
Këngëtarja e njohur britanike Lily Allen mbylli Twitter-in e saj pas një serie talljesh pas vdekjes tragjike të djalit të saj.
Gjithçka nisi kur ajo postoi disa statuse ku kritikonte paragjykimet për emigrantët dhe muslimanët. Disa përdorues të Twitter-it iu hakërryen keq për këtë, duke e goditur aty ku i dhemb më shumë: tek humbja e fëmijës kur ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
Fillimisht, ata iu kundërpërgjigjën duke i thënë se ka probleme mendore, të cilave Allen iu përgjigj:
“Unë kam probleme mendore. Jam bipolare, vuaj depresionin pas lindjes dhe stresin post-traumatik; le të jetë i pavlerë mendimi im.”
Pas kësaj përgjigjeje të drejtëpërdrejtë, një tjetër përdorues i Twitter-it iu sul duke ironizuar se ajo po bën viktimën: “A mund të të pyes, si përfundove me stres post-traumatik?”
Edhe këtij, Lily iu përgjigj publikisht duke i shkruar: “Kur dergjesha në shtratin e një spitali me djalin tim të pajetë mes këmbëve të mia gati për të dalë, për dhjetë orë.”
Edhe pas këtij rrëfimi rrënqethës mbi vdekjen e të birit, që ndodhi dy vite më parë, Lily Allen mori një përgjigje të pamëshirshme, plot mosbesim.
“Po thua se një spital britanik të la “me një bebe të vdekur në mes të këmbëve” për dhjetë orë?! Gënjeshtare!”
Por më i rëndë akoma ishte një koment tjetër, që e fajësonte atë për vdekjen e të birit, pa e ditur se nuk bëhej fjalë për një abort por për një vdekje nga komplikacionet gjatë lindjes.
“Ndoshta sikur të mos e kishe helmuar trupin tënd me drogë, nuk do të kishe abortuar.”
E megjithatë, Lily iu përgjigj:
“Nuk abortova spontanisht, hyra për të lindur para kohe dhe im bir u mbyt nga kordoni që i ishte lidhur në qafë.”
Pas gjithë këtyre, këngëtarja njoftoi dje se do të mbyllë llogarinë e saj në Twitter.