
Filmi ‘Sex, Përrallë dhe Celularë’ me regjisor Erion Bubullima dhe skenaristë Erion Kame, Genc Përmeti dhe Thomas Logoreci, po shfaqet prej disa ditësh në sallën e Kinema Millenium. Skenari i filmit mbështetet në komedinë për teatër me titull Harroje Dashurinë të Erion Kames, e vënë në skenë për herë të parë para tre vjetësh. Protagonistët kësaj vepre të zhanrit komedi janë aktorët Genc Fuga, Gent Kame dhe Eglantina Ceno. Në kast, në role dytësore përfshihen aktorët Gert Ferra, Alfred Trebicka,Gëzim Rudi dhe Kastriot Çaushi.
Drama e ‘Sex, Përrallë dhe Celularë’ vendoset në trekëndëshin e personazheve të Kujtimit (Genc Fuga), Nertilës (Eglantino Ceno) dhe Rudit (Gent Kame). Kujtimi është shkrimtar i letërsisë për fëmijë, i përkedhelur i fatit për nga gjendja financiare, por karakter naiv dhe herë herë i mangët. Nertila është bashkëshortja e tij, femër e parealizuar në krizën e mesomoshës, e cila krijon një marrëdhënie jashtëmartesore me personazhin e Rudit. Ky i fundit është farësoj pelivani apo matrapazi, që vuan mungesën e figurës atërore, sepse është i braktisur në moshë të vogël prej tij.
Ngjarjet e sinopsit zhvillohen kryesisht në ato pak lagje të vjetra të Tiranës që kanë ruajtur shtëpitë përdhese dhe vilat e ulëta. Edhe personazhet flasin më së shumti në dialektin e Tiranës dhe me fjalorin e vulgut të përditshëm. Element shumë pozitiv në ambjentimin e filmit, por ka momente që personazhet zhvidhosen në të folur letrar ose në disa raste vuajnë nga një impostim teatral. (Ves i pakurueshëm i kinemasë shqiptare, ku edhe këtu nuk shërohet me gjithë përpjekjen.) Cene që e krisin ambjentimin dhe i lënë personazhet në ajër.
Ndikimi i kinematografisë televizive italiane është tejet evident në tërë elementet e filmit dhe në disa raste ka shërbyer për mirë. Shembull pozitiv është fotografia dhe kamera, e cila realizon lexime planesh vërtet të mira. Italianizimi është tejet problematik përsa ndikon në fabul, në zhvillimin e personazheve, në batutën komike dhe në thurjen e kontraditës. Përmendim tipikun e kodoshit italianesk dhe komedinë e keqkuptimit të cine-panettone apo butaforinë e karikaturave të kabaresë italiane. E gjitha e stërparë dhe e superuar nga hera.
Në të vetmin moment që filmi bëhet shqiptar është në trajtimin disi serioz të tematikave si seksi, maskilizimi, feminizmi, epshi apo makutëria. Është shqiptar sepse i përflet këto tema me cektësinë e vetë shoqërisë shqiptare, e cila gjendet në mendjen e një katër vjeçari që po njeh seksualitetin e vet dhe pushtetin që vjen prej seksit. Filmi hedh nëpër të ca shashka idesh seksiste që janë konfuze dhe të stisura, si për shembull afeksioni që ka personazhi i Nertilës me parfumin e vet të preferuar.
Merita kryesore për filmin shkon në përzgjedhjen e gjetur të aktorëve për tre personazhet protagoniste. Aktrimi i Genti Kames është ai që meriton vlerësimet maksimale me një personazh të plotë, sëbashku me difektet e veta. Ndërsa dy personazhet e tjerë, mbase edhe për faj të skenarit, përpos meritave të vetë aktorëve fusin goxha ujë.