Në fotografinë e mësipërmë shfaqen sipas radhës ish-presidentët francezë: François Hollande, Nicolas Sarkozy, Jacques Chirac dhe François Mitterrand. Ajo u përdor për reklamë nga një kompani vendase, që u jep mundësinë njerëzve të martuar të njihen me partnerë jashtë martese. Fotografia shoqërohej me pyetjen: “Çfarë kanë të përbashkët?” dhe përgjigjia ishte: “Ata të gjithë kanë tradhtuar!”
Tradhtia midis francezëve është kaq e zakonshme, sa kur në vitin 2007 u publikua libri “I huaj në Elize”, i cili zbulonte tradhtitë e Jacques Chirac-ut, shkruan të gjitha mediat përveç atyre franceze. Njërëzve u interesonte politika e tij ndërkombëtare, marrëdhënia e tij me liderët afrikanë dhe arabë, qëndrimi i tij kundrejt antisemitizmit, pra thuajse çdo gjë që nuk kishte të bënte më jetën private të presidentit.
Chirac nuk është i vetmi. Historia franceze ka treguar se tradhtitë nisin që kur perandori Napoleon, edhe pse i martuar me Josephine-n, nuk hiqte dorë nga të dashurat e shumta. Në vitin 1807, martesa nisi të shkatërrohej kur ai ra në dashuri me polaken Maria, pas pushtimit të Polonisë, me të cilën pati dhe një fëmijë.

Në 1899-n, Felix Faure pësoi atak kardiak gjatë momentit kur e dashura po kryente seks oral në zyrën e tij në Elysee. Gati një shekull më vonë, 1970 fronin e “tradhtarit të Elysee-së” e mori Giscard d'Estaing, ndërsa dhjetë vite më vonë, zbulohet historia e François Mitterrand. Kur Miterrand-in e pyetën rreth vajzës që kishte nga marrëdhënia jashtëmartesore, ai tha: “Edhe çfarë?” Bashkëshortja e tij, Danielle, duhej të përballej me detajet e familjes së dytë të publikuara pas vdekjes së presidentit në vitin 1996.

Historia vazhdon me Chirac-un dhe lidhjet e shumëfishta romantike nga të cilat dyshohej se kishte dhe një vajzë. Por, pavarësisht problemeve në çift, gruaja e tij “zyrtare”, Bernadette Chirac, nuk dukej se e vriste shumë mendjen. Ajo i qëndroi në krah gjatë gjithë periudhës që ishte president.

Në vitin 2007, zyrën e mori Nicolas Sarkozy. Ai hyri në skenën presidenciale i martuar me Cecilia Ciganer-Albeniz-in, por doli i martuar me këngëtaren dhe modelen Carla Bruni, me të cilën kishte patur një marrëdhënie jashtëmartesore. Përjashtim nuk ka bërë as pasardhësi i tij, Francois Hollande. Madje ky i fundit shkaktoi një tragji-komedi kur u fotografua i maskuar teksa shkonte të takonte të dashurën aktore Julie Gayet. Nga ana tjetër, kur lajmi arriti deri tek bashkëshortja Valérie Massonneau, ajo u shtrua në spital për shkak të situatës së rënduar psikologjike. Më vonë në një libër biografik, Valerie e quante ish-presidentin “një gënjeshtar dhe manipulator i tmerrshëm”.

Akoma dhe më interesante bëhet historia tashmë që u njohëm me të shkuarën e atij që, me shumë shanse, premton të jetë presidenti i ardhshëm i Francës. Macron është i martuar me mësuesen 25 vite më të madhe, një detaj që ndoshta në vendin tonë do kishte shkaktuar tërmet, por që francezëve thjesht nuk u intereson!
Por, përse janë kaq moskokëçarës? Sepse sipas tyre, të tradhtosh gruan nuk do të thotë të tradhtosh vendin. Në Francë të gjithë tradhtojnë. Edhe gratë, por ato kanë ditur ta fshehin më mirë. Sepse për ta, me sa duket, në fund të ditës, është vërtet dashuria ajo që ka rëndësi. Kjo duhet të jetë French amour-i që kemi lexuar në libra!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.