
Këto ditë Shqipëria po tronditet nga vetëvrasjet. Një djalë 20-vjeçar në Fier piu helm pasi u nda nga e dashura; një 19-vjeçare u hodh nga kati i tetë i apartamentit po në Fier ku bashkëjetonte me të dashurin dhe sot, një 17-vjeçare u vetëvar në Pukë.
Nga dëshmitë e familjarëve dhe miqve, është e qartë se ajo që i ka shtyrë viktimat të ndërmarrin veprën e fundit ka qenë depresioni. Për një arsye apo një tjetër, këta të rinj kanë qenë prej kohësh në gjendje të dëshpëruar, pas një traume apo shtyrë edhe nga kushtet e vështira të jetesës.
Gjetja e arsyes së vetëvrasjes nuk e kthen askënd në jetë, megjithatë për hir të parandalimit, psikiatrit nëpër botë këshillojnë që njerëzve depresivë t’u qëndrohet pranë gjatë verës. Temperaturat e larta janë, siç mund të dyshoni, një faktor që ndikon tek shëndeti mendor i njerëzve depresivë.
Studime të shumta kanë treguar se ekspozimi ndaj të nxehtit mund të ndikojë negativisht në humor. Një studim i Institutit të Psikiatrisë në Londër tregoi në 2007-ën se probabiliteti për vetëvrasje rritet me 3,8% për çdo gradë temperaturë. Duke studiuar më shumë se 50 mijë raste vetëvrasjeje, kërkuesit vunë re se shumica i kishin dhënë fund jetës në verë, siç shkruan “The Guardian”.
Në një nivel më të gjerë, këtë e konfirmoi edhe një studim i Universitetit të Massachusetts-it vitin që shkoi. Përmes një sondazhi me 1,9 milionë njerëz, kërkuesit arritën në përfundimin se temperaturat e larta ndikojnë negativisht tek mirëqenia mendore. Më shumë stres, më shumë nervozizëm, dhe këputje fizike janë vetëm disa nga simptomat që përjetojmë gjatë verës.
Veçanërisht në periudhat kur vapa vijon edhe gjatë natës, njerëzit janë më të prirur të bien pre e luhatjeve emocionale.
Është e njohur lidhja mes rritjes së temperaturave dhe rritjes së numrit të vetëvrasjeve, për shkak se nxehtësia, siç tregon edhe studimi i Universitetit të Massachusetts-it, shton nivelin e hormoneve që sjellin agresivitetin, duke sjellë çrrëgullime tek hormonet përgjegjëse për vetëkontrollin.
Por për ata që janë natyra të mbyllura dhe vuajnë depresionin, të gjitha këto miklohen në një gjendje dëshpërimi të thellë dhe zbrazëtie, që i çon deri aty sa të mos gjejnë më asnjë arsye për të jetuar.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.