Ditën e djeshme, dy partitë kryesore në vend dorëzuan pranë KQZ-së listën e plotë të kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit. Në listat e kandidatëve të të dyja partive, ai që bie në sy është numri i madh i të rinjve. Vajza dhe djem që përballen me njëri-tjetrin në 12 qarqe të vendit e që me shumë mundësi do të zënë disa nga vendet e deputetëve të ardhshëm.
Në fakt, prej vitesh shqiptarë e kishin kërkuar një gjë të tillë. Një “rifreskim” i Parlamentit, ku kasta e vjetër e politikëbërësve të zëvendësohej nga politikanë të rinj, plot energji dhe më një tjetër filozofi drejtimi. Të dyja partitë duket se këtë herë kanë zgjedhur këtë strategji për të treguar se të rinjve në vend po u jepet vëmendja dhe mbështetja e kërkuar. Por, teksa u hedhim një sy listave dhe bëjmë një kërkim për disa prej kandidatëve, lind pyetja: A ishte kjo që po kërkonim?
Shumica e kandidatëve të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve mbush listën e LSI-së, sapo kanë mbaruar studimet universitare. Disa prej tyre kanë nisur nivelin master të studimeve, ndërsa të tjerë kanë preferuar që të bëjnë një shkëputje për t’u angazhuar politikisht.
Kështu që le të imagjinojmë për një moment, sikur në një realitet utopik ata të gjithë të fitonin. Do na duhej që vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, t’i linim në dorën e tyre. A jemi ne gati?Sepse pavarësisht dëshirës së tyre të mirë për të ndryshuar botën, ata kanë të gjithë një gjë tjetër të përbashkët: u mungon eksperienca dhe formimi që kërkon kohë për t'u kultivuar! Megjithatë ku i dihet: Mes entuziasmit politik që vlon kampingjeve ne Jalë, mund të na dalë edhe një "Macron" që mund të drejtojë vendin më mirë se "profesorët" e tij/saj.











Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.