
Përveç ndjenjës së xhelozisë për beben e Lolës, nuk po shikoja asgjë tjetër në sytë e Vadikut.
- S’na le një ekskluzivitet, s’na le, - ia plasi ai në tavolinë, me sytë që i rrotullonte herë tek unë e herë tek ajo. Po e bënte për të më matur pulsin, nëse unë kisha treguar gjë apo jo. Kjo ishte mënyra e tij për të kuptuar se sa e përflisnin njerëzit, sepse ai vdiste që të përflitej lart e poshtë .
- Do lindësh dhe ti? Lola e trashur nga habia kishte hapur krahët dhe po priste përgjigjen me buzëqeshje. “Këta, ose jane aktorë të mirë, - mendova,- ose janë aq të papjekur sa nuk duan të kuptojnë”. E rëndësishme ishte që Vadiku u zhgënjye komplet nga unë, meqenëse risitë që ai kishte, nuk përbënin aq lajm për mua sa t’i ndaja me Lolën, akoma pa e përshëndetur mirë.
Tunda kokën, për t’i pohuar që ajo s’dinte gjë.
- Uaaaaa! Thirrjet e Lolës nuk pushojnë. “Do bëheeemi me bebaaa të vegjëël!!! Kush është ai që do të bëjë baba”?
Moj, kjo është në terezi apo e ka budallallepsur shtatzënia?! Ka plot gra, që ndërkohë që flasin mendojnë gjëra të tjera dhe këpusin budalliqe...hmmm, kot tani. Të njëjtën pyetje bëra dhe unë kur mora vesh lajmin. “Kush është fatlumja doja të thoja” - e rregulloi Lola shpejt e shpejt.
Vadiku u rehatua, shtriu këmbët e gjata poshtë tavolinës, mori me kujdes filxhanin dhe filloi me nge të tregonte se si “ajo alamet femre” u dashurua me të dhe tani po prisnin një bebe. Se si kishte lënë për të dalë për pazare me mua, por që unë po e anashkaloj, meqenëse kam zënë të dashur të ri. Pastaj, në bisedë e sipër u harrua muhabeti i bebeve dhe filluan të dy të merreshin me mua, sikur mos të isha fare aty.
I dërgoj me stil “Këpucës” një sms: “Kur do takohemi ”? Në të njëjtën kohë, më vjen një sms nga ai: “Mbarove aty”?
Uauuu, i kishim dërguar njëri- tjetrit sms në të njëjtën kohë. A ka ndonjë domethënie kjo? Do të thotë që edhe ai më mendon po aq sa unë. Shikoja pa dëgjuar, mimikat e Lolës dhe te Vadikut, që vazhdonin të thelloheshin në analiza mbi marrëdhënien time të re, se si unë po e konsumoja shumë shpejt “Këpucën”, si nuk kisha rezistuar aspak dhe si nuk po dija ta luaja lojën për ta bërë atë që të më adhuronte. Në fakt, ishte gjysma e së keqes që mendimet po i ndanin aty, ballë për ballë, sepse mund t’i kapte edhe budallëku dhe të më bënin gjyqin në Facebook !!
“ Të vi të të marr”? Sms e “Këpucës” më zgjoi. Lola dhe Vadiku po bënin foto për Instagram. Sfondi isha unë, me flokë të pakrehur, sy të mufatur dhe shprehjen në fytyrë: “A ka mundësi të më lini rehat”? Sigurisht, fotot e përzgjedhura për t’u publikuar ishin ato që unë kisha dalë si lëneshë 45 vjeçare, kurse Lola me Vadikun shkëlqenin katërcipërisht. S’më prishte asnjë punë. Këpuca nuk kishte Instagram!
“Për 10 minuta jam tek “Dajti” - i shkruaj “Këpucës”, - po të pres aty”. Pllaquritem me Lolën dhe Vadikun duke lënë takimin e afërt në fundjavë, vetëm për ne. Po, po vetëm për ne. Në fakt po mendoja që ata s’kishin nevojë fare për mua, unë isha inekzistente në çdo muhabet të tyrin madhor. U nisa me nxitim për tek vendi i takimit. Më dukej sikur po fluturoja. Nxora pasqyrën dhe në ecje e sipër vendosa fardin e faqeve, pak rimel dhe një shkëlqyes. I fryva flokët me gishta dhe hodha pak parfum. Pak, dmth nga koka deri tek këmbët! Për 6 minuta isha tek “Dajti”. Hodha sytë në të gjitha këndvështrimet. “Këpuca” nuk dukej asgjëkundi. S’ka as dyqane këtej rrotull, që të bëja sikur shikoja vitrinat. Më dukej sikur të gjithë njerëzit që kalonin më shikonin mua. “Po dhe ky sa po vonohet”. Kaluan 3 minuta që kur kisha arritur. Ndërkohë që ktheja kokën në çdo bori makine që më oshëtinte në vesh sikur thërriste emrin tim, dhe çdo mashkull që kalonte me dukej si ai. Më në fund e pashë që po vinte. Hapi krahët që larg dhe zaptoi të gjithë trotuarin. Unë ç’duhet të bëja në këtë rast?! Të vrapoja dhe t’i hidhesha në krahë, apo të prisja? Preferova të prisja duke u tundur në vend dhe duke buzëqeshur me buzë të rrudhura dhe flegra të mbledhura.
- O jetë sa e bukur që je,- më tha pa u afruar mirë. Më përqafoi ëmbël. “Ti s’më thua asnjë fjalë të mirë”, më tha .
- Po c’të të them? Kemi shumë pak bashkë. Duhet t’i ndiej që të t’i them.
- Ke të drejtë, na janë bërë bërë fjalët zemër e shpirt, si të jenë përshëndetje me kokë. Po ju femrat e keni fajin, ju na e keni ngjitur!
- Unë s’të kam ngjitur gjë, nuk i përdor fare fjalët mikluese. Po ti sikur punon në marketing, se ato e kanë të theksuar këtë gjë. U thonë klientëve shpirt e zemër edhe
pa u njohur fare.
- Ehhh, mirë s’ti them më o jetë, o dritë e bukur. Ku do të shkojmë sot? Të të çoj në shtëpi të qetësohesh pak dhe pastaj dalim për një gotë? Do vish nga unë sot?
Po çfarë pyetjeje, unë po vdisja për të shkuar nga ai. I kisha bërë naftën tenisit, shoqërisë, punës …dhe për çfarë? Për një mashkull dy metër, brun, me sy të zi, avokat i suksesshëm. Ëndërr për të gjitha gocat e Tiranës.
- Ok , i përgjigjem.Vadiku më ka thënë sa më pak fjalë me një burrë. Burrat janë gjuetarë, nuk kanë qef që femra të vendosi rregulla, prandaj shkurt: po, jo, ndoshta!
- Të kaloj nga ora tetë të mar?
- Ok , i përgjigjem ëmbël duke e parë në sy. Ngjis katet me vrap, sepse ashensori përsëri nuk punon. Dhe sapo hyj në sallon më vjen sms : “Jetë, më dërgo një foto përpara dushit”!
Çfarë ????? Një foto topless, një foto vetëm me të brendshme? Si ta marr këtë? Çfarë duhet të mendoj, keq apo mirë? Çfarë t’i them?! Këtu nuk ka vend për strategjinë e Vadikut: Po, jo, ndoshta. Kam parë në facebook foto të nxehta si nga femrat dhe nga meshkujt. Një koleg i zyrës vuri një ditë një foto me rroba banjo të bardha dhe na la të gjitha ne vajzat, pa punë. I dukeshin të gjitha, po të gjitha po ju them! Plus trupi i palestruar, plus i nxirë nga plazhi! Në fund të ditës, të gjitha ne donim të punonim me të. Po unë, çfarë fotoje të coja?! Me buzët përpara dhe vetullat lart?! Jo, nuk besoj se e ka fjalën për fytyrën time para dushit, do të ishte një budallëk.
“Ok ,- i përgjigjem-, më jep 5 minuta kohë”. Zgjedh një palë të brendshme që i kam përdorur kush e di sa herë dhe që me “Këpucën” nuk do t’i vesh kurrë, por që në fotografi dalin si të reja fringo dhe bej ritualin e shpupurisjes se flokëve, fryrjen e buzëve me gishta, mufatjen e syve sikur sapo jam zgjuar. Opa… një foto, dy, tre, njëzet e tre…. Dhe sytë s’më shohin më nga blici!
* Aline Bertrand është pseudonim për të ruajtur anonimatin e autores