Tashmë kultura e të pastruarit të qimeve është kthyer në stil jetese për gratë. Por më parë nuk ka qenë aspak kështu, derisa një kompani kuptoi se nëse do të fillonte të shiste brisqe jo vetëm për burrat por edhe për gratë, do të dyfishonte të ardhurat.
Në vite, feministët kanë reaguar vazhdimisht kundër heqjes së qimeve, me vepra arti si “Monologu i vaginës” apo me figura publike që nga Sophia Loren tek Drew Barrymore, që refuzonin të hiqnin qimet e sqetullave.
Qimet dalin sepse e kanë një funksion, që nga mbrojtja e lëkurës deri tek mbrojtja nga të ftohtët, por për një arsye apo për një tjetër, gratë perceptohen si të pastra e të bukura kur nuk kanë qime.
Në fakt, e gjithë kjo mund të shpjegohet me një fjalë të vetme: marketing. Ashtu si në rastin e shampove për flokët, që i vetmi ndryshim që kanë shampot e burrave me ato të grave është aroma, ekziston tashmë edhe një kategori brisqesh dhe produktesh të tjera që prodhohen “posaçërisht për gratë”.
Kur Gillete krijoi briskun e parë për gra në vitin 1915, krijoi në fakt një problem që shumë gra s’e kishin marrë ndonjëherë parasysh: qimet. Deri atëherë veshjet e grave kishin zbuluar shumë-shumë pjesën e gjoksit, por në shekullin e ri nisën të zbulonin krahët, sqetullat, dhe kompanitë zbuluan një terren të ri për produktet e tyre.
Reklama e parë për brisqet e grave deklaronte: “Brisku për gra mirëpritet nga gratë kudo që janë, tani që të kurohesh dhe të vishesh bukur do të thotë të kesh sqetulla të bardha dhe të buta.”
Jo më kot përdor shprehjen “nga gratë kudo që janë”: praktikisht, thotë se tani e tutje të gjitha gratë do të fillojnë të përdorin brisk që kështu, asnjëra nuk do të donte të ishte e vetmja grua me qime sqetullash në ballo.
Për ta ligjëruar masivisht trendin e ri të heqjes së qimeve, kompanitë e produkteve për depilim shfrytëzuan sigurisht, revistat për gratë. Asokohe, revistat ishin i vetmi burim për të parë cilat ishin trendet e reja të modës. Mbushja e tyre me reklama për brisqet dhe depiluesit e nguliti thellë idenë se, për të qenë “femërore”, duhet të jesh kasap qimesh.
Përshembull, kjo reklamë në “Harper’s Bazaar” në 1922-shin, i lidh qimet me idenë e të qenit e turpëruar. Të heqësh qimet, do të thotë të jesh e denjë.
Pjesa tjetër është histori.
Sot, që shoqëria civile dhe organizatat po ngrenë zërin për të ndalur bulizmin dhe për të promovuar pozitivizmin ndaj trupit, duket sikur heqja e qimeve është çështje zgjedhjeje. Megjithatë, edhe për ato gra që nuk ndikohen nga normat shoqërore, çështja e pastrimit të qimeve mbetet e lidhur me seksin.
Nëse nuk ke të dashur dhe është dimër, nuk depilohesh. Kjo është një shaka e njohur dhe njëherësh, mënyra sesi shumë gra zgjedhin të veprojnë. Pra në fund të fundit, edhe tani mbetemi të ndikuar nga të tjerët dhe ndërveprimi me ta. Në mos i dashuri, shoqja. Në mos shoqja, një spot publicitar në televizion që i bën këmbët e depiluara të duken më të bukura se ç’janë në të vërtetë.
Sepse në të vërtetë të depilohesh ka dhembje, skuqje, të nxira dhe shenja. Megjithatë, marketuesit e zgjuar e kanë menduar mirë edhe këtë pjesë sepse tani kush blen produkte depilimi, do të blejë patjetër edhe një krem për pas depilimit.
Shkrimi u realizua me ndihmën e fakteve të përmbledhura në “Bustle”