
- “Alo!” Zëri i Asaj ishte i brishte dhe qëndroi mbi buzë përpara se të kalonte në receptor. Asaj është mekur, duket si një zemër e madhe që rreh fort. I pulson balli, faqet, sytë. Rri e dëgjon, nuk flet dhe unë rri dhe pres.
- “Të puth!” Asaj mbyll telefonatën ndërkohë që unë jam akoma në pritje.
- “Ka diçka mes nesh Alinë. Dicka që është më shumë se tërheqje seksuale.”
- “Çfarë i the? Domethënë çfarë të tha se ti s’fole fare?”
- “Asgjë, më tregoi që po niset për në Itali dhe kthehet pasnesër, që ka erën e duarve të mia në duart e tij akoma.”
- “Jeni kapur për dore?” Fytyra ime dukej sikur sapo kisha marrë vesh që Asaj kishte bere seks oral pa u puthur.
- “Po, kemi ndenjur gjithë kohën të kapur nga duart.” Asaj psherëtin, duart i ka mbi buzë.
Është kaq bukur kur ndodhin gjëra të tilla. Sa shpesh ndodh që të mendojmë vetëm për personin dhe të dridhemi, pa menduar se kush është, çfarë bën e përralla të tjera. Ka kaq shumë konsum të shpejtë çdo gjë dhe çfarë mund t’i thoja unë Asaj? Mos e bëj këtë gjë me një burrë të martuar? Kush isha unë në fund të fundit që të paragjykoja ndjenjat e dy njerëzve të tjerë. Aq më tepër unë, me një të shkuar të ngarkuar për opinionin shqiptar. I hodha një batanije të lehtë krahëve dhe dola. Asaj i nevojiteshin disa orë të mira gjumë.
Kalova nxitimthi në shtëpi, mora raketën e tenisit, u ndërrova dhe u nisa për nga liqeni. Këpuca më kishte marrë shumë orë kohë dhe e kisha lënë tenisin pas dore.
Lë çantën në stol dhe futem në fushë. Streçet që kam veshur i kam të ngushta dhe barku më kërcen mbi to, por kam veshur bluzë të gjatë të paktën. Presori i tenisit është duke më pritur.
Ai është atje në anën tjetër të fushës, vigan, me këmbë të hapura gati për të pritur topat e mi. Dëshira më thoshte t’i bija me top në vendin delikat midis dy këmbëve që të mos kishte më takat të luante për sot dhe të shtroheshim në muhabet.
- “Hapi shpatullat!” Bërtiste Kuksiani nga ana tjetër e rrjetës. “Mbështille rraketën me gishta sikur po kap kyçin e një dore tjetër! Leviz!” Unë duke lëvizur isha me mendjen time, vrapoja me sa fuqi që kisha edhe pse nuk arrija të kapja asnjë top. Sa mire që tenisi është sport vetëm për dy veta se perfundimisht une lë nam. Jam komplet slow motion sot!
Kur më shohin ashtu të kompletuar me çantë, uniformë, mbajtëset e kyçeve, të gjunjëve, të flokëve jam e sigurtë që lë përshtypjen si “njëshi i tenisit”! (“Argumentoje”, do të thoshte Vadiku në këtë rast, sepse kur jep numra duhen dhe argumenta. Madje dhe Arbana kur bëhen nominimet në Big Brother kërkon argumenta!)
- “Ke kohë për kafe?” Unë me flokët si shtupë e rrasur pohoj me kokë. S’po mbushem dot me frymë dhe një kafe më duhej patjetër! Dhe unë kisha të drejtat e mia për të pirë kafe me një mashkull muskuloz pavarësisht se ishte trajneri im. Vë bast se ai ka këmbë më të madhe se Kepuca 46!
Kuksiani është një njeri shumë simpatik. Dialekti i mbetur e bënte interesante mënyrën se si argumentonte. S’e kisha pyetur se si një djale i rritur në Vaun e Dejës kishte perfunduar duke luajtur tenis kaq mirë. Ai është një nga instruktoret më të mirë në Tiranë dhe i prenotuar me kohë të plotë. Kishim kaq vite që njiheshim dhe që ruanim shoqëri, edhe pse unë në tenis nuk shkëlqeja. Në fillim premisat ishin shumë të larta, Kuksiani mendonte se mund të bëhesha një teniste shumë e mirë, por kur pa neglizhencat e mia, hoqi dorë dhe më shumë na shijonin kafet që ndanim me njëri tjetrin se sa loja.
Dhe ai si të gjithë ne kishte listën e tij por Lista për Kuksianin është e thjeshtë, përbehet vetëm nga një fjalë: Nana!
S’kishte debulesë më të madhe për të sesa nëna qe ai në gegërisht e thërret nan. Të gjitha bisedat ishin për Nanën. Nëse kishte pasur dhimbje kyçesh Nana apo nëse i kishte bërë Nana analizat e kolesterolit. Në këtë lloj teme unë sajohesha disi sepse nana ime që unë e quaja Ma, nuk të begeniste për kafe pasditeve sepse bënte palestër dhe shkonte çdo tre ditë në parukeri. Por, në këtë rast sigurisht që Ma-ja kishte shumë interesa të përbashkëta me Nanën dhe probleme sociale të njëjta biles.
Unë nuk isha çmendur t’i tregoja Kuksianit që unë kisha një Ma ndryshe nga Nana. Ndërkohë që Nana bëhej 500 copash për të mbajtur shtëpinë, për të rritur nipërit dhe mbesat, Ma-ja ime ia kishte kërcitur një udhëtimi në Itali tek shoqja e vet për një dhjetëditësh të mirë!
Vetëm se kishte dhe një ndryshim të madh ndërmjet Ma-së time dhe Nanës së Kuksianit. Ma-ja ishte martuar 19 vjeç pasi im atë e rrembeu (“përdhunoi”) me dashuri që ditën e parë duke e lënë me barrë, për t’u pasuar nga një martesë e gjatë dhe mëse e lumtur. Kaq është historia e Ma-së.
Nana, martohet 16 vjeç dhe pasi lind dy fëmijët e parë burri i arratiset dhe ajo kthehet tek prindërit. E martojnë në një fshat të humbur të Kukësit me vellain e një të dënuari politik me të cilin bën tre fëmijë të tjerë. Pas një semundje në gjak burri vdes dhe Nana si burrneshë me pesë kalamaj niset për në shtëpi, në një fshat akoma më të humbur të Tropojës. Duke pritur kamionat që vinin nga Vau i Dejës, me lot në sy dhe shami të zezë, Nana na takon burrin e tretë, Azganin, babain e Kuksianit dhe bën katër fëmijë me të. Doni më për Nanën? Kjo është historia që Kuksiani ma ka treguar me qindra herë pa ndryshuar as pikë dhe as presje dhe atij vetë ia ka treguar tezja duke miksuar pjesë nga filmat e atyre viteve.
Ndërsa unë rrufis kapuçinon dhe mendoj për Këpucën, Kuksiani më tregon se si punonte në Itali dhe Nana e merrte në telefon dhe qante për të, se mos ishte lodhur. Një mal me muskuj melankolikë. E çfarë mund të duash më shumë nga një mashkull?! Ai është i kompletuar, ka dhe Nanën që është gjithmonë e pranishme. Të duket sikur pi kafe me dy persona dhe nëse dikush më pyet, po, unë mendoj se e kam takuar Nanën. Aty për aty mendova mundësinë e një takimi të Kuksianit me Asaj! Do të ishte ide fantastike. Për momentin të dy i bashkon melankolia, Kuksianin melankolia e përherëshme për Nanën dhe Asaj për Gencin. Si mundet mos të kesh melankoli për Gencin! Ai është duke vuajtur në Itali pasi na ka lënë pa gjumë fare për arsyet më koti që mund të ekzistojnë.
- “Dëgjo, i them, pse nuk takohemi nga ora nëntë?” Kam lënë kafe me një shoqen time që ka interes të fillojë tenisin.
- “Jo, s’mujna! I kam të tana oraret e xanuna.”
- “Po mirë, dalim një herë për kafe se nuk u bë qameti. ti ke ndonjë plan për në darkë apo ...?”
- “Jo moj çfarë plani! Po ti del me njat shokun tand e s’po du me prish qef me than t’drejtën!”
Ups! Harrova problemin e madh që Kuksiani kishte me Vadikun. Disa herë qe Vadiku kishte ardhur tek fushat, loja kishte qenë shumë qefprishur.
- “A ban mos me ma sjell kyt homogjenin kur lujm?” Kishte qene më shumë urdhër se sa pyetje, dhe unë nuk e neglizhova. E evitoja Vadikun sa herë që kisha tenis”.
- “Vadiku nuk do të jetë, i them, është jashtë!” E bëra shuk Vadikun, e hodha jashtë kufijve, e zhduka fare për të mos lënë asnjë hije dyshimi.
- “A, mir pra, se ai kudondodhet! Dal n’Myslym Shyr m’del përpara, iki kah Zogu i Zi, prap m’del përpara! Tan diten rrugve e sheh!”
Rrokim duart dhe ndahemi, unë me rraketë në sup dhe Kuksiani me lidhëset e atleteve të zgjidhura.
Asaj ishte bërë si një fiongo. Kishte lëshuar flokët dhe fustani pas trupit i nxirrte në pah format e kolme. Sa herë që dilja me të ma merrte gjithë vëmëndjen, askush nuk më shikonte më mua.
- “Do të rritesh dhe ti Alinë, mos u bej merak. Do të vijë dhe dita jote qe të kesh sensualitetin e një 30 e kusur vjeçarje.” Unë e dija që Asaj ishte gati 40 vjeç, por ç’rëndësi ka në fund të fundit?!
E ulur ne kafe, me kokën e mënjanuar pak, nuk i linte rast askujt që kalonte aty pari që të mos kthente kokën për ta parë. Nuk lëviz nga vendi edhe kur unë i ulem përballë. Sytë i mban mbi celular.
- “Ç’bëhet , e pyes, pushove?”
- “Jo, e kisha të pamundur. Sa mirë bëre që më the për kafe, po më hante shtëpia.”
- “Do vijë dhe Kuksiani, ka një problem të vetin dhe i duhet pak ndihmë me disa kontakte. S’është problem besoj? Ti celularin do të shikosh gjithësesi, e ke ndarë mëndjen!”
Asaj pohoi me kokë, ndërkohë që as që më dëgjoi fare.
- “E kështu, kështu Genci!” I them! Ooop! Të gjitha shqisat drejtohen nga unë.
- “Ke folur me Këpucën, e poshtër, s’më ke treguar?”
- “Jo mi s’kam folur, mendova se ke folur ti me Gencin.”
- “Po jo mi s’më ka marrë, po pres.”
- “Asaj, mbase dhe nuk të merr. Ai ka shkuar për punë. Do të kthehet dhe këtu ke për ta pasur.”
Ndërkohë që Asaj po ushqehej me lekurat e thonjve, nje xhest shumë i shëmtuar por i pavetëdijshëm për të gjitha femrat në pritje të një telefonate, unë po mendoja që më iku jeta në bare dhe restorante. Në fakt, m’u bë dhe kohë që s’kam lexuar asnjë libër. Po librat e tjerë ku i kanë ngjarjet? Librat shqiptarë e kam fjalen dhe jo ato të gatimit. Shqiptarëve çdo gjë i ndodh në rrugë, në bar, ose te Liqeni! A kemi shtepi ne a s’kemi? Dëgjon pastaj që shpenzojnë lekë pa fund për ta mobiluar, “Ju lutem shumë, kuzhinën e dua 30 000 euro edhe pse s’do më bjeri rruga ndonjëherë se vij e vdekur nga puna e shkoj direkt në dhomë të gjumit, po ja qëlloi të bej ndonjë foto për në Instagram, si të më dali kuzhina pastaj në fotografi? Do thotë bota e paska bërë kuzhinen te Durimi! Se ne më mirë dimë çfarë bëjnë, ku e bejnë dhe si e bëjne të tjerët se sa çfarë bëjmë vetë!”
Kuksiani kishte veshur një Polo të kuqe, dhe pantallona të lehta ngjyrë mjalti. Thashë se më vdiq me parfumin Hermes që kishte hedhur edhe pse i rrinte shumë mirë.