Fletore Kinemaje

Sherlock Holmes siç nuk e keni parë kurrë!

17 Nëntor 2015

Sherlock Holmes siç nuk e keni parë kurrë!

Imdb: 7.1?
Rotten Tomato: 87%
Metacritic: 67%
Personal: 7?

Shekulli i 18-të në historinë njerëzore është mbiquajtur Shekulli i Iluminizmit, duke iu referuar lëvizjes filozofike që përfshiu dhe drejtoi idetë në Europën e asaj kohe. Vlera kryesore që parapriu atë epokë ishte idhujtaria ndaj Arsyes dhe Shkencës, dhe në anën tjetër kritika e fuqishme e bindjeve të pavërteta si bestytnitë apo okulti. Kjo frymë jo vetëm u reflektua në letërsinë e kohës, por ende vazhdon t’i nxisë shkrimtarët. Letërsi që nis me personazhe si Candide tek “Candide ose Optimizmi” i Voltaire dhe shkon deri tek personazhe si William tek “Emri i Trëndafilit” i shkrimtarit Umberto Eco.

Në këtë ansambël personazhesh qendron dhe personazhi i dedektivit Sherlock Holmes i shkrimtarit skocez Sir Arthur Conan Doyle. Krijimtaria letrare ku zhvillohet karakteri i dedektivit londinez janë katër romane dhe 56 tregime të shkurtra, të cilat nisin publikimin që në vitin 1887. Antagonisti letrar bashkëkohës i detektivit brilant Holmes ishte personazhi i xhentëllmenit grabitës Arsène Lupin i shkrimtarit francez Maurice Leblanc. Ndryshe nga Lupin, Holmes-it i është referuar më shumë në krijime të mëvonshme kinematografike si filma apo seriale. Më i fundit prej tyre ishte filmi Mr. Holmes (2015) me regji të Bill Condon, ku detektivi i trupëzuar prej Sir Ian Murray McKellen, portretizohet në vitet e vona të jetës së tij.

Në film shohim dedektivin në moshën 93 vjeçare i braktisur nga miku i tij i ngushtë doktori Watson dhe i vetësyrgjynosur në një vilë në bregun jugor të Anglisë, i cili po vuan humbjen e rëndë të kujtesës. Ai jeton vetëm në shoqërinë e mirëmbajtëses së shtëpisë dhe djalit të saj Roger, dhe i kalon ditët duke u përkujdesur për zgjojet e bletëve në fermën e tij. Vetmija, pengjet e së shkuarës, shëndeti i dobët dhe humbja e kujtesës janë tre linjat ku aktori McKellen e ndërton figurën e Holmes krejt ndryshe prej imazhit kult për të gjithë.

Në tërë historitë e shkruara për Holmes, gjithmonë bëhet me dije adhurimi i tij për arsyen, shkencën, teknologjinë, dhe për njëfarësoj përbuzje për irracionalen, si në trajtën e ndjenave më njerëzore si në besimin e shpirtrave, paranormales, magjisë, e të tjera si këto. Në këtë rast për shkak të pengjeve të së shkuarës dhe prej rrethanave, ish dedektivi është zemërlëshuar dhe tejet emotiv. Kjo e bën tejet interesant sinopsin e filmit dhe këtë personazh mitik të përmbysur nga sa njihet.

Kjo thyerje në karakter mund të lexohet paralelisht edhe me thyerjen shpirtërore të vetë krijuesit Conan Doyle, pas humbjes së bashkëshortes së tij me të cilën ishte tejet i lidhur dhe personave të tjerë ngushtësisht të afërt. Këto fatkeqësi e shtyen shkrimtarin në depresion, dhe nga një flamurtar i arsyes si personazhi i tij, u përfshi në spiritualizëm dhe në fenomenet paranormale.

Ajo që i mungon filmit është shpërfaqja e plotë logjike dhe emocionale e asaj thyerje të pretenduar në karakterin e Holmes. Ngjarjet e treguara në film të japin një ide sesi, por nuk kapet sesi ajo mendje brilante përpos rëndesës së viteve mbi kurriz u plogështua e u shpërfytyrua aq shumë. Bëhet dobësi akoma më e madhe për skenarin kur përveç mungesës së ilustrimit të krisjes, gjejmë shumë pak nga miti i dedektivit londinez. Në fund, për shkak të këtyre dy mangësive thelbësore shohim një draft-skenar të jashtëzakonshëm, por një film tepër të dobët.

NDIQNI TRAILERIN