
Dhe duke qënë së nuk shoh më, filloj të fotografoj pjesë të tjera nga lartë poshtë e nga poshtë lartë. Me një përzgjedhje të shpejtë dhe me pak ndërhyrje nga filtrat, sa që as vetë nuk i njoh fotot e mia, ja dërgoj Këpucës. Asnjë përgjigjje. Po mirë, unë tani çfarë të bëj? Po pres më mirë. I duruari i fituari. Nuk duhet ta prish dëshirën që kam për ta takuar, nuk duhet të bëhem nervoze. “Prit Aline”, i them vetes. "Ha thonjtë, këput majat e djegura të flokëve, kalo tel thonjtë e këmbës, por mos i dërgo sms". Nuk e di nëse e kam vetëm unë këtë ndjenjë padurimi apo është sëmundje e të gjitha grave. Mua sekondi më duket një vit. Zhurma e celularit më hedh përpjetë.
- Alo ? Zërin e kam të mekur.
- Zemër më duhet të dal për darkë me një klient të rëndësishëm. Më vjen shumë keq por do të shihemi nesër. Këpuca pëshpërit, nuk flet. Më shumë i marr me mend fjalët sesa i dëgjoj.
- Po ti më premtove! Nuk mund ta shtysh darkën?
- Jo nuk mundem! S’mund të tregoj në telefon, kur të takohemi nesër do të flasim. Nesër në pushimin e drekës do më kesh aty. Të kam zemër, mos u mërzit, nëse je zgjuar do të të shkruaj.
Ma mbylli pa pritur të bëja komentin e rradhës. Mu prenë krahët. Kaq shpejt mi dha duart? Gishtat më dridhen dhe ndërkohë kam arritur në gjysmën e monologut tim të shkruar: “Ti më premtove, unë nuk mund ti anulloj planet e mia kështu, s’ka kuptim! Kush kujton ti që jam unë që më lë e më merr sa herë të duash? Duhet të jesh mësuar keq ti me të dashurat e tua por mua, s’mund të ma bësh këtë!
Ej ej , pa prit njëherë! Ulu mbi ëc zonjushë siç të ka hije dhe përqëndrohu! Sa vite ke që e pret një histori të tillë? Sa meshkuj si Këpuca ke “në treg” që po vdesin për ty? E fshi sms-në 400 rreshta që sapo kam shkruar. Në pasqyrë shoh një fytyrë të mplakur nga trishtimi. Po në fund të fundit çfarë ndodhi?
U anullua një darkë dhe sapo u konfirmua një kafe në orarin më të afërt të lirë që kemi. Ok pra! Tani ka ardhur momenti që të mledh pak veten dhe për të kuptuar që asgjë nuk është pronë dhe e përjetshme. Çiftet mund të ndahen dhe pa anulluar dreka e darka. Më kishte ndodhur dhe kjo! E rrënuar komplet, akoma me të brendëshme, duke përjetuar anullimin e darkës sikur sapo më kishin zbuluar 5 qeliza kanceroze në mitër shtrihem në kanape dhe filloj të qaj.
E mirë, se dhe unë sado e organizuar, e planifikuar të jem, kam dhe çaste debulese! Sa ditë me rradhë kam qarë derisa i dashuri im i parë, një biznesmen i suksesshëm, më bleu shtëpinë dhe makinën e kuqe si brumbull për të justifikuar lindjen e fëmijës së tretë? Sa ditë kam qarë kur drejtori i tatimeve më dha duart pasi e shoqja e kishte kërcënuar se do të merrte fëmijët e do të ikte nga shtëpia? Sa ditë me rradhë kishte qarë Davide, pronari i një lokali të vogël, të cilit drejtori i tatimeve i mbyllte lokalin çdo javë sepse e dinte që ishte i dashuri im?
E kështu që të gjithë kemi qarë e kemi kaluar momente të vështira, kështu që Aline bëj kujdes me Këpucën. Mos e mërzit me sms sepse nuk ke asnjë të drejtë! Fshiva lotët dhe qurrrat me parakrah dhe u ngrita!
“Zemër kalofsh mirë, flasim nesër atëherë dhe nëse do, më bëj një sms kur të mbarosh darkën.” Ky ishte mesazhi që i dërgova në vend të ankesave dhe sharjeve që kisha bërë plan dhe kështu duhet të veprojë çdo vajzë me mend që mbart në zemër shumë histori të hidhura e të pahidhura. Me një telefonatë të shkurtër i them Asaj të vijë për një gotë në shtëpinë time. “Do të kaloj sa për të të përshëndetur, më thotë, sepse kam planifikuar një darkë.”
Më gjen si të mufatur nga fytyra me peceta letre në duar. Edhe pse e di që s’kam asnjë të drejtë të sillem kështu, edhe pse e di që duhet të ndjehem me fat që në aq shumë vajza që kërkojnë burrë, unë isha e përzgjedhura për të pasur të paktën një të dashur të saktë, përsëri nuk ndaloj dot së krijuari skenare në mendjen time për një të dashur të dytë të Këpucës.
Apo mbase jam unë e dashura e dytë?? E zeza, kam marrë fund! E shoh Asaj e çoroditur dhe pres një fjalë ngushëlluese, por jo. Asaj ka marrë përsipër të luajë rolin e ndërgjegjies time sot.
- Po dhe nëse je e dyta, do të luftosh të bëhesh e para, eksluziviteti nuk jepet, fitohet Aline.
- Po ishte kaq bukur çdo gjë !!
- Përsëri është bukur, ma kthen, mbase Këpuca po luan. Është nordik ai, yy sa do të testohesh ti për të qënë atje ku mendon se je sot.
Asaj ka të drejtë. Këpuca është lindur e rritur në very dhe më pas erdhi në shkollën tonë. Kjo e bën dashje pa dashje ndryshe. Asaj ka patur një të dashur tropojan dhe për vitet që ka kaluar me të thotë: Ehh ushtria s’është asgjë përpara gjygjit të Hagës që kaloja unë çdo ditë. Sipas saj, këta meshkuj janë të prirutr për të inskenuar situata të ndryshme, për të të vënë përpara disa faktesh të rreme që as ata vetë nuk i besojnë. E ty të duhet vite dhe përpjekje, sjellje të mira e fletë lavdërimi me shtatë yje, që ata të besojnë që ti je gruaja e duhur, që do t’ja dojë NANA dhe BABA, që mund të durosh të gjitha tradhëtitë e tyre dhe të gjitha historitë e ndryshme që kur kanë qënë 18 vjeç dhe vinin me autostop vizitë tek tezja që kishin në Tiranë.
- Nuk mendoj që po më teston, e përse duhet ta bëjë? Ndërkohë që flas besoj të kundërtën por dua të di përshtypjen e Asaj.
- Nuk e bën me qëllim, është vetë mashkulli ashtu. Si mendon se i ka arritur të gjitha ato çfarë ka ai, si ti që ti ka lënë babi?
Asaj nuk dinte asgjë për lidhjet e mia, kam qënë aq e vogël dhe e izoluar kur bëja lëmsh gjithë dynjanë. Tani, kur të gjitha moshataret e mia janë bërë prind, unë akoma jam në kërkim të princit të kaltër dhe ato që kanë patur dijeni për lidhjet e mia sekrete, kanë dalë nga qarkullimi. Kështu justifikoja veten unë të paktën!
- As e mendoj që i ka gjetur gati, por s’ka pse bën lojra.
- Mbase jemi ne që po bëjmë skenare, jo ai, thotë Asaj duke marrë çantën për të dalë. Mbase me të vërtetë asgjë s’ka ndryshuar dhe atij i duhet të shkonte se s’bën në atë darkë…
Po i thoshte këto gjëra për të më qetësuar, duke e ditur që tani do të isha vetëm unë e do ta varja telefonin në mes të syve për të parë nëse Këpuca do të më kishte dërguar sms ose jo. Nata e gjatë me hapje dhe mbyllje telefoni çdo pesë minuta dhe pagjumësi u kurorëzua me sukses në orën 5 të mëngjesit nga 10 mms të Asaj.
Këpuca shkëlqente në disa foto i rrethuar vetëm me burra në një restorant jashtë Tiranës. Përfytyroja Asaj duke pretenduar se fliste në telefon ndërkohë që bënte fotot. Do zoti nuk ngatërrohet dhe në vend që ti fshijë, i hedh në Facebook! Gjë e cila ndodhte shumë shpesh që nga dita e hapjes së profilit. Nuk fjeta më!
I çoj një buzëqeshje Asaj për të mos i lënë vend për ndonjë koment djegës dhe filloj të bëhem gati për në punë
* Aline Bertrand është pseudonim për të ruajtur anonimatin e autores