Ngado që hedh sytë këto ditë, të duket vetja sikur je rrethuar nga filozofë: Si të mos mjaftojnë ata që e mbajnë mjekrën për fe, ka dalë edhe një grupim tjetër meshkujsh që s’po ua gjejmë hundën e buzët të fshehura nën një kaçube leshi.
Nuk është se janë nga ata që ecin me Manifeston e Marksit rrugëve dhe predikojnë një shtet egalitar.
As nuk iu duhet ta fërkojnë nëse po mendojnë shumë thellë për teorinë darviniane.
As nuk janë nga ata që sapo kanë dalë nga burgimi si Konti Monte Kristos.
Mjekra e gjatë dhe e dendur mesa duket është trendi më i ri dhe që ka marrë bekimin e çunave të Bllokut. Kombinuar me një palë syze dielli dhe këta meshkuj mendojnë se ndihen shumë misteriozë, të egër dhe mjaft seriozë. Ok! Janë të lirë të bëjnë ç’të duan, por sinqerisht, nëse e kanë kuptuar që këtë botë dhe krevatin e ndajnë kryesisht me femra, duhet edhe të na dëgjojnë çfarë kemi për t’u thënë, pastaj të vendosin vetë.
Sipas një studimi botuar në “Psychology Today” (31 Korrik 2016) meshkujt mendojnë se një mjekër i bën më të pjekur, më të aftë seksualisht, më agresivë dhe më “burrërorë”
Por çfarë mendojmë vërtetë në gocat?
Mjekra është e bezdisshme në momente intime
Nuk është se fantazia jonë femërore është të puthim një tufë me lesh, për më tepër që ai lesh shpesh na acaron fytyrën dhe nëse na dalin puçrra të vogla në mjekër, kuptojeni se është faji juaj. Momentalisht po ju kujtojmë vetëm puthjen në buzë, për të mos folur pastaj për mjekrën tuaj në zona të tjera të trupit tonë.
Rruajeni mjekrën ju lutem, se një ditë do ta gjeni veten si në foton e mëposhtme:
Një burrë i rruar ose me pak fare qime është një burrë i pastër dhe tërheqës
Edhe nëse e keni shtëpinë tuaj në një laborator, sërish një mjekër e dendur, nuk e di përse na jep përshtypjen që brenda atyre qimeve fshihet ndonjë fije shkrepse, biletë eurolloto apo edhe ndonjë celular i dytë, që e përdorni kur nuk na keni afër. Me gjithë këtë pluhur që ka Tirana, nuk na duket aspak joshëse që fytyra juaj të barazohet me kryqëzimin e 21-dhjetorit për nga dendësia e papastërtisë.
Nuk është mjekra ajo që të rrit në moshë, por truri.
Nëse keni frikë se po e hoqët mjekrën do të dukeni si Di Caprio tek “Titanic-u” na besoni që ne pjekurinë tuaj nuk e kemi matur kurrë me gjatësinë e qimeve në fytyrë. Pjekuria është në zgjedhjet që ti i dashur djalë bën në jetë dhe në sjelljen që tregon ndaj të tjerëve, neve përfshirë.
Shikoni presidentin e ri të Francës, Macron! Është vetëm 38 vjeç, ka një fytyrë të butë e shumë të rruar dhe prapë ka marrë në dorë drejtimin e ekonomisë së dytë të Europës.
Nga ana tjetër, ju keni një kryetar Bashkie 38 vjeç si Erion Veliaj, që maksimumi ka ndenjur dy ditë pa u rruar, por pëlqejeni apo jo, ja ka dalë të drejtojë qytetin më të madh në Shqipëri me briskun me vete!
Agresiviteti që përçoni nuk është ajo që na duhet ne femrave në Shqipëri.
Nuk është se janë shembull i mirë, por të paktën besoj e keni të qartë, që shumica e “të fortëve” të Shqipërisë që tani ajrosen tek 313-a i bënë zgjedhjet e tyre pa mjekër. Studimet kanë treguar se me mjekër, ju meshkujt keni dëshirë të përçoni një pamje më agresive. Por ndaj kujt? Sepse sherri më i madh që mund të keni pasditeve në Bllok është me lypësat që ju bezdisin në tavolina. Kurse përsa i përket neve vajzave, ju lutem! Gjëja e fundit që kemi nevojë në këtë vend tmerrësisht agresiv nga natyra, është që edhe ju të na shfaqeni të tillë. “Xhentëlmenë” ku jeni!?
Mendoni se mjekra ju bën më seriozë dhe inteligjentë. Seriozisht?
Po natyrisht, se keni parë shumë filozofë e shkrimtarë me mjekër në Wikipedia (për ata që marrin mundimin të lexojnë), por duhet ta dini se kur përmenden arritjet e tyre, nuk shkruhet kurrë : “Galileo falë mjekrës së tij, arriti të zbulonte 4 satelitët e Jupiterit.”
Në fakt, do të bëni mirë të shihni kur flasin “seriozët dhe inteligjentët” e hip-hopit që mbajnë mjekër dhe që shumë prej jush i imitojnë. Na telefononi, kur ata të arrijnë të mbarojnë një fjali të vetme, nëpër intervista!
Nëse mendon se me mjekër je dominant mbi femrën, atëherë je seksist!
Të rroftë anglishtja dhe mokasinit pa çorape, por po mendove ashtu siç studimet sugjerojnë, që mjekra e dendur të bën më dominues ndaj ne femrave, atëherë je tipik mashkull “provincial”. Meshkujt e sigurt janë ata që ndërtojnë raporte të barabarta me femrat dhe i trajtojnë si partnere, si shoqe dhe jo si “vegël” apo të kërkojnë t’i nënshtrojnë.
Nëse mjekra është trend, dimë dhe ne si të ri-krijojmë një trend "francez".
E keni të lehtë duke fërkuar mjekrën tuaj, që të gjykoni vajzat e padepiluara. Por e dini ccfarë? Të jemi të sinqerta, do të na vinte shumë mbarë që disa muaj në vit, të mos "e rruanim" dhe ne ccdo zonë të trupit, se fundja më pak dhimbje për ne. Si thoni, e bëjmë një trend? Gati jemi!
Dhe në fund, le të flasin vetë fotot e personazheve më burrërore në historinë e kinemasë. Ata që ju njihni dhe (ndoshta fshehtas) i adhuroni.
1: Maksimumi i mjekrës së Maksimus, Akilit, Thori-t është aq sa mund të arrijë qimja, kur nuk ke kohë të rruhesh në mëngjes, sepse duhet të ndeshësh një ushtri romake a të luftosh grekët!
2. Nëse s’e identifikoni veten me çunin e Zeusit, ja ku keni dy heronjtë e “Fast and Furious” që i bëjnë rrugët të duken si pista e Monakos.
3. Keni pastaj burrat që të tërë ua kishin frikën dhe senatorët. A shihni ndonjë padrino me mjekër?
4. Madje edhe tek filmi i famshëm “Scarface”, Toni Montana i merr të gjitha vendimet (çuditërisht) pa mjekër dhe burrat e adhurojnë.
5. Po James Bond, spiuni më i famshëm i të gjitha kohërave, si ka mundësi që s’përdori asnjëherë mjekër me syze dielli për t’u fshehur? Përkundrazi, gjithmonë i rruar dhe i qethur dhe sërish tepër i zoti.
6. De Niros i duhej të administronte një kazino, ca shokë të pabesë dhe një grua të droguar dhe në asnjë moment nuk e kapi stresi apo dëshira për t’u burrëruar më shumë nëpërmjet mjekrës tek “Casino” apo tek "Goodfellas"
7. Të mos flasim për Denzel Washington tek “Man on Fire”. (Burri në zjarr) . Imagjinoni ta kalonte atë zjarrin me mjekër. Do të mbyllej filmi përpara kohe!
8. Po Rocky i shkretë që u ndesh vit pas viti, si s’la njëherë mjekër për t’i treguar botës që ai është “ma i forti!”
9. Harruat Bruce Willis që e lanë të zhveshur në mes të Harlemit tek “Die Hard” me shkrime raciste në trup dhe prapë ja doli. Ia doli dhe u rruajt!
10. Dhe e mbyllim me këtë mashkullin që ju se kuptuat se përse e duan femrat kaq shumë, si Di Caprio. Ai luan mashtruesin, milionerin e vetmuar, romantikun apo arrogantin. Dhe në të gjitha rolet, nuk mban asnjëherë mjekër dhe nuk është se na duket fëmijë.
11. Ua prit, se s’keni faj. Qenka një hero me mjekër. Ja Tom Hanks tek “Castaëay” paska mjekër si tuajën!
12. Jo prit, se harruam që ai ngeli në një ishull të shkretë për shumë kohë dhe e kishte të pamundur ta rruante mjekrën me arra kokosi. Por shikoni në fund të filmit kur rikthehet në qytetërim. I larë dhe i rruar. E lexuat mirë? Qytetërim! Aty ku ju ndani hapësirën me ne femrat!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.