Astro Fun

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton nesër

24 Qershor 2017

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton

Jo se thoni që horoskopi s’është për t’u besuar: Ja që Susan Miller, astrologia më e dashur e lexuesve të Anabel.al, i paska rënë në të për ca gjëra! E kemi fjalën për shenjat e Bashës, Ramës dhe Ilir Metës, që u ka dalë parashikimi i muajve të shkuar kështu që, si supersticiozë që jemi, po i hedhim një sy horoskopit të këtij muaji se s’i dihet: ndoshta i ka rënë në të edhe për zgjedhjet.

Ç’nuk ka ndodhur në politikën shqiptare në muajt përpara zgjedhjeve. Në prill Meta u bë president sa hap e mbyll sytë. Ndërkohë, Basha ngriti çadrën e famshme dhe pas tre muajsh, arriti marrëveshje me Ramën. Pak para zgjedhjeve, PS dhe LSI prishën koalicionin në mënyrë, siç tha Rama, të pakthyeshme madje as pas zgjedhjeve.

Pas gjithë katrahurës, Rama dhe Meta janë shprehur njëherësh pozitivë për një koalicion të partive të tyre me partinë e drejtuar nga Basha. Kanë qenë muajt e Bashës dhe për këtë s’ka dyshim: e ka thënë dhe horoskopi. Ja çfarë shkruan Susan Miller në horoskopin e muajit qershor për shenjën e Binjakëve, që është shenja e Lulzim Bashës:

“Keni qenë në një pozicion për t’u pasur zili gjatë majit, sepse Marsi ishte në shenjën tuaj, duke ju dhënë gjithë vëmendjen e një personi të rëndësishëm. Ky avantazh do të marrë fund deri më 4 qershor, kur Marsi do të kalojë në shenjën e Gaforres.”

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton

Marsi i plotfuqishëm bekoi këtë muaj me prezencën e vet shenjën e Gaforres, shenjën e kryeministrit Rama dhe për astrologjinë kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme që sjell vetëm të mira, si në karrierë ashtu edhe në dashuri. Ja çfarë shkruan Susan Miller për gjasat e Gaforres këtë muaj:

“Ky muaj do t’ju sjellë diçka që s’e keni patur prej kohësh: kontrollin mbi ngjarjet. Marsi, heroi i aksionit, do dy vjet për të bërë një rrotullim të plotë rreth Diellit dhe tani do të vendoset në shenjën e Gaforres në javën e parë të qershorit. Koha jote ka ardhur! Tani do të merrni fronin duke u bërë lider i çdo grupi! Në mos kjo, do t’ju aprovohet një projekt dhe do të miratohet edhe buxheti, duke marrë mbështetjen e njerëzve të rëndësishëm. Do të jeni të sigurt për atë çfarë vleni, ndaj jo vetëm do të keni sukses në karrierë, por edhe në jetën personale. Ta dish që të gjithë e duan Marsin në shenjën e vet por vetëm ju, Gaforre, e keni këtë privilegj, nga 4 qershori deri më 20 korrik.”

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton

Megjithatë, sipas Susan Miller, Gaforrja do të ndikojë drejtpërdrejt në shenjën e Binjakëve dhe gjejeni pak? Do t’ia mbushë xhepat plot! Ja një tjetër pjesë e shkëputur nga horoskopi i Binjakëve për muajin qershor 2017:

“Hëna e re e 23 qershorit në shenjën e Gaforres do t’ju ndihmojë në këtë mision. Është hëna më e mirë e vitit për Binjakët për rritjen e të ardhurave. Nëse jeni të vetëpunësuar, do të shikoni më shumë fitime. Nëse jeni të punësuar, kërkoni me çdo kusht rritje rroge menjëherë pas 23 qershorit. Në këtë kohë planeti juaj sundues, Mërkuri, do të jetë zhvendosur në shtëpinë tuaj të financave, bashkë me Marsin aktiv, hënën e re dhe Diellin. Plot energji nga kozmosi për të bërë lekë!”

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton

Po për Metën? Ilir Meta është i shenjës së Dashit dhe sipas Susan Miller, ky është muaji më i mirë për këtë shenjë pas muajve të fundit, që kanë qenë plot skepticizëm. Përshembull: Bëri mirë Meta që pranoi të bëhej president? Ç’rëndësi ka! Tashmë s’ka më analiza, ka vetëm lumturi.

“Qershori do t’ju sjellë lumturi. Marsi, prilli dhe maji ju kthyen vëmendjen tek vendimet e fundit që kishit marrë. Tani mbaroi koha e analizave, dhe do të mund të shikoni gjithçka me optimizëm.”, shkruan Susan Miller në parashikimin e muajit qershor për shenjën e Dashit.

Ky muaj ka qenë sipas Susan Miller, muaji i sprovës për partneritetet e çdo lloji, qoftë në dashuri, ashtu edhe në biznes. Kundërvënia më 15 qershor e Diellit me Saturnin, planetin e sprovave, ka bërë që gjatë mesit të qershorit të testohen partneritetet e të gjitha shenjave, duke ndarë çifte e duke shkëputur marrëdhënie. Pra mund të themi lirisht se ia ka qëlluar, duke patur parasysh ndarjen e beftë Rama-Meta që shpërtheu në akuzat e rënda për njëri-tjetrin në intervistat respektive të 22 qershorit.

“Ritmi i shpejtë do të vijojë edhe për ca ditë, por jo përpara 15 qershorit, ditë kur Dielli dhe Saturni do të vendosen përballë njëri-tjetrit. Mes 8 dhe 17 qershorit nuk është aspak mirë të firmosni marrëveshje, sepse do të vuani gjithë konfliktet e planeteve që i kundërvihen njëri-tjetrit.”, shkruan Susan Miller, një këshillë që duket sikur është zbatuar me përpikmëri nga Rama, i cili i la marrëveshjet për pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sipas Susan Miller, ky është muaji i Gaforres, koha kur kjo shenjë do të shkëlqejë më në fund pas 2 vitesh. Këto ditë Rama gjendet në një energji të shkëlqyer të planeteve që punojnë në sinkronizim të përsosur për Gaforren. Nëse del siç thotë Susan Miller, Rama jo që i merr 71 mandatet që i duhen, por ia këput edhe një dorë pushime andej nga jugu:

"Momenti më fantastik i muajit do të jetë hëna e re e Gaforres më 23 qershor, kur Marsi (energji), Mërkuri (të reja) dhe Dielli (fokus) do të jenë në sinkronizim perfekt. Kjo hënë e re është dhurata e përvitshme në kohën e ditëlindjes. Mund t’i drejtoni përfitimet e saj sido të dëshironi për të arritur një qëllim. Neptuni do të jetë në një vijë me Marsin, ndaj mund të vendosni të bëni një udhëtim të largët e të mrekullueshëm, për ditëlindjen tuaj. Por edhe nëse zgjidhni të rrini në zyrë, do të keni një kthesë surprizuese. Kjo hënë e re e ëmbël ka kaq shumë dhurata për ju."

Susan Miller paska qenë e frikshme! Na paska treguar edhe kush fiton

Për nëse e keni humbur, lexoni këtu horoskopin e plotë mujor të Susan Miller për të gjitha shenjat