Pas thuajse një viti lidhjeje, zërat se së shpejti do të ketë një dasmë tjetër mbretërore, po shtohen gjithnjë e më shumë. Lidhja e princit Harry dhe aktores Meghan Markle ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve që presin me padurim të shohin qoftë edhe një foto të vetme të çiftit, i cili deri më tani, është munduar të jetë sa më diskret. Por, gjasat që Markle të bëhet pjesë e familjes mbretërore, duket se janë vërtet të larta dhe jo më kot.
Ylli i serialit “Suits” sapo ka siguruar ftesën në dasmën e Pippa Middleton-it, motrës së Kate Middleton-it dhe ky është një hap vërtet i madh, duke qenë se ajo dhe Harry as nuk janë fejuar ende (megjithatë Markle nuk do të jetë pjesë e ceremonisë në kishë, duke qenë se nuk ka ende një unazë në gisht). Qysh tani e publiku ka marrë si të mirëqenë faktin që Meghan mund të jetë vërtet princesha e ardhshme e Pallatit Kensington. Por çfarë e bën bukuroshen amerikane që të jetë “e duhura” për rolin e princeshës (ndonëse teknikisht titulli i saj do të jetë dukeshë).
Së pari, imazhi i saj i pastër. Divorci i saj nga ish-bashkëshorti Tom Engelson nuk është ekzaktësisht një gjë e mirë kur bëhet fjalë për familjen mbretërore, por rregullat kanë ndryshuar dhe sot lejohet që një anëtar i familjes mbretëore të martohet me një person të divorcuar.

Ashtu si princi Charles me Camilla-n, edhe Harry-t do t’i duhet që të kërkojë lejen e gjyshes së tij, mbretëreshës Elizabeth për t’u martuar me Meghan Markle. Por, përveç martesës së përfunduar në 2013, ajo nuk është përfshirë kurrë në skandale dhe ka një imazh perfekt publik.
Së dyti, pamja. Ashtu si princesha Diana apo Kate Middleton, edhe Markle ka një portret princeshe. Buzëqeshje rrëzëllitëse, fytyrë të pastër, grim natyral, flokë të kuruar me të cilët nuk bën eksperimente të çuditshme, si dhe pa ndërhyrje estetike (të paktën jo shumë të dukshme). Përsa i përket stili të të veshurit, Meghan po shkon gjithnjë e më shumë drejt look-ut klasik dhe këtu mund të ketë gisht edhe ekipi që kuron pamjen e Kate Middleton-it.
Ndonëse nuk ka treguar kurrë një pamje vulgare apo të tepruar, Markle së fundi po zgjedh gjithnjë e më tepër fustane deri tek gjunjët dhe prerje femërore. Megjithatë, shpresojmë që mbretëresha të mos jetë drastikisht kundër xhaketave të lëkurës, sepse kjo vajzë di si t’i mbajë!
Së treti, karriera dhe jeta sociale. Ndonëse me profesion aktore, ashtu si Grace Kelly, Meghan Markle ka ditur të qëndrojë larg skenave që do ta bënin atë të papërshtatshme për familjen mbretërore. Roli i saj në “Suits” është ai i një avokateje të ardhshme që lufton për të ngjitur shkallët e karrierës dhe të qartësojë çështjet e zemrës.
Gjatë gjithë serialit ajo ka pasur vetëm 2-3 skena erotike, ku për më tepër, nuk është ekspozuar kurrë më shumë se ç’duhet. Ndërsa përsa i përket jetës sociale, Markle padyshim që di me kë rri. Nuk është dëgjuar ndonjëherë që një vajzë e thjeshtë të ketë takuar një princ në një club nate dhe të jetë martuar më pas me të. Ose edhe nëse ka ndodhur, me siguri s’do ta dimë kurrë! Gjithçka funksionon në rrethe shoqërore të një niveli të caktuar. Për shembull: Kate dhe William u takuan kur të dy ndiqnin studimet në universitetin St. Andrews. Ndërsa Meghan dhe Harry, janë prezantuar falë stilistes Misha Nonoo, bashkëshortja e një prej miqve të vjetër të Harry-t, i cili ishte i ftuar në dasmën e Kate dhe William dhe vëllai i të cilit ka qenë i dashuri i Pippa Middleton për një kohë të gjatë. Sakaq, Markle është e prerë për të qenë princeshë, edhe falë punës humanitare.
Ajo është ambasadore e Kombeve të Bashkuara dhe është vlerësuar me një çmim nga revista Vanity Fair për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pasi ka vizituar vende në nevojë si Ruanda dhe India.
Me skenar apo jo, Meghan po që ka ditur t'i luajë mirë letrat e saj!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.