Anabel Gruaja

Lili Ismaili, gruaja që e ktheu bukurinë në sipërmarrje

22 Shkurt 2017

Lili Ismaili, gruaja që e ktheu bukurinë në sipërmarrje
Photo by Endrit Mertiri

Një grua në krye të një salloni bukurie mund të duket si gjëja më e natyrshme në botë. Por Lili Ismaili, drejtuese e një prej qendrave më të mëdha të bukurisë në vend, e thotë me bindje se në këtë profesion që niset nga pasioni, nuk mbijeton dot pa patur ambicie prej sipërmarrësi.

Çdo vendim dhe hap për biznesin e saj ka qenë i mirëmenduar, pa u mjaftuar asnjëherë me aq sa kishte. Ndryshimi mund të jetë i vështirë, por Lili Ismaili kuptoi se nëse do të ecësh përpara, duhet të ndërmarrësh rrisqe.

Në këtë intervistë për Anabel.al, rrëfen sesi e nisi nga dashuria për bukurinë, që sot gratë shqiptare, mes tyre edhe personazhe të njohura për publikun, ia besojnë asaj.

1.  Kur dhe si nisi e gjitha?

Besoj se gjithçka ka nisur që në fëmijërinë e hershme. Gjithmonë më kanë përshkruar si një fëmijë energjik dhe plot ngjyra. Dëshira dhe kurioziteti për të parë dhe prekur të bukurën, kërkesa për të zbuluar botën që më rrethonte dhe ambicia për të arritur gjithmonë e më shumë... Mbaj mend një verë në Elbasan, qytetin tim të lindjes, kur në pushimet verore të shkollës së mesme, ndërkohë që bashkëmoshataret e mia ishin në plazh, unë rendja duke zbukuruar deri 7 nuse në ditë. Kështu filloi pasioni dhe përkushtimi ndaj të bukurës, i cili më shoqëroi gjithmonë.

2.  Puna me gratë: e thjeshtë apo e vështirë?

Të punosh me gratë është bukur. Të jesh një grua që i fal kënaqësi grave është akoma dhe më bukur. Femra, me gjithë kompleksitetin dhe vështirësitë e saj, mbetet në fund gjithmonë e ëmbël, e brishtë, e adhurueshme.

3. Po të jesh grua në krye të biznesit?

Mendoj se biznesi në Shqipëri ka vështirësitë e veta, të cilat në rastin e një gruaje, komplikohen akoma dhe më shumë, duke pasur parasysh prezencën e pamohueshme të shoqërisë patriarkale. Megjithatë, me gjithë pengesat dhe pasiguritë që mund të ketë pozicioni i një biznesmeneje në Shqipëri, më duhet të pranoj dhe se jam e lumtur që jam një e tillë. Mbi të gjitha, më gëzon ideja se një ditë një femër shqiptare do të frymëzohet nga historitë tona dhe kështu të fuqizohet për të arritur gjithçka ajo meriton.

4.  Çfarë ke sakrifikuar për të qenë këtu ku je?

E them me bindje se puna është esenca e jetës. Të punosh, mbi të gjitha të bësh diçka që e dashuron, do të thotë të kesh një jetë të përmbushur dhe kuptimplotë. Nga ana tjetër, shumë shpesh mbetet e vështirë arritja e një ekuilibri mes punës dhe aspekteve të tjera të jetës. Kur diçka bëhet me pasion dhe dedikim, përkushtimi mund të kthehet në një obsesion që shndërron aspektet e tjera të jetës. Në rastin tim, jam munduar gjithmonë të mbaj një barazpeshë mes karrierës dhe jetës si nënë e dy fëmijëve, si një bashkëshorte dhe mbi të gjitha, si një femër. Sakrificat kanë qenë të mëdha, por mendoj se kam arritur të fitoj respektin e njerëzve që më rrethojnë dhe që i dua.

5.  Ka shumë kurse parukerie e make up-i. Përveç kësaj, informacioni po shpërndahet masivisht në internet. Duket sikur kush të dojë mund të bëhet parukier e grimier. Çfarë mendon se të mban ende të fortë në këtë treg?

Mendoj se përvoja që merr nga vitet e punës është gjithçka në një profesion. Biznesi që drejtoj është hapur që në 1991-in, duke shënuar kështu hapjen e njërit prej bizneseve të para në Tiranë me ardhjen e demokracisë. Me kalimin e viteve unë jam rritur profesionalisht, por mbi të gjitha, “Lili Beauty Center” ka arritur një status të vetin të veçantë. Kemi krijuar një perandori, koncepti i së cilës bazohet në themele të forta. Thjeshtësia dhe e bukura për mua duhet të ecin krah njëra-tjetrës, dhe kjo është diçka e cila më ka karakterizuar gjithmonë. Janë këto koncepte që më japin sigurinë për të vazhduar dhe për të besuar se do të vijnë gjithnjë gjëra më të bukura.

Lili Ismaili, gruaja që e ktheu bukurinë në sipërmarrje
Elia Zaharia, prezantuesja e 'Këngës Magjike 2017', me grimin dhe flokët kuruar nga Lili Ismaili

6.  Nëse nuk do të ishe në këtë profesion, çfarë do të ishe duke bërë?

Padyshim diçka që lidhet me artin, s’ka rëndësi se çfarë. Që në vegjëli kam pikturuar, kërcyer, kënduar. Kam qenë gjithmonë e dashuruar me të bukurën dhe nuk e mendoj dot veten kurrë duke bërë diçka që nuk ka lidhje me të.

7. Kur je grua duket e thjeshtë dhe e bukur të ngresh një biznes bukurie. Por, në fund të ditës, a është thjesht një biznes si gjithë të tjerët?

Mendoj se biznesi i bukurisë, pavarësisht gjithe sfumaturave artistike që i vishen, mbetet një biznes si gjithë të tjerët. Ka nevojë për përkujdesje dhe studim si çdo biznes tjetër dhe vështirësitë nuk mungojnë: kjo është e sigurt. Megjithatë, me dedikimin e duhur, mund të arrihet pa dyshim një binjakëzim shumë i mirë i të dyjave.

8. Na fol pak për ulje-ngritjet e biznesit. Cili ka qenë momenti më i vështirë për ty?

Momentet më të vështira për mua kanë qenë ndryshimet. Edhe pse çdo lëvizje ka qenë e matur dhe e kujdesshme, mbetet për t’u theksuar rëndësia e një ndryshimi dhe impakti që ky ndryshim ka në tërësinë e biznesit.

Me kalimin e viteve, biznesi im është shndërruar gjithmonë; në fillim janë ndryshuar strukturat brenda parukerisë, duke bërë zgjerime dhe profilizime brenda sektorit. Më vonë janë shtuar asete të tjera, në fillim me sallonin e fustaneve të nusërisë “Lili Sposa”, dhe më vonë me strukturën aktuale, e cila është një qendër e mirëfillte spa. Pavarësisht vështirësive që këto ndryshime kanë sjellë, rezultati ka qenë përgjithësisht pozitiv. Shumë shpesh, kur kthej kokën pas, qoftë për nostalgji ose për të mësuar diçka nga e shkuara, emocionohen kur mendoj sa rrugë kam bërë.

9. Një këshillë si prej shoqeje për të rinjtë që duan të ndërtojnë diçka të tyren...

Këshilla ime më e sinqertë, me të cilën kam rritur dhe fëmijët e mi, është: “Puno”. Edukata e punës duhet të jetë pjese e pandarë e jetës tënde. Puna është ajo që i jep kuptim gjithçkaje dhe me punë arrihet çdo gjë.

Genta Hodo
Gazetare