
Rafaela Rica është prej 18 vitesh në krye të një kompanie që e ka ngritur e vetme. Këtë e nuhat që kur hyn në zyrën e saj. Na priti me një thjeshtësi të natyrshme, nga ato që të bëjnë të ndihesh si në shtëpi. Rrotull, të gjithë punonin pa u shpërqëndruar.
Themeluesja dhe drejtuesja e një prej kompanive më të mëdha të marketingut dhe PR-it në vend na bindi se puna dhe këmbëngulja- dy klishetë më të mëdha të njerëzimit- nuk dështojnë kurrë. E veshur thjeshtë dhe shik, Rafaela nuk pretendon të jetë antikonformiste. Njerëzit kanë qenë mbështetja e saj më e madhe, ndaj miqtë që ka njohur përgjatë dy dekadave, i konsideron asetin më të çmuar.
“Përpiqem të jem sa më pozitive dhe të ndihmoj sa më shumë. Nuk jam natyrë konfliktuale apo antikonformiste, nuk prirem të shkoj kundër rrymës. Shoh punën time, përpiqem të bëj atë që di të bëj më mirë.” - thotë qetësisht.
Është e qetë, por jo e fjetur. Sepse, siç shpjegon, në biznes duhet t’i mbash sytë gjithmonë të hapur. Çdo detaj mund të sjellë një ide dhe çdo ide duhet çuar deri në fund, edhe pse më vonë mund të dështojë. Është kjo këshilla më e rëndësishme që do t’i jepte të rinjve që duan të ngrenë diçka tyren.
“Nuk ka se si të mos jesh i sukesshëm, kur nuk heq dorë. Sigurisht, jo të gjitha idetë funksionojnë, mund të provosh 100 ide, por njëra do të jetë e duhura. Dështimi nuk është diçka e keqe. Çdo humbje të hap një diapazon të ri. Bëje, provo, dështo dhe vazhdo të provosh. Askush nuk e ka pasur të lehtë, suksesi nuk arrihet për një ditë, as për një vit.”
Fundja, Rafaela vetë e nisi biznesin kur ishte fare e re. Familja e saj u shpërngul nga Rrësheni në Tiranë, ku menjëherë pasi mbaroi studimet, filloi të punonte në marketingun e një gazete. Por iu desh vetëm një vit që të kuptonte se donte të ishte e pavarur. Asgjë nuk qe e thjeshtë për të, aq më pak fillimi. Përfytyroni një vajzë 23-vjeçare, që ngjan edhe më e re se ç’është, që lufton të ngrejë diçka të madhe në një fushë fare të panjohur asokohe, marketingu.
18 vjet më vonë, Rafaela Rica ka një tjetër synim: do të bëjë një shpikje.
“Duhet të kesh gjithmonë qëllime të reja. Çdo vit kam synime të reja, gjëra që s’i kam bërë më parë. Asnjëherë nuk jam kënaqur me aq sa kisha bërë. Tani dua të bëj diçka krejt tjetër, dua të bëj një shpikje. Mund të duket qesharake për shumë njerëz, por jam e bindur që nuk ka asgjë që nuk bëhet, nëse e do dhe këmbëngul për ta arritur.”
Duket e thjeshtë e thënë në pak paragrafe, por derisa erdhi këtu, Rafaela rrëfen se ka përjetuar momente shumë të vështira. Madje thotë se, sikur ta kishte ditur sa shumë pengesa do të haste, nuk do ta kishte ndërmarrë. Ajo na tregoi në një intervistë për Anabel.al, ç’do të thotë të jesh një grua sipërmarrëse në një vend plot paragjykime si Shqipëria, edhe kur vetë je një shpirt i lirë.
Si lindi “Iceberg Communications”?
“E kam nisur biznesin kur isha 23 vjeçe. Ideja më lindi rastësisht në një takim pune me drejtuesin e njërës prej agjencive të pakta të marketingut asokohe. Punoja në marketingun e njërës prej gazetave më të lexuara atëherë. Pas këtij takimi po mendoja: “Pse të mos e bëj edhe unë atë që bën ai?”. E nisa bashkë me një shoqen time, por fillimi ishte shumë më i vështirë nga ç’e prisja. Në media ishte më e thjeshtë, sepse klientët afroheshin nga emri i gazetës. Kurse si agjenci e specializuar në marketing, u gjeta pa asnjë lloj mbështetjeje.”
Nuk kishe frikë në fillim?
“Isha shumë e re, në moshën kur nuk i mendon fare pengesat që do të dalin. Ke vetëm dëshirën e madhe për të pasur diçka tënden. E dija se doja të isha e pavarur dhe nga ana tjetër, do të vijoja të bëja atë që më pëlqente. Kur e mendoj tani, them se nuk e dija në ç’luftë po hyja. I bëja gjërat pa plan, pa llogaritje. Po ta dija se sa momente të vështira do të kaloja, nuk do ta kisha provuar. Por më mësuan shumë, sepse tani mund të përballoj gjithçka.”
A ta vështirëson punën fakti që je grua?
“Në fillim kam hasur shumë gjykime sepse isha vajzë e re, pa pompozitet, dukesha më e vogël se mosha që kisha, nuk u ngjallja besim. Prindërit e mi kanë qenë mbështetja ime më e madhe përgjatë gjithë këtyre viteve, por asokohe ishin kundër vendimit tim. Babai im, edhe pse shumë i zoti, në pozicione shumë të mira pune, e shikonte me shumë skepticizëm. Donte të kisha një punë të thjeshtë, sepse e ardhmja ime si grua në biznes, i dukej e pasigurtë.”
Mban mend momente kur ke dashur të heqësh dorë?
“Mbaj mend momente kur do të kisha hequr dorë, po të mos kisha kaq shumë këmbëngulje. Kam kaluar vërtet probleme shumë të mëdha financiare, netë kur zgjohesha që në 5 sepse më duhej të merrja vendime, të gjeja zgjidhje. Janë momente vendimtare këto për një sipërmarrës, sepse duhet të bësh çmos që ta mbash premtimin që i ke dhënë vetes, pa u dalë fjale të tjerëve. Kam bërë të pamundurën që të tregohem korrekte me të gjithë.
Mendoj se kjo më ka sjellë këtu ku jam, sepse nuk kam hequr dorë kurrë dhe jam përpjekur maksimalisht që të tregohem e përpiktë me punonjësit, me partnerët. Kam punuar shumë fort. Asgjë nuk të vlen lehtë, aq më pak kur nuk vjen nga një familje që i ka “krahët e ngrohta”, apo kur nuk ke disa të ardhura menjanë. Është vetëm puna, me shumë lodhje, ajo që të jep besimin e klientëve, si dhe paratë për ta çuar biznesin më tej.”
Një rast konkret kur ke ndier se dështove...
“Mbaj mend që shumë vite më parë, arrita të sillja një DJ të njohur nga Gjermania, ishte ndër DJ-t e parë që vinin në Shqipëri. Na kushtoi shumë para ta sillnim në Shqipëri, rreth 6 mijë euro, që për kohën ishin shumë. Por në momentet e fundit, përpara eventit, patëm një problem me policinë. Nuk e di për ç’arsye i shpërndau të gjithë njerëzit dhe eventi dështoi. Kujtoj që pata humbje të mëdha financiare. Ka qenë vërtet një moment i keq, për dy ditë nuk doja të dilja nga shtëpia, mbase ka qenë një ndër momentet më vulnerabël për mua. Por më vonë kam qenë shumë e qetë, mësova t'i pranoj humbjet me qetësi, edhe pse mund të kenë qenë më të mëdha.”
Cili është mësimi më i madh që ke marrë për biznesin?
“Mbi të gjitha, kam mësuar se biznesi duhet marrë me shumë sportivitet. Siç pranon suksesin, njësoj duhet të pranosh edhe humbjen. Tani jam ndonjëherë më e ftohtë se ç’do të duhej, saqë ndonjëherë edhe stafi habitet. Është një punë që nuk kërkon emocion; një ditë mund të kapësh dy kontrata të mëdha, të nesërmen mund të mos firmosësh asnjë.”
A duhet të tregohesh “shefe” që puna të bëhet siç duhet?
“Shiko, unë jam natyrë shumë e thjeshtë, nuk dua të kem atë imazhin e rëndë të shefit. Sigurisht, kam autoritet absolut në aspektin profesional. Besoj se di të ruaj barazpeshën mes shefes dhe shoqes. Por kam edhe fatin të punoj me njerëz që i dinë kufijtë, ku mbaron shoqëria e ku fillon puna. Duhet të jetë reciproke. Kemi pasur projekte shumë të rëndësishme, dhe prapë natën para kemi dalë të pijmë deri vonë. Por, në mëngjes, të gjithë ishim këtu në 8.”
Këmbëngulja dhe puna e palodhur janë baza për një sipërmarrje. Por kompania jote ka të bëjë drejtpërdrejtë me komunikimin, me njerëzit. Cili ka qenë avantazhi yt në këtë aspekt?
“Kam përshtypjen se jam një njeri shumë i shoqërueshëm, ekstroverte, dhe besoj se ky ka qenë një avantazh i madh. Krijoj shpejt shoqëri, them se shumë klientë që i kam sot, janë falë marrëdhënieve që kam krijuar krejt natyrshëm, pa asnjë lloj interesi. Para shumë vitesh, njihja shumë pak njerëz, kurse tani kam shumë miq me të cilët kemi edhe marrëdhënie pune. Përpos biznesit, ajo që nuk paguhet me para është një rrjet të njohurish, që e di se janë aty në çdo moment, për punë por edhe më shumë, sepse marrëdhëniet nuk i kam parë asnjëherë ngushtë, vetëm për punë.”
Përveç punës, argëtohesh?
“Ndër gjithë këto vite biznes nuk i kam lënë asnjëherë udhëtimet, për punë apo për pushime. Për mua s’ka vlerë të mbledh para e të blej një shtëpi pak më të mirë; më pëlqen t’i shpenzoj paratë për të ndjekur pasionet e mia.
Më pëlqen shumë sporti dhe jam marrë me sporte të ndryshme. Bëj vrap, ecje, së fundmi kam nisur joga dhe palestër. Herë pas here bëj snow boarding, ngjitje në mal, dhe, para shumë vitesh, fluturime me parashutë.”
Të kanë gjykuar sepse je grua? Ke dëgjuar thashetheme për veten?
“Pa diskutim. Në fillim është pak e vështirë, kërkon t’i shkosh të drejtës deri në fund. Pastaj e kupton se njerëzit gjithmonë do të flasin. Veçanërisht kur je grua në biznes në Shqipëri, sidomos në periudhën kur e nisa unë, paragjykohesh sepse njerëzit janë disi mosbesues karshi një gruaje që i bën gjërat vetë. Kam dëgjuar lloj-lloj historish qesharake, që kam njerëz që më japin dorë, që njoh deputetë, por në të vërtetë e vetmja marrëdhënie që kam me çdo biznes apo parti është thjesht përmes shërbimeve që ofron kompania, dhe atyre u duhen. Nuk kam bërë asnjë turp, vetëm kam punuar.”
Je ngacmuar seksualisht nga njerëz me të cilët kishe marrëdhënie pune?
“Nuk kam pse ta mohoj, por jo në masën sa të më krijojë shqetësim. Fatkeqësisht, mendoj se shumica e grave janë ngacmuar seksualisht, qoftë si punonjëse, qoftë si drejtuese. Por mendoj se funksionon si në të gjitha marrëdhëniet e tjera, duhet ta menaxhosh dhe ta drejtosh në rrugën e duhur. Mund të kujtoj raste kur personi që kisha përballë nuk kishte aspak etikë, por përgjithësisht besoj se duke i bërë të qarta qëllimet që ke, mund të vijosh pa e ndikuar marrëdhënien profesionale.”
Virginia Woolf thotë se artisti për të qenë artist i mirëfilltë nuk duhet të ketë gjini. Po sipërmarrësi?
“E njëjta gjë edhe në sipërmarrje. Pavarësisht gjinisë, ti je aty për të bërë një punë, dhe puna duhet të bëhet me cilësi, qofsh burrë apo grua. Mendoj se e vetmja gjë që ndryshon është se gruaja është pak më detajiste, ka një prekje tjetër, është më e vëmendshme, aq më tepër në profesionin tim. Nuk ka të bëjë fare gjinia, edhe pse në vendet si Shqipëria barazia gjinore ka shumë problematika.”
Për çfarë po punon tani? Para? Ndonjë projekt të rëndësishëm?
“Nuk kam punuar ndonjëherë për para. Natyrisht kam vënë pasurinë time, por më besoni kur them se nuk ka asgjë që të përmbush më tepër sesa të rrethohesh nga njerëz që besojnë tek ti. Nëse më parë në fillimviti listoja synime si psh. një shtëpi më e madhe apo një kontratë e rëndësishme, tani shënoj: “të kem kaq apo aq punonjës”. Tani kam një synim tjetër në jetë: po punoj për të ngritur diçka të një niveli tjetër, që të ofrojë mundësi për sa më shumë njerëz. Njerëzit janë vlera më e çmuar që të mbetet.”
