
Era më prishte modelin e flokëve ndërkohë që “I love U Camëria” më përgjaknin sytë në çdo cep ku binte drita e motorit. Këpuca 46 ndaloi butë, por trupi im u mbështet bollshëm mbi shpinën e tij. Nga pas kokores shikoja se si i vetëtinin sytë. Më zgjati dorën. Qëllimisht lashë të më ngrihej fustani e të më zbuloheshin kofshët. A thamë që do të luaja? E pra, këtë radhë kam premtuar që do të luaj rëndë. Pres të më hapë derën e lokalit dhe e buzëqeshur hyj brenda.
Të paktën ky nuk qenka nga ata burra qe të vënë bërrylin në fyt për të parë të parët se kush është brenda lokalit. Restoranti ishte plot. Uaaa, tavolina jonë ndodhej në vendin më të ngritur të sallës! Një verë “rosè” na priste si fillim. “Po ky nga e di se çfarë më pëlqen mua?”, mendova.
– Të pëlqejnë motorët? – më pyet Këpuca ndërkohë që merr menynë.
Ç’t’i thosha? Që motori ishte hall i madh për mua se më prishte flokët dhe më bënte rrobat me pluhur?! Jo, nuk isha çmendur!
– Më pëlqejnë jashtë mase, por ta dija që do të vije me motor, do të vishesha ndryshe.
– Ashtu? Çfarë do të vishje, për shembull? – më pyet Këpuca duke më ngulitur sytë. Hmmm, – mendoj, – të kapa! Çfarë kujton ti, se unë nuk e di se çfarë do ti të dëgjosh?
– Do të kisha veshur një xhup të shkurtër dhe një fund akoma më të shkurtër se xhupi, – i them, – sepse fustani s’më lejonte t’i hapja këmbët sa doja.
– Mos, më mbyte me këtë që the! Vërtet do ta bëje?
– Sigurisht. – I buzëqesh dhe e shikoj në sy ngulshëm. E pse të mos e shoh? Ai s’ka asgjë më shumë se unë! Pse duhet të jem e turpshme?!
– Damian, – shefi i sallës ishte pranë tavolinës sonë. Ai sapo i ishte drejtuar në emër Këpucës 46 dhe kjo gjë kishte shumë domethënie.
– Përshëndetje! Çfarë do të dëshironte zonjusha?
Shefi i sallës, ky burrë një metër e njëzet i gjatë, me sy aziatiku dhe hundë sa një patate, dy herë rresht më ka lënë të pres tek dera mua dhe shoqet e mia, për të përfunduar pas një ore tek “Kolonat” duke ngrënë cheeseburger, pasi tavolina të lira tek “Hakuna Matata” nuk ka asnjëherë. Por çdo gjë do kohën e vet. Ja si kthehet rrota! Uhhh, çfarë kam për t’i bërë sonte!
– Më jep pak kohë të mendohem, – i buzëqesh lehtë, ndërsa ai më skërmitet duke u larguar pasi na ka shërbyer verën.
– Kanë kaluar vite dhe ti je përsëri e bukur, Alinë. – Ai më vështron çdo centimetër të fytyrës, ndërsa unë mendoj që kot nuk thonë më mirë të të dalë syri se sa nami. Se ku e sheh të bukurën ky tek unë dhe ku e kanë parë të bukurën e gjithë pjesa tjetër e njerëzve që më kanë cilësuar si të tillë, akoma nuk e di!
– Faleminderit, – ia kthej, – ndërsa ti ke ndryshuar shumë, për mirë e kam fjalën. S’të njoha kur të takuam atë ditë me Vadikun.
Kthej gotën me fund duke mos ia ndarë sytë dhe ndërkohë në skenë hyn përsëri shefi i sallës.
– A vendosi zonjusha se çfarë do të porosisë? – Por, siç duket, e pa që ne ishim shumë të përpirë nga njëri-tjetri dhe u largua pa marrë përgjigje.
– Po ky nga të njeh? – e pyes, – kaq shpesh vjen këtu?
– Në fakt ky restorant është i imi, Alinë, dhe ma bëre qejfin duke e përzgjedhur.
Kjo ishte një e papritur që nuk e kisha llogaritur fare. Kushedi sa e lumtur ishte fytyra ime! Pra, unë po dilja me një mashkull të bukur, të njohur si një nga avokatët më të fuqishëm të Tiranës dhe pronarin e restorantit më të parapëlqyer për momentin.
– Më pëlqen shumë emri i restorantit, – i them, – zgjedhje shumë e zgjuar.
– Në fakt nuk është zgjedhja ime, një ish-i im ma dha si ide dhe unë i besoj shumë intuitës femërore për gjërat e bukura.
“Çfarë tha?! Si tha?! Po ky qenka debil! Ia ka vënë emrin ish-i? Po pse, nuk është i virgjër ky? Sa do të doja të ishte i virgjër!”.
– Vajzë e zgjuar, i përgjigjem. Nuk e pyes as ku është dhe as kush është. E ç’më duhet? Ajo është një ish-, një ish- do të mbetet dhe do të vdesë si një ish- i Këpucës 46.
– Vërtet mendon se është sugjerim i një ish-i? – Këpuca po kënaqej, unë gjithashtu.
– Jo, nuk e mendoj, por i besova asaj që the ti.
– Ka kaluar shumë kohë nga ish-i i fundit, –po përpiqej të ma bënte qejfin ai. – As që më kujtohet se kush është. Më duket sikur kam gjithë kohën që të pres ty. Të të them një sekret, Alinë?
– Po, ma thuaj, mjaft që të mos jesh i detyruar të më vrasësh më pas, – e ngacmoj.
– Kam parë një foton tënde disa vite të shkuara. Duket fëminore kjo që do të të them, por ngeca në atë foto. E pashë rastësisht në Facebook-un e një shoqeje dhe e pyeta për ty. U mundova dhe të të dërgoja fjalë nëpërmjet saj, por s’u bë gjë.
Më vinte nëpër mend turbull që një mikeshë e imja më pati kontaktuar nja dy herë për të më thënë një histori të ngjashme, por mua më ishte dukur komplet kot si variant. Një burrë s’ka nevojë për ndërmjetësime, por ja që e paskam pasur gabim!
– Që atëherë të kam pritur, – vazhdoi ai.
– Dhe unë të kam pritur, – i them, – por s’e dija që do të ishe ti. S’e dija fare që ekzistoje. Kam menduar që do të mbeteshe gjithmonë një ëndërr.
Këpuca 46 tërheq fort karrigen ku jam ulur unë e... si mund ta shprehë ndryshe një mashkull shqiptar, që është prekur nga fjalët që sapo thashë?
– Do të doja të të puthja tani!
– Puthmë, – i them, – dhe zgjatem dhe e puth.
Një sekondë, dy, tre… një minutë. Hap sytë dhe pres të shoh zogj që fluturojnë rreth kokës sime, por jo! Sa paskan ndryshuar gjërat që nga hera e fundit që jam puthur! Zogu qenka kthyer në një kinez me hundë si patate, që vjen rrotull tavolinës dhe shërben verë. Mbyll sytë sërish. Këto sekondat e shkëputjes janë të shenjta për mua. Ndiej erën e tij mbi buzë, hap sytë. Këpuca 46 më shikon mua dhe unë shikoj nga salla, që të dalloj se kush po na sheh. Të gjithë po na shohin.
– Çdo gjë OK, Alinë? – Ai më përkëdhel flokët. E kam të pamundur të përgjigjem. Zemra më rreh si e çmendur, mos jam skuqur vallë? As të marr pirunin dhe të bëj sikur pickoj nga antipastat nuk kam fuqi. Mundohem të mbledh veten, ndryshe do t’i jepja Këpucës 46 material për të më ngacmuar.
– Çdo gjë OK, – i përgjigjem, – më pëlqen se si puth ti.
– Do të doje ta bënim përsëri tani? Hajde!
Ai më kap nga dora. Dalim jashtë sallës dhe pa arritur tek dera kryesore ai më mbështet pas një kolone dhe më puth përsëri. Kjo që po bëj nuk është normale. Vajza e recepsionit buzëqesh, por nuk largohet nga vendi i saj i punës. Çfarë po më ndodh kështu? Brenda një dite iu dhashë një mashkulli direkt. Po puthem me të në një vend të ekspozuar në sy të botës. Dhe çfarë pastaj?! Kjo është ajo që dua. S’dua fare të mendoj, dua vetëm të puthem.
– Alinë, ti je mi? Ua, nga këpucët të njoha!
Zgjas kokën mbi supin e Këpucës për të parë kush më doli i njohur në momentin më të papërshtatshëm. Asaj qëndronte para meje me krahë të hapur sikur kishim nja dhjetë vjet pa u parë. Ky është risku kur ke shoqëri të zgjeruar dhe frekuenton në raste kaq speciale vende ku shkon gjithë Tirana!
* Aline Bertrand është pseudonim për të ruajtur anonimatin e autores.