I ftuar në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, si rrallëherë, kryeministri Rama ka treguar ditën e djeshme detaje nga jeta e tij personale. Në një rrëfim të gjatë për shtëpinë e tij në Surrel, marrëdhëniet me secilin nga djemtë dhe marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin, kryeministri i vendit doli jashtë kornizave politike brenda të cilave prisnim ta shihnim.
“Shtëpia ka një mur të gjatë, por meqenëse është shtëpia ime, dhe duke qenë se unë jam pak si ndryshe, jo vetëm nga gjatësia, fakti është që hapësirat e brendshme të jetueshme janë më të vogla sesa hapësirat e tjera të jetueshme dhe ka një oborr të brendshëm. Ka edhe një hapësirë tjetër, që është krejtësisht e papërdorur dhe që pret pikërisht kohën kur unë nuk do të jem më në këtë detyrë dhe do të kem mundësi të vazhdoj të merrem me…”, tha ai, ndërkohë që më tej shpjegoi idenë e veçantë në të cilën është bazuar shtëpia.
Si një ide e vetë Ramës, por që më pas u zhvillua nga ekspertët, shtëpia ka nisur e frymëzuar nga katër frutat në lëndinë. Vetë kryeministri e ka përshkruar duke rrëfyer se njëra pjesë është oborr, pra hyn në shtëpi, por në fakt, je përsëri jashtë. Më pas ka një pjesë ndenjjeje me 130-135 metra katrorë, ka dhe një pjesë gjumi me 3 ndarje, 3 dhoma, por e gjitha është 90 metra katrorë. Por, ajo që veçohet më shumë nga i gjithë modeli, është mungesa e një dritareje. Një zgjidhje e veçantë, që i shkon përshtat shpirtit artistik të z.Rama.