature ose çdo sistemi represiv. Nëse shkojmë më tej edhe vetë dhuna ka një natyrë piramidale, ku i dhunuari do jetë me gjasë dhunuesi i ardhshëm.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, shkencat shoqërore si sociologjia, psikologjia, antropologjia e të tjera, morën një hov të jashtëzakonshëm. Të nxitur nga tmerret e luftës dhe në frymën e zhgënjimit se në çfarë pike arriti të zbriste njerëzimi, një pjesë e studiuesve iu dedikuan marrëdhënies që ka njerëzorja me dhunën, me konformizmin apo rregullat shoqërore. Këto studime që u ndërmorën, u shoqëruan dhe me eksperimente shoqërore, të cilat sot e kësaj dite kanë peshë dhe nxisin polemika në konkluzionet e tyre.
Dy ndër më të famshmit dhe që i janë kushtuar filma po në këtë vit janë Eksperimenti i Stenford (filmi me titull The Stanford Prison Experiment, 2015) dhe Ekperimenti i Milgram (filmi me titull Experimenter, 2015). Filmi i kushtuar Eksperimentit të Stendford është versioni i treti më i njohur për këtë ngjarje, pas The Experiment (2010) dhe Das Experiment (2001). Nëse dy të parët kishin karakter fiction, trajtim letrar, filmi i ri është historiografik dhe i referohet saktësisht eksperimentit. Të dy eksperimentet kanë të përbashkët Dhunën dhe Autoritetin.
Filmi Experimenter nisi si projekt i regjisorit Michael Almereyda, pasi ky lexoi librin e famshëm të psikologut social Stanley Milgram me titull Nga Bindja në Autoritet. Sinopsi nis në gushtin e 1961, në Universitetin e Yale ku Milgram kishte nisur asokohe vëzhgimet e eksperimentit të tij të famshëm. Eksperimenti kryhej ndërmjet dy personave të quajtur Mësues (person pa dijeni se kush ishte përmbajtja e eksperimentit) dhe Nxënës (aktor, anëtar i eksperimentit), të cilët vendoseshin të ndarë në dy dhoma. Personi i quajtur “Mësuesi” i lexonte një pyetësor personit “Nxënës” dhe për çdo përgjigjie të gabuar me anë të një pulti jepte komandën e një shkarkese elektrike. Pas disa gabimesh në pyetësor, personi në inskenim aktronte se prej dhimbjeve kërkonte të ndalonte eksperimenti, por personat në studim, “Nxënësit”, edhe kur kishin brerje ndërgjegjie apo dyshime vazhdonin pyetësorin. Mbi gjetjet dhe konstatimet e këtij eksperimenti bazohet gati i tërë skenari i filmit.
Michael Almereyda në përgatitjen e filmit ka patur dakortësinë dhe bashkëpunimin e vejushës së psikologut, i cili vdiq në moshën 51 vjeç. Duke u mbështetur edhe në karakterin biografik, i cili shquhej për një mosvramendje në qasjen ndaj problemeve, filmi ka një atmosferë hokatare dhe pa impenjim për shikuesin. Kjo në anën tjetër i heq temës atë peshë traumatike që do të duhej t’i takonte si përshembull filmat e të njëtit zhanër The Wave (2008) apo Project Nim (2011). Kjo bëhet shkak edhe që vlera kryesore e filmit është pasqyrimi i ngjarjeve, të cilat me të drejtë nxisin këdo të mendojë dhe të thellohet. Për sa i përket vlerave artistike ato janë të vakëta dhe trajimi regjisorial në tërësi mbetet në formën e një dokumentari.
Ndiqni trailerin e filmit: