Anabel Dossier

Dren Abazi: Një mashkull bashkëkohor në 360 gradë

31 Korrik 2016

Dren Abazi: Një mashkull bashkëkohor në 360 gradë

Këngëtar, muzicien, por edhe model mode: tre në një!

Ky është Dren Abazi!

I pashëm, si të kishte dalë nga ndonjëri prej serialeve turke që biem përmbys edhe ne që bëjmë sikur ato nuk na pëlqejnë. Një mashkull i kuruar, që, me pak elemente, di shumë mirë si të kujdeset për veten, por, që, në të njëjtën kohë, lë imazhin e një tipi paksa të çrregullt, aq sa për ta përçuar mesazhin se megjithatë nuk është një manekin dyqani dhe as një nga ata tipat që rrezik shkrihen si akullore po gabove dhe i preke me dorë.

Edhe pse akoma i ri, edhe pse single në çdo kuptim, përtej çdo dyshimi, qëndrimi i tij i veçantë është tregues i mjaftueshëm se ai megjithatë është një burrë! Por edhe një bohem i papërmirësueshëm.

Vërtite si të duash, përfundimi është i njëjtë: Dreni është një tip personazhi, qoftë veç edhe si paraqitje, që nuk i takon aspak mainstreamit! Dhe kjo është e tëra që më duhet për të nisur shënimin tim për Drenin, sepse, pikërisht nga ky detaj merr shtat ajo që atë e bën artist. Të gjitha teoritë e artit pajtohen në një pikë: arti personal është një pasqyrim besnik i asaj që vërtet zhvillohet brenda shpirtit të artistit, por edhe një vazhdimësi e natyrshme e mënyrës së jetës të artistit në fjalë. Kjo vlen sidomos për Drenin, ndërkaq pikërisht besnikëria që ai tregon ndaj stilit së tij të veçantë të jetës e bën atë një gladiator të metropolit tonë.

Muzika e Drenit ka mbërritur deri në Hollywood - si kolonë zanore për filmin, hiti i verës 2014, Lets be Cops - ka performuar në klubet më të njohura të Parisit, e kemi parë në të gjitha spektaklet e rëndësishme në cirkun tonë televiziv, ka rreth 80 koncerte brenda një viti, ndërkaq, nëse të rastis të jesh pronar i një klubi të ri nate në Tiranë apo në Prishtinë, po e pate Drenin në opening night atëherë rri i qetë, i sigurt se gjërat do të ecin mbarë. Dhe, përkundër të gjithave, megjithatë Dreni vazhdon të jetë po i njëjti tip jo imponues, që bën të pamundurën për ta ruajtur rutinën e tij të vetmitarit karizmatik që dozën ditore të kafes ndonjëherë e pi në vendet më të çuditshme.

Nuk dua të humb kohë me kuptime triviale, prandaj edhe do ta them troç, ashtu siç e mendoj vërtet dhe si e mendon edhe vetë Dreni: me admirimin që ne, si individë dhe si shoqëri, po tregojmë ndaj autokratëve, orientalë nga larg apo këta tanët që i kemi këtu mes nesh - thuajse jemi pjesë e ndonjë sekti fanatikësh e jo e një shoqërie që pretendon se është pjesë e botës normale; me dhënien e epitetit class për çdo gjë që mund ta gjejmë edhe te tregu kinez; të përpiqesh të mbetesh vetvetja, t’i qëndrosh besnik parimeve dhe ideve të tua, është një sfidë shumë e madhe. Prandaj, për mua nuk ka asnjë dyshim, në këtë mentalitet tonin, një tip si Dreni, që më parë zgjedh të flijohet shpirtërisht sesa të bëhet njësh me turmën, përbën një hero të vërtetë.

Më ka mjaftuar një kafe me Drenin për ta kuptuar se edhe ai, si shumë artistë të tjerë, ndihet thuajse fati ka bërë numra me të, në çastin kur ka vendosur që ai të jetë një artist, gjë kjo që ndodh pikërisht në këtë ambient të egër tonin. Sa herë që ndihet i trishtë, krejt çka dëshiron është që ta ketë ndjesinë e lirisë dhe veç një njeri afër vetes, me të cilin mund të zhvillojë një bisedë të sinqertë, pa pasur drojë se mund të paragjykohet për fjalët që mund t’i nxjerrë nga goja. E kuptoj plotësisht, dhe nuk është aspak e tepërt të them se edhe bashkëndjej me Drenin, kur, jo rrallë herë, kur ndihet i ngulfatur, i kapur nga kthetrat e një mundimi të pafjalë, pa një pa dy, merr rrugë për diku, thuajse fati i tij është që tërë jetën të jetë në kërkim të një kuptimi ndryshe për gjithçka që e rrethon. Fiks ashtu, shpesh bëj edhe unë.

Mbase adresa e tij e vërtetë nuk është as Tirana dhe as Prishtina, por diku në mes të rrugës, në pikën prej ku mund të nisesh drejt çdo destinacioni të mundshëm për një artist që përherë kërkon një vend ku do të mund të ndihej i qetë dhe sado-kudo i përmbushur. Dhe sigurisht se kjo është një nga arsyet pse - njëlloj si shumë artistë të tjerë, idhuj tanët nga dekadat e shkuara – edhe Dreni është mishërim i atij tipi të shkujdesur njerëzish që edhe sikur t’i rastisë të kapë edhe milionat, as që do e vinte re se ku i është tretur deri edhe te leku i fundit. Fjala kursim sikur nuk ekziston fare në fjalorin e tij. Nuk është se Drenit nuk i pëlqejnë lekët, fundja edhe ai është veç njeri, por Dreni e di shumë mirë se lekët nuk mund të jenë kurrë një zëvendësim i denjë për kënaqësitë e vërteta në jetë, ato pak gjëra që na bëjnë njerëzorë, të vetmet që mund të na mbrojnë nga stresi me të cilën ky realiteti ynë na helmon nga pak çdo ditë.

Te Dreni, ajo që mua më lë shumë përshtypje është ndjenja e tij e mirënjohjes, diçka shumë atipike për shqiptarët e botës së artit dhe shou bizit. Askush nuk bëhet i njohur brenda natës dhe pakkush arrin ndonjë gjë pa pasur një ndihmë nga dikush, por pothuajse të gjithë sikur kanë dëshirë ta paraqesin veten si mundimtarë epikë që të gjitha i kanë arritur vetë. Por jo Dreni! Ai nuk e mohon ndihmën që i kanë dhënë në fillimet e veta dhe asnjëherë nuk harron të shprehë mirënjohje për të gjithë ata që janë bërë shtysë për ndonjë nga sukseset e tij. Nuk mund të ndodhë që me Drenin të flasësh për filmin Lets be Cops e ndërkaq ai të mos flasë me shumë mirënjohje për atë se si kolegia e tij, këngëtarja Inida Gjata Zhaku, është bërë sebep që kënga Natën, e kënduar dhe e shkruar nga Dreni, të mbërrijë deri në Hollywood.

Ndërkaq, kur ai rastis të jetë në Paris apo në ndonjë nga metropolet e vërteta të Evropës, Drenin nuk mund ta gjejmë në diskoteka mërgimtarësh, e as duke frekuentuar tërë kohën veç dyqanet e shtrenjta, ku mezi presin të bëjnë selfie të gjithë yjet tjera të kozmologjisë sonë periferike, por e gjejmë në muze e kafe-librari. Kjo nuk do të thotë se Dreni është njeri më i mirë, më i ngritur, se qenka njeri i thellë apo ndonjë nga kuptimet e para që na vinë në mendje, derisa mund të reflektojmë për këtë shprehi të tij. Jo, ai thjesht ka nevojë për një pikë qetësie shpirtërore, me shpresën se do të mund të gjejë diçka që mund ta bindë se trivialiteti i kësaj botës sonë të vogël të cilës edhe Dreni i takon, me të gjitha marrëzitë e veta jo të pakta, megjithatë është pjesë e një kuptimi më të epërm.

Nuk dua të flas për vlerën e muzikës që bën Dreni, sepse, në fund të fundit, shijet janë shumë subjektive, por megjithatë prania e tij në Jazz Sur Seine, pastaj në Fête de la Musique në Paris është një tregues i mjaftueshëm për atë se Dreni shkruan dhe këndon një lloj të muzikës që pos veshit fizik kërkon edhe veshin e shpirtit e të zemrës. Muzika e tij, sidomos atëherë kur këndon LIVE, pos që ngacmon veshin, ajo edhe troket në dyert e shpirtit Dhe këtë ai e di më së miri, prandaj sa herë që del në skenë, pak rëndësi ka nëse është në Prishtinë apo Paris, sa herë që këndon në një klub nate, qoftë në Tiranë apo në Bruksel, Dreni gjithnjë është i buzëqeshur, sikur tërë kohën është i mbushur me entuziazmin e këndshëm e të butë të dikujt që synon ta impresionojë veç njeriun e zemrës..

Ndjesë të gjitha atyre femrave që kanë pasur fatin të shijojnë diçka nga mishi e gjaku i Drenit, ndjesë atyre që ky privilegj mbase i pret në të ardhmen, ndjesë edhe për ato që gjatë fantazive më intime kanë personazh pikërisht Drenin, të gjitha ju, pavarësisht çdo dhuntie që ka mundur t’ua falë Zoti, gjithnjë do të jeni të dytat: Dren Abazi, orgazmën më të madhe e përjeton veç në skenë!

Dhe, për fatin tonë të mirë, kështu do të jetë edhe për shumë kohë!

(autori është shkrimtar, ky shënim është krejtësisht personal)