Fletore Kinemaje

About Elly [2015]

31 Tetor 2015

About Elly [2015]

Imdb: 8.1

Rotten Tomatoes: 97 %

Metacritic: 87 %

Personal: 8

Për shumëkënd arti iranian, aq më tepër në veçanti kinemateografia iraniane, nuk i thotë gjë. Irani më së shumti nga media njihet për një diktaturë teokratike, që dyshohet për zhvillimin e armëve bërthamore dhe kërkon të zhdukë nga faqja e dheut shtetin e Izraelit. Përpos kësaj tabloje me të vërtetat e veta, Irani është trashëgimtari modern i një prej qytetërimeve dhe kulturave më brilante të historisë së njerëzimit, Persisë. Jo vetëm nën hijen e lavdisë së të shkuarës, Irani meriton vëmendje edhe për krijuesit e sotëm, sidomos për kineastët që janë flamurtarët e artit iranian ndërkombëtarisht.

Në ceremoninë e çmimeve Oscar të vitit 2012, filmi A Separation (2011, Asghar Farhadi) i solli Iranit çmimit e filmit më të mirë në gjuhë të huaj për herë të parë. Regjisorë iranianë si legjendari Abbas Kiarostami, Marjane Satrapi apo Mohsen Makhmalbaf njiheshin edhe më parë për publikun perëndimor. Gjithsesi Asghar Farhadi me filmin e tij të nëntë A Separation, pa përfshirë këtu karrierën televizive, solli habi me freskinë e këtij filmi dhe e risolli kinemanë iraniane në vëmendje. Skenari, loja aktoriale, analiza e shoqërisë iraniane, ishin një ‘uau’ për të gjithë.

Drama (thrileri) About Elly, pararendës i A Separation, është një film që ka debutuar në vitin 2009, por për shkak të problematikës së shpërndarjes u publikua këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Kjo i dha një mundësi të dytë kësaj vepre të kishte një audiencë të plotë dhe merrte çmimin maksimal të kritikës. Shumë vetë e kanë krahasuar këtë film me kulte të thrilerit si Knife in the Water (1962, Roman Pola?ski) apo L'Avventura (1960, Michelangelo Antonioni).

Tre çifte të shtresës së mesme nga qyteti i Teheranit, miq që në vitet e fakultetit, vendosin që sëbashku me fëmijët e tyre të organizohen për një pushim tre ditorë të përbashkët. Për këtë ata zgjedhin të marrin një vilë në bregun e Detit Kaspik. Në këto pushime ftojnë edhe një mikun e tyre të sapo ardhur nga Gjermania dhe edukatoren e vajzës së vogël të një prej çifteve, Elly, nga merr titullin edhe filmi. Ndonëse nuk kishin fort miqësi dhe nuk dinin shumë mbi edukatoren e vajzës, u nxitën nga vullneti i mirë për të bërë mblesëri, duke qenë se të dy personat ishin single.

Pas ditës së parë të kaluar gëzueshëm, kur një pjesë e çifteve po luanin, pjesa tjetër ishte larguar për të psonisur, fëmijët ishin lënë për të luajtur me edukatoren. Në një moment, fëmijët nxitojnë të alarmuar tek prindërit e tyre. Njëri prej fëmijëve ishte në prag të mbytjes dhe Elly ishte zhdukur, pa kuptuar nëse ishte mbytur edhe ajo apo ishte arratisur. Ky moment, zhdukja pa asnjë gjurmë përbën aksin e sinopsit dhe ideologjisë së filmit.

Të tre filmat e fundit dhe më të njohurit e Asghar Farhadi (About Elly, A Separation dhe The Past) janë duartrokitur në mjeshtërinë e ndërtimit të thrilerit dhe të analizës kritike ndaj shoqërisë iraniane. Dy vlera të padiskutimta kjo për filmat dhe për vetë regjisorin, por që lenë në hije një vlerë më të madhe. Në një intervistë Farhadi citon si moton e tij një frazë të filozofit francez Jean Paul Sartre, “njerëzit arrijnë të shquhen vetëm atëherë kur fillojnë të marrin vendime”.

Në sinopset e filmave të tij ndërlidhet ngushtësisht e tashmja me të shkuarën në zbulimin dhe skicimin e personazheve. Kjo e kthen në kahun tjetër frazën e Sartre, duke e sjellë shquarjen e karakterit të individit jo si mundësi realizimi në të ardhmen, por si hedhjen dritë në trishtimin e dështimit. Vetë personazhi protagonist në fjalë Elly, është pikërisht shfaqje e këtij trishtimi.

Asghar është brilant në shkrimin dhe në trajtimin e skenarit të filmit me një ligjësi të saktë teatrale. Filmi pasi të ushqen me dramën psikologjike, në fund të tij nuk të lëshon emocionalisht. Këtë nuk e bën siç ndodh rëndom për shkak të ngjarjeve të turbullta në film, por për shkak të katarsisit të mbjellur tek shikuesi.

SHIHNI TRAILER-IN E FILMIT