MetroChic

Je e imja Alinë

2 Korrik 2014

Je e imja Alinë

Të të zërë gjumi me këpucë dhe çantën në sup nuk është ndonjë gjë e madhe, mund të të ndodhë cdo natë, por të zgjohesh me një peshë të tillë mbi trup është diçka që nuk të ndodh çdo mëngjes. Ndieja duart e Këpucës që tentonte të hiqte rripin e çantës time, i cili ishte ngatërruar shumë keq me gjymtyrët e mia, ndërkohë që pesha e sajpo më merrte frymën. Rimeli më ishte ngjitur dhe s'arrija të hapja sytë, që të shikoja çfarë po ndodhte. As nuk flisja dot. S'kisha në plan ta kaloja jetën në burg. “Alinë, vajza që vrau një dy metra burrë me erën e gojës”. S'po arrija të nxirrja kokën nga jastëku i poltronit që të shihja, kur ai më ngriti fundin dhe filloi të më përkëdhelte vithet.

Ç'do të thotë kjo??? A mund t’i bëja një telefonatë Vadikut e të sqarohesha mbi kuptimin e këtij veprimi? Se Këpucës nuk i flas, jo. Pas asaj që më bëri mbrëmë, as që e kam në plan. Po ç‘po bën ai?? Sikur s'e di që gishtat e tij më çmendin! Është e kotë kur thonë që të gjithë meshkujt janë njësoj, nuk është e vërtetë! Secili nga ata është ndryshe. Dhe të sëmurët psiqikë një emër kanë, por diagnozën e kanë të ndryshme. Ne femrave na ka rënë për pjesë t'i edukojmë e t'i durojmë tërë jetën pa e zbërthyer asnjëherë kuptimin e veprimeve që ata bëjnë.

Mundohem të mbrohem ndërkohë që Këpuca më “përdhunon” butësisht.

- "Je e imja Alinë, kupton apo jo!" Zeri i tij vjen me shkëputje në veshin tim. Nuk dua ta shoh fare, më ka mërzitur. Pse duhet ta meritoja unë një sjellje të tillë! Ngrihem ne heshtje nga “vëndi i krimit“ dhe bëhem gati për të dalë.

- "Ku po shkon?"

- "Në punë!" Dialogu është i thatë. Unë flas me sy përdhe. Nuk kam vendosur ta fal. Askush nuk mund të sillet si harbut me mua kur nuk e meritoj, por dhe nëse e meritoj s'ka arsye! Njerëz jemi, merremi vesh me fjalë.

- "Nuk do shkosh në punë? Duhet të flasim!"

Ai më mban të shtrënguar pas vetes, teksa zbresim shkallët e më mban erë. Po ç'e dua, pas asaj nate të tmerrshme që kalova!! Ulemi në një bar-kafe poshtë pallatit. Nuk po e kuptoj seriozitetin e gjithë kësaj. Ndjej Këpucën që më shikon ngultas dhe filloj të trembem. Mos kam bërë diçka që nuk duhej? Buzeqesh për të zbutur situatën.

- "Alinë, ti e di që të kam zemër? Je e sigurtë për këtë gjë?"

Pohoj me kokë dhe e shikoj shtruar. Kam një ndjesi të mirë por s’di çfarë është.

- "Dua të sqarohemi për çfarë ndodhi mbrëmë, nuk dua të përsëritet më!"

- "Por unë…."

- "Dëgjon çfarë po të them?!" Zëri i tij ishte pak i egër, më shumë i vendosur, se sa i egër. Ka shumë rëndësi për mua, kjo që do të të them tani. Je gjithçka për mua Alinë, kupton? Nuk dua të keqkuptohemi për persona të tretë.

- "Por miqtë e tu.."

- "S'ka miq! Jemi vetëm unë dhe ti. Nëse unë do të dëgjoj çfarë më thonë për ty dhe ti të dëgjosh çfarë të tjerët thonë për mua, s'do ta kishim këtë gjë kaq të bukur që kemi. Çfarë do të dish? Me sa femra kam shkuar? Me shumë Alinë! Do të dish se cilat janë, po që as nuk i mbaj mend fare, sepse tani je ti. Duhet të kuptosh që  s'ke pse bëhesh zheloze për askënd, më shkatërron xhelozia!"

Isha mekur. Një burred 2 metra ishte bërë sa një grusht para meje. Këpuca ishte zverdhur.

-"Ti mendon që unë s'jam xheloz për ty? Nuk i shoh meshkujt se si të shohin?!"

- "Po unë s'të thashë asgjë mbrëmë, ti u mërzite kot."

- "Jo Alinë, unë nuk mërzitem asnjëherë kot. E ndjeva që ti po vloje nga xhelozia. Unë s'jam këtu me ty çdo ditë, s'jam këtu për ty, vetëm për ty? Cila ishte arsyeja që ti duhet të xhelozoje dhe ta jepje veten aq shumë? Unë dalloj çdo gjë nga sytë e tu, ti reagon me to. Nuk kemi pse ta mërzisim njëri-tjetrin duke lejuar të tjerët të na ndryshojnë mendimet dhe ndjenjat. Unë të jap fjalën qe s'do të të lë asnje shkas!"

Çfarë mund të thoja? Isha mëse e qartë, duhet të luaja teatër. Dhe kur të isha duke plasur të buzëqeshja. Do ta beja me çdo kusht. Këpuca ishte i imi!

- "OK zemër, më fal…" zvarrita zërin si mace.

- "S’ka problem, jam i sigurt, që s'do të përsëritet më herë tjetër."

Ky s'është mirë për Zotin. Me të vërtetë e mori ai “me fal-in”? Unë ia thashë për ti lënë mundësi që ai të më thoshte “Më fal”.

- "Kam dhe një gjë tjetër për ty!" Mbante diçka në duar; çelësin e shtëpisë së tij! "Shko bëj gati rrobat që do të sjellësh tek unë. Sot ia bëre naftën punës, bëja deri në fund. Të kam lënë të lirë një anë të dollapit, gjithësesi ti i rregullon vetë gjërat e tua." Më puthi lagshëm dhe iku!

Ky çelësi, çelësi prej floriri, gjendej mbi tavolinë. Në fakt, ishte një çelës normal, por mua s'po më dukej aspak i tillë. I bëj një foto, dy foto, tre foto. I zmadhoj fotot, i shoh me ngadalë , ia numëroj dhëmbëzat çelësit. Shoh që kanë kaluar tre minuta. E bindur që e kam përmbajtur veten më shumë se ç'duhet, ia nis foton në WhatsApp Vadikut.

- "Ku je? Ke humbur? Paske qënë keq për të dashur!"

- "E pe foton që të nisa?"

- "Po e pashë, çfarë është?"

- "Këpuca më dha çelësin e shtëpisë së tij!"

- "Ta dha për t'i bërë kopje, apo që ti bësh punët sot?"

- "Ore ti, ç’ke ti që je helm sot?"

- "Po të pyes pra, për çfarë ta dha?"

- "Ma dha që të dërgoj disa gjëra të miat, për ti lënë aty PËR FAREEEE!!!"

- "Po po, ai po zgjidh hallet me ty, s'ka kush t'i bëjë punët. Mos të të gënjejë mëndja goce!"

- "Po mirë, edhe sikur? Për mua e rëndësishme është të më duan, arsyeja pak rëndësi ka. Nuk jam si ty, që e do me specifikim: A. JAM I BUKUR, B. JAM I ZGJUAR C. ARSYE TJETER QË NUK E THEM."

- "Po mirë, mos merr kot. Hajde të ikim bashkë të të ndihmoj, se dua të tregoj dhe disa gjëra që ia kam blerë bebes. Ti ke harruar fare që do të bëhesh hallë!"

- "Ok! Nisu." i them. "Takohemi tek shtëpia ime."

Faktin që Vadiku tha që do të më ndihmonte, nuk e mora shumë për baze. Jo vetëm që nuk më ndihmoi, por më bëri më shumë lëmsh. Ulur në kolltuk jepte urdhra dhe përzgjidhte pikërisht gjërat, që mua nuk do të më hynin fare në punë në një ambient të ri.

- "Pu pu pu , do të marrësh pizhama?? U çmende?? Lakuriq zemër, nuk flihet më me pizhama aq më shumë me patokë. Ku i ke gjetur aman? Të mamit I ke? S'ke ndonjë gjë tyl, transparente, më shumë zbuluar se mbuluar?"

- "Jo nuk kam. Pse, mua më duken sexy pizhamat me patokë."

- "Ty, por duhet të mendosh se çfarë i duket seksi atij. Ai me çfarë fle?"

Kjo pyetje më dogji pak. Ç’i duhej Vadikut, se si flinte i dashuri im??

- "Lakuriq fle", i them. Ai skuqet, nga përfytyrimi apo ngaqë nuk e priste si përgjigje mbase.

- "E shikon, ai është seksi, nuk do ta lë shoqen time të bëje figurën e kuzhinieres në krevat".

- "Kuzhinieres i vjen anash ti. Kam pasur një komshie kuzhiniere. Ka qënë më sexy e lagjes, vishej e mbahej në majë të takave, që në atë kohë".

- "Ok! Merr të gjithë aksesorët e mundshëm që ke dhe gjërat më të bukura, kaq. Dhe hajde tani se kemi punë".

Deri tek shtëpia e Këpucës, Vadiku nuk pushoi së foluri. Më bëri lavazh truri, se si duhet të sillesha dhe si të reagoja në momente të ndryshme.

- "Po ti nga i di të gjitha këto?" -e pyes.

- "Po të gjitha eksperiencat që kemi kaluar së bashku, apo harrove? Ti je tip i ndjeshëm, por të tjerët s'e kuptojnë. Gjërat që ti mban përbrenda, merren për indiferentizëm. Harrove sa ke vuajtur në të gjitha lidhjet që ke pasur? Sa ke qarë e ndenjur pa ngrënë me ditë? Nuk do ta harroj kurrë, kur morëm vesh se Drejtori i Doganave ishte i martuar!"

- "Tmerr! Mos ma kujto të lutem. Por unë nuk kisha nga ta dija! Ai mori postin, pasi u njoh me mua. O zot! Çfarë janë burrat! Nuk duhet t’i kem besë për asgjë! Mendo ta shoh Këpucën me dikë tjetër ne lajme, si pashë atë. Do ishte e tepërt, nuk e përballoj dot."

- "Alinë, boll me fantazi! Ti ke çelësin e shtëpisë, harrove?"

Futemi ne shtëpi me zallamahi, sikur po vinin krushqit, jo sikur ishim vetë i dytë. Lëmë çantat në mes të korridorit.

-" Rreth cilës orë mendon se Këpuca mund të vijë në shtëpi?" më pyet Vadiku.

- "Për nja tre orë sikur më tha."

- "Ok, atëherë kemi kohë për një inspektim dinjitoz të komputerit, usb, letrave dhe çdo gjeje të mundshme personale."

- "Ti s'je normal Vadik, por unë nuk dua të di!"

- "Ti e dashur, vazhdo rregullo gjërat e tua. Unë do të merrem me kontrollin thjesht për të ditur e për të marrë masa në çdo rast. Jam i sigurtë që ai është djalë shummmmëëë  mirë, por se sigurohemi, si thua, s'është keq."

E tunduar nga ideja dhe me shpresën që Këpuca nuk është çmendur të lërë gjëra personale sheshit, lë Vadikun të merret me hetime dhe vetë zhytem me kokë në garderobë. Rrobat e tij mbajnë një erë kaq të mirë. I përkëdhel të gjitha një nga një, si e dehur. Ai është kaq i rregullt, ndërkohë që unë sa herë tentoj të rregulloj raftet, i bëj më lëmsh akoma!

Vadiku duket tek dera. Në majë të gishtit mban një këmishë të bardhë te zhubrosur. E kishte marrë nga koshi i rrobave të palar. E tmerrshme, dhe aty ka gërmuar!

- "Kam dy fakte: këtë këmishë me pudër në pjesën e përparme, që me njëqind përqind mundësi ështe e jotja dhe këtë USB, e cila jo vetëm nuk hapet, por m'i dha virus laptopit tim!"

- "Epo rri si TUM tani pra, me gjithë faktet e tua. Ta dijë Këpuca që i ke nuhatur dhe të brëndshmet, do të të vrasë!"

-"E mirë mi mirë, ngadalë ti, se vetëm një herë i mora erë. Hajde hidhi këto njëqind çanta që ke marrë me vete në dollap, se s'kam nerva të të pres. Unë detyrën time e mbarova!"