
Yolanda Hadid, nëna e modeleve Bella dhe Gigi Hadid, zbuloi muaj më parë se vuan nga sëmundja e Lyme-t, një sëmundje e imunitetit që shkakton njolla të kuqe, dhimbje në kyçe dhe deri edhe meningjit. Gjithashtu rrëfeu se këtë sëmundje e kanë edhe dy fëmijët e saj, vajza e vogël Bella dhe djali Anwar.
Për fat të keq, edhe Gigi Hadid është diagnostikuar me një sëmundje të imunitetit, të vështirë për t’u mbajtur në kontroll.
Modelja rrëfeu për “Elle” se vuan nga sëmundja Hashimoto, që prek gjendrat tiroide. Gigi tha se vitet e fundit i ka kaluar në luftë me këtë sëmundje, por ajo i ka ndryshuar krejtësisht metabolizmin, duke i sjellë një rënie të konsiderueshme në peshë.
“Tashmë kanë kaluar dy vite që kur nisa kurën. Për sfilatën e Victoria’s Secret nuk doja të humbja më shumë peshë. Doja të kisha muskuj të tonifikuar, aq më tepër tek pjesa e vitheve.”
Dhe në fakt, gjatë vitit të fundit Gigi Hadid është dobësuar në mënyrë të dukshme. Nëse vjet ra pre e kritikave sepse kishte njerëz që e quanin “tepër të mbushur” për të sfiluar, këtë vit iu desh t’u kundërpërgjigjej atyre që thonin se “është dobësuar më tepër se ç’duhet”.
"E dua trupin tim prej atleteje që kur isha 17 vjeç dhe e dua trupin tim tani. Po, kam humbur ca "shëndet fëmijërie", por në të vërtetë, është thjesht muskulatura që kisha krijuar nga basketbolli që është kthyer në muskuj më të ngjeshur, nga boksi, dhe stresi i punës që ndikon, por nuk e kam pasur ndonjëherë për qëllim ta ndryshoj fizikun tim.", ishte përgjigja që ajo i ktheu në gusht një komentuesi.