Aurela Gaçe është shpallur fituese e Kënga Magjike 2015, për të dytin vit radhazi. nga votimi i këngëtarëve pjesëmarrës në këtë edicion. Kënga e saj ‘Akoma jo’, ka arritur të marrë 1070 pikë nga konkurrentët e tjerë. Aurela Gaçe është vlerësuar gjithashtu me çmimin e Interpretuesit me të Mirë të këtij edicioni. Gjatë votimit të këngëtarëve kanë konkurruar për vendin e parë 4 këngëtaret me karrierë në muzikën shqiptare, Aurela Gaçe, Juliana Pasha dhe Albërie Hadërgjonaj, dhe Endri Prifti. Më pas diferenca është ngushtuar mes fitueses së Kënga Magjike 2014, Aurela Gaçe, dhe fitueses së Kënga Magjike 2010, Juliana Pasha. Por në fund çmimi i madh i ka shkuar "Akoma Jo" të Aurela Gaçes, në vendin e dytë është renditur Endri Prifti dhe 1 pikë më pak, vendin e tretë të festivalit e fitoi, Juliana Pasha me këngën "Vullkan".
‘Tani më vjen turp’, ka thënë Aurela me shaka pasi është ftuar nga Ardit Gjebrea që të ‘dorëzojë’ çmimin e vitit 2014 për fituesin e 2015-ës. ‘Nuk vij më’, ka shtuar ajo përsëri, duke shkaktuar shumë ilaritet në sallë. Publiku e ka duartrokitur fituesen e Kënga Magjike 2015. Kujtojmë se Aurela e ka fituar Kengen Magjike edhe ne vitin 2007, me kengen 'Hape veten'.
Në kategoritë e tjera janë vlerësuar me çmime këta muzikantë: Alar Band me çmimin grupi më i mirë me këngën ‘Për ty e jap free’; Xhesika Polo me çmimin e produksionit, për këngën ‘Fati jemi ne’; çmimi Çesk Zadeja i është dorëzuar Mateus Frrokut, me këngën ‘Më ke lënë kujtime’; Mariza Ikonomi dhe Klea me këngën ‘Pikë loti’ janë vlerësuar me çmimin e Tv Klan; Renis Gjoka me çmimin e Telekom për këngën ‘Nuk ka si ti’; për debutimin në këngën magjike Janex Trio janë vlerësuar me çmimin ‘Magjia e Parë’; artistët e rinj më të mirë janë shpallur Venera Lumani e Lind Islami me këngën ‘Zemër në katror’; ‘Rrijna na’ e Revolt Klan është vlerësuar si kënga më stil; Stresi me ‘Mos ma lujni gocën’ është vlerësuar me Best Hip Hop; me Best Pop Rock është vlerësuar kënga ‘Fjalë në ajër’ e Altin Gocit; kantautori më i mirë është shpallur Endri Prifti me ‘Kënga e fundit’; si dueti më i mirë është vlerësuar kënga ‘T’kam bërë të qash’ e dyshes Erik Lloshi-Anxhela Peristeri; Çmimi ‘Tendencë’ i është dhënë Semi Jaupajt me këngën ‘Veç lotët’; si balada më e mirë e edicionit është vlerësuar ‘Eja tek unë’ kenduar dhe Gerta dhe Klejti Mahmutaj; Çmimi i RTV 21 Kosovë dhe TV21 Maqedoni ka shkuar për Shpat Kasapin i cili është rikthyer më këngën ‘Pa shpirt’; Çmimi i Internetit i është dhënë artistit më të klikuar, Florian Mumajesi me këngën ‘Me zemër’; Stine me këngën ‘Çifti simpatik’ është vlerësuar me Çmimin Diskografik; çmimi i Interpretuesit me të Mirë i është dhënë Aurela Gaçes, për këngën ‘Akoma jo’; me Çmimin e Kritikës është vlerësuar Albërie Hadërgjonaj për këngën ‘Me dorën shtrirë’; ndërsa si Vokali më i Mirë është vlerësuar Juliana Pasha me këngën ‘Si vullkan’.