Shumë njerëz e njohin Ornela Muçajn nga blogu i saj në Instagram. Por fashionista me mbi 8 mijë ndjekës ose, siç i pëlqen ta quajnë, nëna e Aurës, nuk është vetëm kjo. Prej 20 vitesh, bashkë me të shoqin drejton një prej studiove më të mëdha të arkitekturës në vend.
E nisën dhe e krijuan bashkë me një grup të rinjsh me ëndrra të mëdha, dhe ia dolën. Ornela dhe bashkëshorti, Jurgen Memisha, nuk kanë hequr asnjëherë dorë nga puna në grup që, siç thotë, i ka sjellë deri këtu.
“Flas me “ne” sepse e gjithë kjo është meritë e punës në grup, dhe vazhdojmë të punojmë si grup. Puna këtu nuk mban emrin e Ornelës, Jurgenit, apo kujtdo tjetër. X-i i “X-Studios” është kushdo që ka dhënë një kontribut, sado i vogël qoftë.”
Që sapo e takon, mund ta ndjesh energjinë që e shoqëron pastaj gjatë gjithë bashkëbisedimit. E pyetëm për shumë gjëra, që nga biznesi e deri tek familja, dhe për të gjitha na u përgjigj me të njëjtin ngazëllim.
Na tregoi se udhëtimet i dashuron, se veshja është një prej pasioneve më të mëdha që ka, por çdo bisedë e çonte, dashur pa dashur, tek arkitektura. Ia ka përkushtuar jetën asaj, duke punuar me orë të zgjatura që kur ishte fare e re dhe kështu vijon edhe sot, sepse siç thotë, ëndrrat e hershme nuk i ka shterruar, thjesht janë bërë më të mëdha.
“Dua të vazhdoj të punoj. Ëndrra ime është që të bëhemi ndërkombëtarë. Tashmë kemi punuar për disa projekte jashtë vendit; në Londër, Zvicër, Gjermani dhe disa vende të tjera. Janë projekte të vogla, por kur e mendoj them se, nga projektet e vogla mbërritëm tek të mëdhatë.”
Por edhe sikur të mos kishte pasur mbështetjen e gjithë atyre që kanë punuar me të përgjatë gjithë këtyre viteve, Ornela nuk do të kishte hequr dorë. Sepse beson se ëndrrat e mëdha në mos realizohen, do të çojnë patjetër diku.
“Do t’ia kisha dalë patjetër. Punën e adhuroj, kam punuar që shumë e re. Por s’mund ta lë pa përmendur se kam pasur gjithmonë me një mbështetje të madhe nga ana e grupit.
Unë vetë kam një natyrë që i çoj gjërat deri në fund, dhe do ta kisha gjetur patjetër një mënyrë për të arritur diku. Kam ëndrra të mëdha, dhe jam shumë e vendosur që t’i arrij. Mund të dështoj, por njeriu dështon dhe fiton shumë nga çdo dështim. Arrij t’i kaloj gjërat dhe nuk trembem, sepse mendoj se po të jesh këmbëngulëse diçka do ta arrish. Por më duhet të them se një pjesë e mirë është edhe fati.”
Megjithatë, tre vitet e fundit kanë qenë më të rëndësishmet për Ornelën. Është bërë nëna e një vajze që thotë se ishte fryt i një dëshire të madhe për t’u bërë prindër, duke menduar gjithmonë pozitivisht. Ndaj edhe e quajtën Aura.
“Aura do të thotë paqe, pozitivitet, mirësi. Kështu ishte për ne ardhja në jetë e Aurës.”
Në këtë intervistë për Anabel.al, Ornela Muça na tregoi më gjatë si është jeta e saj si grua në drejtim të një kompanie, si arkitekte, si nënë, dhe cilat kanë qenë momentet e saj të vështira.
Si nisi “X-Studios”?
“Filloi kur ne ishin studentë. Ishim një grup me pasion të madh për inxhinierinë, projektimin, arkitekturën. Punonim part time pas shkolle në zyra të ndryshme arkitekture, dhe asokohe kishim shumë projekte: ishin fillimvitet ‘2000, kur në Shqipëri pati një bum ndërtimesh; befas filluan të ndërtoheshin shumë pallate.
Kjo përvojë na dha shumë; mësuam programet kompjuterike të kohës. Fitonim edhe ca para, dhe kjo na motivoi. Na lindi dëshira për të pasur diçka tonën, për të sjellë diçka të re, me dëshirën për të lënë gjurmë në botën e arkitekturës, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Frymëzoheshim shumë nga arkitektët e huaj, fillimisht nga librat e më pas nga interneti, që nisi të përhapej shumë.
Krijuam klientët tanë, dhe hapëm një zyrë arkitekture. Unë ndërkohë punoja edhe në një zyrë tjetër, por mbrëmjeve pas punës shkoja tek zyra jonë dhe punoja me projektet tona të vogla. Më vonë, na besuan projektin e një pallati të madh në Dajt, i cili me ndihmën edhe të një arkitekti me shumë përvojë, doli një projekt shumë i suksesshëm, që na dha shumë vetëbesim dhe një shtysë të fuqishme. Dhe ja ku jemi sot.”
Gjatë këtyre viteve, ka pasur ndonjë moment të vështirë, dështim?
“Dështime të vogla ka gjithë kohës. Mund të kontaktosh me 3-4 klientë çdo javë, ka raste kur mund të mbyllësh kontrata me të gjithë, ka raste vetëm me 2, ndonjëherë vetëm 1. Por nga secili mëson shumë.
Nëse do të më duhej të përmendja një moment të vështirë, mund të kujtoj periudhën 2015-2016. Kemi pasur një staf që punonte me ne prej mbi dhjetë vitesh. Gjatë një periudhe 1-vjeçare patëm shumë lëvizje; disa njerëz me të cilët ishim rritur bashkë profesionalisht, u larguan.
Kjo ishte shumë e frikshme në momentin e parë, sepse dyshon për atë çfarë do të ndodhë më pas. E përjetova shumë, sepse nuk e prisja. Por për fatin tim të mirë, rezultoi pozitive. Lexova diku se “ndryshimi është gjëja më e mirë që mund të ndodhë në një biznes”, edhe pse fillimisht mund të jetë i hidhur. Por erdhën njerëz të rinj shumë të motivuar, që e njihnin arkitekturën tonë dhe u bënë shumë shpejt pjesë e jona. Mora një mësim shumë të mirë: se ndryshimi nuk është edhe aq i keq.”
Si i ruan marrëdhëniet me njerëzit që punojnë këtu? Je “shefe” apo “shoqe-shefe”?
“Mund të them: “më duan shumë, i dua shumë”, por di të them edhe se të tregohesh “shef” herë pas here nuk është diçka e keqe, pasi tregon se je një njeri që do të arrijë diku. Sado që të mundohem unë apo dikush tjetër të tregohet i kuptueshëm, ta vërë veten në vendin e tjetrit, kur je drejtuese e një grupi njerëzish ke njëfarë përgjegjësie, ndaj je e detyruar ta ngresh zërin. Të mos harrojmë se edhe ty ta ngre zërin dikush tjetër, ndaj të duhet t’i shtysh të tjerët të punojnë që të arrihet rezultati.
Unë nuk kam një tavolinë më vete; ulem bashkë me të tjerët si e barabartë, por pavarësisht gjithë kësaj, drejtuesi do s’do ka situata kur duhet t’u tërheqë veshin të tjerëve. Ai që drejton, është “i keqi” gjithmonë. Sepse është shumë e rëndësishme të mos e ngatërrosh pjesën e punës me shoqërinë.”
Po me Aurën, e ngre zërin?
“Me vajzën jo (qesh). Tani jo. Më vonë nuk e di. Por kur bën gjëra që cënojnë shëndetin e saj, natyrisht që ia ngre pakëz zërin. Siç këshillojnë edhe pediatrët, deri në tre vjeç, duke qenë se është ende duke kuptuar çfarë dënohet e çfarë jo, ne ia bëjmë dënimin në formë loje, sepse dua që ta kuptojë kur diçka është e gabuar. I them: “Shko tek muri” me të qeshur, edhe ajo qesh. Mirëpo tani e ka kuptuar dhe më thotë edhe mua: “Mami këtë e bëre gabim, shko tek muri”. (qesh)
Kjo vjen në radhë; edhe unë bëj gabime dhe më tërheqin vëmendjen, kështu që besoj se duhet ta kuptojë edhe ajo ç’është dënimi. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që me kalimin e kohës të bëhet e zonja e vetes. Unë kam punuar që e vogël, kam bërë shumë lloje punësh, ndaj dua që edhe fëmija im të mësohet me edukatën e punës, të mos ketë turp nga puna sepse puna të sjell pavarësinë ekonomike. Nëse ke pavarësinë ekonomike, ke gjithçka.”
E ke arritur pavarësinë ekonomike?
“Biznesi ynë ka kaluar disa stade, dhe funksionon mirë me projektet që kemi pasur dhe kemi në duar. Por sidoqoftë, situata në Shqipëri është e vështirë për nga pjesa ekonomike. Mund të ngecë në pjesën e pagesave që mezi i merr, por natyrisht duhet të jesh e kuptueshme në këtë pikë sepse ka klientë me të cilët bashkëpunon vazhdimisht. Por me tregun që kemi këtu sot, është e vështirë të krijosh pavarësi ekonomike. Çdo fund muaji, kur arrij të paguaj gjithë detyrimet marr frymë thellë e lehtësuar: “Ia dola edhe këtë muaj!”. Synimi im është të arrij njëfarë sigurie ekonomike, jo të bëhem e pasur.”
Çfarë të gëzon më shumë nga puna në zyrë?
“Kam investuar shumë tek stafi, sepse është shumë e rëndësishme që njerëzit të arrish t’i mbash. I merr nga shkolla, u jep përvojë, por duhet gjetur një formulë që t’i kesh në krah sa më gjatë. Shpesh si një mënyrë motivimi udhëtojmë bashkë me stafin jashtë vendit. Sa herë arrijmë një projekt të rëndësishëm, e kemi si traditë një udhëtim, si shpërblim për punën e palodhur dhe dëshirën për t’ia dalë bashkë.
Eci gjithmonë me atë frymën që jemi “ne”, dhe ka njerëz që prej vitesh kanë treguar besnikëri e të cilëve unë ua di shumë për nder, dhe janë treguar shumë mirënjohës, çka unë e vlerësoj mbi gjithçka.”
Të pëlqen shumë të udhëtosh, apo jo? E gjen kohën të udhëtosh, apo të argëtohesh?
“Kam s’kam kohë, e gjej kohën të udhëtoj. Punojmë shumë, me orë të tëra çdo ditë. Punojmë me pasion, me atë klishenë që është shumë e vërtetë: “nëse bën atë që dashuron, nuk do të punosh asnjë ditë të vetme.” Unë vij çdo ditë me qejf në punë. Megjithatë, kam edhe dëshira të tjera, veçanërisht udhëtimet që për mua janë si ajri! Është pasioni i dytë i madh i imi.
Udhëtimet janë pjesë shumë e rëndësishme e punës. Bëjmë herë pas here udhëtime si ekip, që të shikojmë arkitekturën klasike e moderne nëpër botë, për t’u frymëzuar për ide të reja. Por edhe familjarisht udhëtojmë sa herë e gjejmë kohën. Sa për argëtimin, mundohem ta gjej kohën që një herë në javë të dal në ndonjë club.”
Po sportet, të pëlqejnë?
“Nuk jam fare natyrë sportive. I adhuroj njerëzit që bëjnë palestër! E ndjej si mungesë dhe dua që të merrem edhe me palestër, por nuk po gjej vullnetin dhe as kohën e duhur. Dua të kaloj kohë me time bijë, të rri sa më shumë me të. Më ndodh të punoj deri vonë dhe ta gjej në gjumë. Dua të jem sa më e pranishme në rritjen e saj, ndaj disa gjëra i kam lënë menjanë.”
Nga blogu yt në Instagram shumë njerëz të identifikojnë si “arkitektja fashionista”. Sa kohë i kushton veshjes?
“Më është dashur të heq dorë nga disa gjëra që kur linda vajzën, por mundohem ta gjej kohën të kujdesem për veshjen. Unë dhe im shoq kemi një parim, që vajza duhet të rritet me shumë përkujdesje, por edhe ne duhet të jetojmë. Më pëlqen shumë fashion-i. Veshjet i blej zakonisht online, por ndonjëherë blej edhe kur udhëtoj jashtë vendit. Më pëlqen shumë Milano, sepse mund të gjesh veshje me çmim shumë të mirë. Nuk e kam mundësinë për t’i blerë gjërat në momentin që dalin, por përpiqem të blej gjëra që i qëndrojnë kohës.”
Ka ndryshuar stili yt që kur je bërë nënë?
“Para se të bëhesha nënë, isha më shumë tek klasikja, tek mëndafshi, stil pak më lozonjar, gjithmonë pak të gjera duke qenë se vij pak e mbushur. Vishja gjithmonë taka. Por tani kam ndryshuar krejtësisht, sepse më duhet të lëviz për të parë objektet. Me taka është shumë e lodhshme. Mos më shiko sot, se i kam të sheshtat atje (qesh). Kur pres njerëz në zyrë mbaj taka. Pas pune marr vajzën, e çoj tek lodrat. Nuk kam kohë të ndërrohem, ndaj të sheshtat i mbaj gjithmonë me vete. Tani kam një stil më të rehatshëm, përpiqem t’i gjej edhe të bukura, edhe të rehatshme.”
Si grua, je ndier ndonjëherë e gjykuar në marrëdhënie pune?
“Mund të thoja “jo”, sepse personalisht kam qenë në njëfarë mënyre e mbrojtur nga kjo pjesë duke qenë se klientëve u prezantohemi gjithmonë si grup arkitektësh. Pra nuk e kam ndier. Por e shoh tek mikeshat e mia që janë në biznes se ka një lloj paragjykimi ndaj të qenit grua, edhe pse mund të mos jetë shumë i theksuar.
Por si grua, duhet të kesh një forcë të madhe që t’i shpërfillësh këto gjëra, të vazhdosh me pikësynimin që ke. Besoj se sido që të të trajtojnë, nëse i ke idetë e qarta, këmbëngul dhe punon pa u lodhur, nuk mund të të ndalojnë të shkosh aty ku do.”
