
Në këndvështrimin e universitetit amerikan Duke University, filmat për fëmijë “e prezantojnë jetën në mënyrë të gabuar.” Duke kritikuar edhe shtatë xhuxhat e Borëbardhës të cilët janë të lumtur që po shkojnë në minierë.
A keni parë ndonjëherë minatorë që hyjnë në minierë duke fishkëllyer dhe duke kënduar sikur kjo të ishte gjëja më e bukur në botë? Besoj të gjithëve ju ka rënë rasti ta shohin tek “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”. Mirëpo kërkimet e universitetit amerikan i quajnë këto skena si jorealiste. Përfaqësimi i këtyre personazheve ka tendencën që të jetë shumë i sheqerosur, hipokrit dhe artificial krahasuar me realitetin. Po ashtu ato japin një pamje të shtrembëruar të varfërisë dhe të ndryshimeve klasore.
"Madje edhe Nevriku duket shumë i lumtur që po shkon në minierë,” thuhet në studimin e Duke University, ku sillet në vëmendje edhe çështja e punësimit të fëmijëve pasi në minierë punon edhe xhuxhi më i vogël në moshë.
Kritika të ngjashme ka pasur edhe për filma të tjerë të “Walt Disney”, një prej kompanive më të mëdha kinematografike, si "Mary Poppins" dhe "Aladini". Ky i fundit akuzohet për një skenë ku protagonisti dhe princesha Jasmin krahasojnë prejardhjen e ndryshme shoqërore dhe arrijnë në përfundimin se të dy nuk kishin një jetë të lehtë.
Janë analizuar rreth 32 filma dhe pjesa më e madhe e tyre ishin prodhuar nga “Walt Disney” dhe këta filma kanë pasur rreth 100 milionë dollarë përfitime. Analiza e tyre tregon se heronjtë e tyre janë ose përfundojnë të pasur dhe pjesa më e madhe e personazheve u përket shtresës së lartë. Ato sugjerojnë se pabarazia sociale është gjë e mirë dhe se shtresat e ulëta nuk kanë arsye pse të ankohen. Shpesh të varfërit përshkruhen si më të lumtur se të pasurit dhe që do i ndryshonin me shumë dëshirë vendet me njëri-tjetrin.
Adhuruesit e Disney thonë se janë thjesht filma për fëmijë, por nuk është tamam kështu pasi ka shumë ndikim tek ata. “Ajo që paraqitet aty, nuk është jeta reale,” përmbyllet raporti.
Burimi: La Repubblica; Përshtati: Klarida Bregaj