MetroChic

Të gdhihesh e dashuruar

9 Maj 2014

Të gdhihesh e dashuruar

Ndërkohë që Vadiku dhe Asaj së bashku me aureolën që i rrethon, zënë vend sa për 5 persona nën dritat e zbehta të restorantit, ja ku shfaqet shoku i Këpucës. Mendoj se duhet te jetë ai, jo vetëm për faktin që na përshëndet me dorë pa hyrë ende brenda, por edhe sepse ka të njëjtat përmasa me Këpucën. E mirë, tani të kuptohemi që unë nuk po flas për ato përmasat që mendoni ju. Ato lloj përmasash unë nuk i ndaj me askënd, përveç Vadikut i cili më detyroi, ose thënë më qartë, me dhunoi të drejtat intime duke më tundur shishen e ujit përpara fytyrës për t’i treguar se “Sa?”.

-  “Sa centimetra mi, ma trego pra!” Dhe fytyra e tij u rrudh sikur po shihte dikë të kafshonte limon, sapo dora ime u zgjat dhe rrëmbeu shishen e Coca-Cola-s Zero mbi tavolinë.

Shoku ishte jashtë standarteve shqiptare. Pa bark, me flokë të qethur bukur kacurrelë, ai na përshëndeti të tërëve njëherësh dhe u ul në krah të Asaj, e cila më shikon duke nënkuptuar: “Aaaa gjuha brenda, po ky qenka yll mi!”

Pjatat vinin e iknin dhe vera bënte të vetën. Ne linim nam me të qeshura në maksimum: Sa me batutat dhe historitë e Lolës e sa me batutat e Vadikut e të shokut të Këpucës.

Ai quhet Genc. Ka një unazë martese në gisht dhe dy sy që e shikojnë pjerrtazi asaj gjatë gjithë mbrëmjes. Gjithsesi, jam shumë e lumtur që çdo gjë shkoi mirë dhe që njerëzit më të dashur për mua mundën të hanë një darkë së bashku. U lumturova më shumë për faktin që Asaj nuk pati mundësi të fliste gjithë kohës e të na ngacmonte, sepse e gjithë vëmendja e saj kaloi tek Genci, që Vadiku nuk u zu me Lolën dhe që Këpuca nuk m’i ndau të puthurat gjatë gjithë kohës.

U ndamë me pllaquritje dhe shkëmbime numrash. Vadiku me Lolën morën taksi, ndërsa Genci i kërkoi Asaj që ta shoqëronte për në shtëpi. Epo ç’qënkan këta burrat e martuar! Papapa! Por ne bëmë sikur s’kuptuam. Mos të paragjykojmë përpara kohe.

Ashensori i ngushtë, i vetmi mjet për të arritur pa të dalë shkuma deri në apartamentin e Këpucës, nuk ma ka mbushur asnjëherë mendjen si një vend artistik, që mund të më zgjonte ndjenja kaq të zjarrta. Ishte faji i ashensorit të vogël, që unë iu hodha sipër Këpucës, ia zbërtheva këmishën duke ia këputur treçerekun e komçave. Mendimi që Asaj, mund të ishte duke puthur një të porsanjohur në makinë, më eksitonte më shumë se vetë Këpuca. Hymë në apartament, unë me fustanin e ngritur dhe gjoksin gati jashtë dhe ai me pantallona nëpër këmbë. Fatmirësisht, mosfunksionimi korrekt i ashensorëve dhe pamundësia për mirëmbajtje teknike, i bënte ata shumë të ngadaltë. Është fakti rëndësishëm ky për t ‘u theksuar, sepse nuk dua që askush të mendojë keq për Këpucën. Fjetëm të përqafuar, duke u zgjuar disa herë në ato pak orë që kishin mbetur nga nata, për t’u puthur e shtrënguar njëri-tjetrin më shumë.

Në mëngjes, Këpuca ishte zgjuar përpara meje. Erdhi dhe më puthi sytë.

- Po iki Aline. Pasdite nisem për në Itali dhe kthehem pasnesër. Duhet të mbyll disa dokumenta të cilat do t’i marr me vete.

U nis për nga dera dhe u kthye sërish. “Ke çelësin në tavolinë. Pasnesër dua të më presësh këtu. Sill ca gjëra nga të tuat se u torturove duke shkuar në shtëpi për t’u ndërruar.

Ai iku, ndërsa unë mbulova kokën me jorganin e butë. Era e tij kishte mbetur gjithandej. Prit!Si më tha? Të sillja disa nga gjërat e mia!? Kur t’i vi unë me tre valixhe dhe një kamion me këpucë që më pret poshtë, sa do t’i bjerë pishmanit ai! Por unë s’jam budallaqe. E dija përmendësh se çfarë do të sillja. Dy fustane dhe disa të brendshme ishin mjaftueshëm.

Ngrihem ngadalë dhe bëhem gati. Marr kafen tek lokali poshtë dhe i telefonoj Asaj. E kapi në zilen e parë. Kjo tregon që ajo po priste një telefonatë. Jo timen, sigurisht.

- “Çfarë ndodhi?” Nuk ishte e nevojshme t’i thoja ‘Mirëmëngjes’. Kuptoheshim në ajër.

- Asgjë. Më përcolli në shtëpi, shkëmbyem numrat. Pasi u ngjita lart më telefonoi. M’u lut për një kafe...

- Dhe?

- Dola. M’u duk pak fëminor si veprim, por s’kisha mundësi ta analizoja në orën 2 të natës. Ai po priste poshtë shtëpisë. Ndaluam në kafen e parë që gjetëm afër. Tani sapo jam futur në shtëpi. Jam e vdekur!

-  Keni ndenjur tetë orë duke folur?

- Po, vetëm kemi folur. Në fakt më shumë ka folur ai, unë kam dëgjuar.

- Sa mirë. Ku ta gjesh një burrë që ka kaq shumë gjëra për të të thënë. Po për çfarë fliste?

-Se di Aline, gjëra të përgjithshme. Më tregoi për jetën e vet, që kishte bërë shumë gabime, vendimmarrje të pamatura. Por s’di si t’i përcaktoj, sepse ne çdo vendim të gabuar të burrave e lidhim me gratë që ato kanë pasur, ndërkohë që thelbi nuk është aty. S’dua të kem keqkuptime.

Asaj kishte një zë të ndryshuar, të thellë, si të përzierë me tym duhani. Ia ndjeja aromën nëpërmjet telefonit. Ia shikoja sytë e skuqur, buzët e fryrë nga rëndesa dhe flokët e hedhura pas me bezdi. E njihja shoqen time. E dija që në momentet kur ndjente për një mashkull, nuk ishte e lumtur. Kishte një dëshirë të paparë për të masakruar veten, për t’i dhënë dhimbje çdo marrëdhënieje që ndërtonte. Po mendoja ta pyesja për atë unazën në gisht. Po si ta pyesja? Asaj ndihej e lënduar, po për çfarë? Që në 8 orë kafe nuk ishte puthur? Që Genci ishte i lënduar nga jeta e tij? Apo që ajo po humbte kohë me një njeri të lënduar?

- Po ti si ndjehesh? E pyes “ S’më dukesh mirë nga zëri.”

- Se di si ndjehem...Ti si mendon, pse s’më puthi?

E njëjta histori që përsëritej e përsëritej me të gjithë meshkujt e jetës së saj.

- Sepse mendoj që ai nuk ka guximin e duhur “ Jap edhe unë një nga përgjigjet që m’u duk më e arsyeshmja për momentin, ndërkohë që mund të jenë 100 arsye të tjera përse një djalë nuk të puth dhe ajo çfarë është e vërteta, që unë mendoj se është e vërteta: Genci mund ta pëlqejë shumë Asaj, prandaj nuk e kishte puthur.

- Dëgjo, i them, Këpuca niset sot për në Itali dhe kthehet pasnesër. Duro 48 orë, sepse do të kemi informacionin e duhur. Janë shumë shokë mesa më ka thënë dhe dy fjalë do ia thotë. Nuk mund të kalosh 8 orë me një femër se s’të pëlqen, Asaj!

- Por ai s’më tha asgjë se donte të më takonte përsëri.

- Në fakt, ke të drejtë. Se kur ndahesh me dikë në 9 të mëngjesit, duhet t’i thuash që do ta takosh shpejt, sepse s’ka kuptim. Pastaj, kaq shumë të ka pëlqyer, ti po flet sikur e ke të dashur.

- S’e di se përse u ndjeva kaq e afërt me të. Jam shumë e tërhequr pas tij, sa nuk e shoh dot në sy.

Asaj po i ndodh e njëjta gjë që mua më ndodhi me Këpucën.

-   Ky është luks. Ku t’i gjejmë këta azganë që të të tërheqin ty kaq shumë! Bëj durim se gjërat do të bëhen më mirë

-  Jo Aline! Kam fituar sa herë nuk kam duruar. Dhe këtë herë do të bëj të njëjtën gjë. Do t’i telefonoj pas nja tre orësh se nuk mund të duroj.

-  Ok, - i them. “Mos bëj asnjë telefonatë pa qënë unë aty.

Asaj duhet të shfryhej njëherë. Të fliste mirë e mirë për personazhin e rradhës me mua, që në momentin e telefonatës të mos kishte emocione. Ku mund t’i gjeja një nga ex-at e saj brenda mundësive, me të cilin të bënte seks, sa për të nxjerrë dufin? Eh, jo, s’na premtonte koha.

I mora Asaj një kafe. Shtëpia ishte komplet errësirë. S’po merrja vesh ku vija këmbën dhe ndjeja vetëm dorën e Asaj që më drejtonte.

-  Kur të kesh mundësi, hapi pak këto perdet” I them.  “Se do të zërë gjumi e s’do marr vesh je duke fjetur apo ke vdekur.

Qeshi nën buzë. U dystuam gjërë e gjatë në kolltukët e rehatshëm, me diellin që digjte pas perdeve të trasha.

- “Ai më ka shtrënguar dorën 9 orë rresht.” Asaj fliste sikur Genci larg qoftë, kishte vdekur. ”Dhe më tregoi çdo detaj të jetës së tij. Vetëm se në asnjë moment nuk foli për mua.”

O Zot, pika që s’i bie, çfarë meshkujsh! Të isha burrë unë do të më kishte ngrënë dheu, të rrija 9 orë në tavolinë me një femër si Asaj.

- Ai ka bërë atë që ka pasur nevojë. Ti je ajo që je privuar nga kjo gjë dhe e ke bërë me vetdije.

- Por unë doja ta blija, por më bëri keq kjo gjë, sepse e gjithë vëmendja kaloi tek ai. Ai fliste për veten dhe unë dëgjoja...dhe në pauzat që ai bënte, nuk ngopesha duke eparë dhe s’mund të flisja. Ka një gjë që më tërheq, por jo zëri. Nuk është zëri, por mënyra se si flet, si i rendit mendimet. Ai më jep shumë E.

- Shumë E? Çfarë janë këto?

- Energji. E për Energji.  O Zot, mania e saj për të shkurtuar fjalët dhe për t’i detyruar të tjerët ta pyesin me qindra herë. Kush e mbante mend fjalorin e ndërtuar nga Asaj.

Ndërkohë telefoni nuk i pushonte, e merrnin gjithë mikeshat, sepse ajo i kishte thënë edhe asaj edhe asaj edhe asaj tjetrës si gjithmonë. Dalëngadalë po afronte ora për të telefonuar Gencin. Dialogu i ndërtuar u hodh poshtë me qindra herë. Nuk ishte e nevojshme të kishte arsye përse kjo po e telefononte. Do ta ftonte direkt për drekë. Jo, jo, çfarë dreke!

- Këpuca më shkruan në ëhatsapp që do të jetë në Itali me Gencin. Ra mundësia për drekë. Mos i lër arsye të të thotë jo. Është vetëm fillimi dhe kjo i lëndon të dyja palët.

Asaj nuk e merrte parasysh që ai ishte i martuar. Në fund të fundit,s ‘ia kishte përmendur asnjëherë në 9 orët e jetëgjatësisë së marrëdhënies së tyre. Vendosëm ta merrnim thjesht “sa për t’i dëgjuar zërin dhe për t’i thënë rrugë të mbarë!” Jo, jo! Prit pak! Kjo gjë i tremb meshkujt. Nuk po guxoja t’i thoja që e mira do të ishte të mos e merrte fare. T’ia linte rradhën atij, kjo është loja ideale. Por nuk qe nevoja! Telefoni i Asaj bërtiste si i tërbuar: G-E-N-C-I  PO TË TELEFONON, GENCI PO TE TELEFONON!

U hodhëm përpjetë nga kolltuku sikur Genci të na kishte hyrë në dhomë! Asaj mbante telefonin në dorë duke parë ekranin që pulsonte me numrin dhe emrin e Gencit mbi të. Një sekondë, dy sekonda, tre sekonda dhe...

- Alo?