
Historia ime fillon që nga femijëria … Që në fëmijëri unë kam qenë mbipeshë. Vitet kalonin dhe familjarët e mi, bashkë me çdo njeri të afërt, më këshillonin të filloja ndonjë dietë për të humbur disa kilogramë, por unë duke qenë fëmijë, nuk e kuptoja se sa e nevojshme ishte kjo gjë për mua. Sa më shumë rritesha, aq më shumë kuptoja vlerën e fjalëve që të gjithë të afermit e mi më kishin thënë.
Ishte viti 2012, fillimi i vitit të parë në gjimnaz kur unë fillova të mendoj seriozisht për kilet e mia të tepërta. Gjithmonë deshira ime ka qenë të dukem e bukur, si çdo femër; kjo më duket mëse normale. Nervozohesha dhe inatosesha me veten time kur shikoja se asgjë nga ato që unë doja të vishja nuk më bënte, ose nuk më rrinte fare mirë. Arrita deri aty sa vërtet e urreja veten, dhe nuk mundesha as të shihesha ne pasqyrë.
Ushqimi im i preferuar kanë qenë gjithmonë fast food-et dhe ushqimet e shpejta, ushqime fare të pashëndetshme. Haja kur ndjehesha e uritur, por edhe kur nuk s’kisha uri; diçka tërësisht e gabuar.
Isha vetëm 16 vjeç; gjatësia ime ishte 1.68 m., dhe unë peshoja 100 kilogramë …. Por si përfundim, unë vendosa ta ndryshoja veten time. Nuk kisha njohuri të mëdha rreth dietave apo kalorive, thjesht kisha dëshirën e madhe për të ndryshuar pamjen time.
Fillova të haja shumë më pak, dhe ato pak momente kur haja, ushqimi im ishin frutat, perimet dhe mishi i pulës. Pjesën më të madhe të ditës e kaloja në dhome, e vetme, për të mos parë askënd duke ngrënë, për të mos parë ushqimin. Duke qenë se në atë periudhë ishte verë, nje pjesë te kohës e kam kaluar me shoqet e mia duke dalë, ose duke shkuar në plazh për të harruar çdo gjë që kishte lidhje me ushqimin. Ditët kalonin, njëra pas tjetrës. Qe diçka shumë e vështire për mua, por ama, kjo ishte detyra qe une i kisha vënë vetes. Dhe këtë betejë me veten duhej ta fitoja.
Sa ç’ishte e mundimshme, nga njëra anë ishte edhe e thjeshtë, kur fillova të shikoja që çdo gjë që unë vishja, më rrinte çdo dite e më e lirë, dhe kjo gjë më bënte shumë të lumtur duke më dhënë shumë kurajo, pasi isha gjithnjë e më afër ëndrrës sime; të bëhesha ajo që doja vërtet të isha. Për rreth 6 muajt e parë, unë humba 25 kilogramë dhe për 3 muaj në vijim, edhe 15 kilogramë të tjerë. Për 9 muaj, unë arrita të humbja 60 kilogramë! Lumturia ime nuk kishte fund.
Sot unë peshoj 62 kilogramë, dhe sipas gjatësisë sime, une duhet të peshoj 60 deri në 65 kilogramë. Tashmë, unë ndihem shumë e kënaqur me trupin që kam.
Tani kam vijuar normalisht, duke mos i numëruar kaloritë që konsumoj, thjesht, ha 2 vakte në ditë (mëngjesin dhe drekën), ndërsa vaktin e fundit pra, darkën, mundohem ta ha rreth orës 16-17, që të mos ha përpara gjumit. Më pas, derisa të fle, konsumoj vetëm ujë. Normalisht që trupin e mbaj në formë duke frekuentuar edh palestrën dhe duke u peshuar çdo mëngjes, pa e anashkaluar asnjëherë këtë (nuk dua të kthehem kurrë siç isha!).
Këshillë: Regjimi që përdora fillimisht për t’u dobësuar ishte shumë i rrezikshëm nga ana shëndetësore. Por i sygjeroj çdo njeriu që e lexon këtë shkrim, t’i drejtohet regjimit që unë përdor aktualisht: duke ngrënë më pak, dhe duke shpenzuar më shumë energji. Natyrisht, duke u ushqyer sa më shëndetshëm; fruta, perime, lëngje frutash të shtrydhura në shtëpi; ecje, vrap, palestër dhe çdo gjë që përbën një jetë të shëndetshme. Shijojeni jetën!