Anabel Dossier

‘Balena Blu’ nis nga Facebook-u: Ç'duhet të bëni për t’i ruajtur fëmijët

8 Qershor 2017

‘Balena Blu’ nis nga Facebook-u: Ç'duhet të

Dje, lajmi se një fëmijë i 9-vjeçares ishte kontaktuar nga Balena Blu alarmoi shumë shqiptarë. Sfida e rrezikshme që lidhet me vdekjen e 120 fëmijëve në Rusi dhe rasteve të tjera në Itali, Britani dhe shtete të tjera të Evropës, është kthyer në shqetësimin kryesor të prindërve, të cilët po përpiqen t’i mbajnë fëmijët e tyre larg internetit.

Ndërsa kanë të drejtë të zgjedhin që, më mirë fëmija të mos jetë në asnjë rrjet social sesa të vihet në rrezik jeta e tij, për të mos ushtruar presion dhe për të mos e izoluar atë nga aspektet pozitive të internetit, prindërit mund ta orientojnë fëmijën dhe ta mbrojnë nga të panjohurit që mund të përpiqen të komunikojnë me të.

Asgjë më e rëndësishme se komunikimi! Fëmija juaj mund të përpiqet t’ju fshehë çfarë po ndodh, por përmes disa pyetjeve të tërthorta dhe disa këshillave bazë, mund të kuptoni dhe ta bëni të kuptojë.

Pyeteni me qetësi se çfarë sajtesh përdor online

Nëse kalon shumë kohë në Facebook, sigurohuni që e bën për t’u argëtuar. Nëse ju thotë se po komunikon me një shok/ shoqe, mundohuni të mësoni se kush është, pa e bërë të ndihet i kontrolluar. Është ndër të paktat raste kur privatësia duhet shkelur. Kuratorët e “Balenës Blu” kontaktojnë me fëmijët përmes rrjeteve sociale, ku pasi i kanë bërë të përfshihen në sfidat e rrezikshme, i mbajnë nën kontroll duke i kërcënuar të mos tregojnë. Prandaj ju takon ju të hetoni nëse sjelljet e tij në internet janë ato të zakonshmet.

Shpjegojini se Facebook-u është për të komunikuar me shokët, jo për të dhënë adresën e shtëpisë, numrin e telefonit apo emrin e shkollës

Sigurohuni që privatësia e tij në Facebook dhe rrjete të tjera sociale të jetë në nivelet më të larta. Nëse është i vogël dhe ende nuk e kupton mirë Facebook-un, tregojini se është e domosdoshme që t’i ketë të mbyllura këto të dhëna, si edhe fotot. Nëse është “mjeshtër” Facebook-u, thojini t’ju “mësojë” të mbyllni të dhënat tuaja dhe ndërkohë, shpjegojini përse keni vendosur t’i pengoni njerëzit që s’ju njohin të shikojnë të dhënat tuaja.

Nëse ju thotë diçka që ju duket e dyshimtë, ruani qetësinë

Nëse fëmija kupton se po përpiqeni ta kontrolloni, sigurisht që do të trembet dhe do të tërhiqet. Mund të jetë e vështirë, por nëse doni të mësoni më shumë duhet të hiqeni sikur s’ka ndodhur asgjë. Krijojini lirinë të flasë hapur pa patur frikë, si me një mik. Nëse përsëri ndjeni se po ju fsheh diçka, kërkoni ndihmën e një të afërmi të moshës së tij. Disa viktima të “Balenës Blu” janë shpëtuar nga bashkëmoshatarët, sepse fëmijët ndihen më të lirshëm të flasin me ta.

Ftojini miqtë e tyre në shtëpi, për të parë si ndërveprojnë

Zakonisht, viktimat e Balenës Blu e ndjekin sfidën në grup, duke nxitur njëri-tjetrin dhe madje, duke u vënë në konkurrencë nga kuratorët. Nëse keni vënë re sjellje të dyshimta të grupit me të cilët shoqërohet fëmija juaj, ftojini në shtëpi dhe shikojeni me sytë tuaj çfarë bëjnë. Jepuni telefonin tuaj për të hyrë në internet ose shikoni historikun në kompjuter. Nëse kanë hyrë për të parë video të frikshme, që janë një pjesë e madhe e sfidave të kësaj loje, mund të kërkoni të hetoni më shumë.

Ky artikull ndërthur disa këshilla të marra nga “Deutsche Welle” dhe sajti “Primary Times” mbi kujdesin që duhet të tregojmë për fëmijët në internet, pas përhapjes së Balenës Blu.