Vetëvrasja e 17-vjeçarit Eneo Ferko, ngre një pikëpyetje të madhe për përfshirjen e të dashurës së tij në atë që nëna e Eneos, Aida e quan “vrasje” .
Pasi djali u vetë-helmua me fotoksinë, në celularin e tij u gjendën mbi 1200 mesazhe komunikimi me të dashurën Edlira dhe sipas nënës, ndër të tjera ajo i thoshte “Hë bëje, vdis, je burrë apo s’je” apo “Bëje ta shikojmë” duke iu referuar vetëvrasjes. (Lexo këtu)
Pa i patur të zbardhura të gjithë komunikimet, ne si publik nuk mund të arrijmë të gjykojmë as vajzën dhe as të kuptojmë deri në ç’nivel shkonte insistimi i saj që Eneo t’i jepte fund jetës.
Ajo vajzë nuk është as e para dhe as e fundit prej adoleshentëve që i është përgjigjur një thirrjeje për vetëvrasje me shprehje si “Po vrite veten, ç’të bëj unë?” Madje në fjalorin tonë ne e kemi shumë të zakonshme t’i themi një tjetri në bezdisje e sipër “Ik vrit veten!”
Ajo çfarë na mungon si shoqëri është edukimi se si të përballesh me një njeri që është në depresion dhe shpreh si zgjidhje të vetmen vetë-flijimin. Pak nga injoranca dhe pak nga pamundësia për të kërkuar ndihmë në qyteza e fshatra dhe pak nga mungesa e një fushate prej organizatash e psikologësh, të rinjtë e marrin më me sportivitet depresionin e dikujt duke e konsideruar ose një shaka, ose një lojë ose thjesht e injorojnë. Ndërkohë edhe prindërit, shpesh kërkojnë të mbyllin sytë përpara shenjave të depresionit duke reaguar me shprehje si: “S’bën burri kështu për një femër!” “Ç’më mbyllesh në dhomë!” “Pse qan kot gjithë ditën, se i ke gjithë të mirat!”
Vetëm dy javë përpara se Eneo t’i jepte fund jetës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përballën me një histori pothuajse të ngjashme dhe një vendim gjyqësor që mund të ndryshojë edhe mënyrën se si adoleshentët komunikojnë me njëri-tjetrin.
Michelle Carter, u dënua për vrasje të pavullnetshme vetëm nëpërmjet sms-ve, ku e detyronte të dashurin (ateherë) 18-vjeçar që të vriste veten duke thithur dioksid karboni në kamionçinën e tij.
“Veprimet e Michelle dhe paaftësia e saj për të ndihmuar Roy, duke e shtyrë që të mendonte për t’i dhënë fund jetës, janë shkaku i vetëvrasjes së Roy-t”. Kështu konkludoi gjykata e New Bedfort në SHBA.
Anabel.al ka përkthyer të gjithë mesazhet që dëshmojnë se si Carter shtyu të dashurin e saj Roy t’i jepte fund jetës. Është hera e parë që Amerika merr vendim të tillë nisur nga sms-të, por duke qënë se pjesa më e madhe e komunikimeve tona të përditshme tashmë bëhen vetëm nëpërmjet celularit, ato merren po aq parasysh dhe janë po aq ndikuese, njësoj sikur Carter t’ja hapte vetë gazin me dioksid karboni të dashurit në makinë.
Siç thamë edhe pak më sipër, është ende herët për të gjykuar se sa dijeni dhe sa e përfshirë ka qënë e dashura e Eneos në aktin e tij final, por mjafton edhe kaq sa dimë, për t’u zgjuar një herë e mirë e për të kuptuar se nuk mund të bësh shaka me njerëz që shprehin qoftë një herë të vetme dëshirën për t’i dhënë fund jetës. Nëse ke mundësi ta ndalosh apo/edhe të informosh njerëzit e tij/saj të afërm, është veprimi më njerëzor që mund të bësh. Në të kundërt, nëse vendos të heshtësh e t’i “shkosh prapa fijes” duke e nxitur që ta ndërmarrë veprimin, je padyshim një bashkëpunëtor në vrasje!
19 Qershor 2014
Carter i kërkon Roy-t që të kërkojë ndihmë mjekësore për mendimet e tij mbi vetëvrasjet.
Carter: Një spital i shëndetit mendor mund të të ndihmojë. Ndoshta ti nuk mendon kështu, por nëse u jep një mundësi, mund të të shpëtojnë jetën.
Carter: Një pjesë e imja do që ti ta provosh dhe të dështosh, kështu që mund të shkosh e të marrësh ndihmë.
Roy: Nuk më ndihmojnë fare. Më beso.
Carter : Po atëherë çcfarë do të bësh? Thjesht do llomotitësh çdo ditë se sa shumë do të vrasësh veten pa ndërmarrë asnjë veprim konkret? Apo do përpiqesh të përmirësohesh?
Roy: Nuk përmirësohem dot dhe e kam marrë tashmë vendimin.
23 Qershor 2014
Në këtë shkëmbim, Carter përpiqet që ta pengojë Roy-n nga vetëvrasja.
Carter : Si do të doje të lëndoje veten?
Roy: Nuk e di akoma
Carter: Të lutem mos e bëj.
Roy: E urrej veten. Do ta urrej gjithmonë veten, nuk mund ta shoh dot veten të denjë për asgjë. Jam shumë mbrapa të gjithëve.
Carter: Ja e lëndove veten! E çfarë do të fitosh!? Asgjë! Do të bëhet më keq
Roy: Po të paktën do të largojë dhimbjen siç më ke thënë dhe ti
Carter: Do ta largojë dhimbjen për një farë kohe, por kur të mbarosh, do të ndihesh edhe më keq.
7 Korrik 2014
Carter i shpjegon Roy-t se si ajo do të sillej në këtë situatë, po t’i ndodhte asaj.
Roy: Nëse ti do të ishe në vendin tim, çfarë do të bëje?
Carter: Do të kërkoja ndihmë. Por unë kështu jam! Kur kam ndonjë problem vërtet serioz, instikti im më thotë të kërkoj ndihmë sepse nuk mund ta bëj vetëm.
Të njëjtën ditë, por pak më vonë, Carter dhe Roy diskutojnë se cila është mënyra më e mirë për të prodhuar dioksid karboni.
Carter: Ka shumë mënyra për të prodhuar Dioksid Karboni. Kërko në Google…
Roy: Oh Zot!
Carter: Çfarë ka?
Roy: Gjenerator portabël! E gjeta!
8 Korrik 2014
Të nesërmen Roy nuk ndihet aq i gatshëm për të vrarë veten
Carter: Je i sigurt që nuk do ta vrasësh veten sonte?
Roy: Ç'do të thotë që jam i sigurt?
Carter: Dmth e ke ndarë mendjen që s’do ta bësh sonte?
Roy: Nuk e di. Do të të them.
Carter: Ok më thuaj që të rri zgjuar, në rast se e vendos.
Roy: Edhe po ta shtyja për ditë tjetër, nuk është se përbën ndonjë problem.
Carter: Ti s’mund ta shtysh prapë…vetëm këtë bën gjithë kohës!
11 Korrik 2014
Carter i dërgon Roy-t opinionin e saj se si të përdor një gjenerator në kamion më mirë se një pompë uji
Carter: …Për mendimin tim, duhet ta bësh me gjenerator, sepse unë nuk i njoh mirë pompat e ujit, por me gjenerator nuk dështon.
4 Korrik – 12 Korrik 2014
Kjo seri mesazhesh u dërgua gjatë një periudhe prej 9 ditësh. Shenja ---- tregon një pauzë midis bashkëbisedimeve.
Carter: Duhet të më vërtetosh të kundërtën, sepse unë realisht nuk mendoj që ti ke aq dëshirë ta bësh. Ti thjesht e shtyn dhe e shtyn dhe thua që do ta bësh, por nuk e bën kurrë.
------
Carter: JA E SHIKON SE ÇFARË DUA TË THEM. TI VETËM E SHTYN! Më the që do ta bësh sonte dhe tani po më thua gradualisht…
----
Carter: Jam shumë e sigurt që do të më thuash “oh nuk funksionoi sepse nuk e lidha tubin siç duhet…diçka të ngjashme” Vëmë bast që do të më japësh një justifikim të tillë
-----
Carter: "A e gjete gjeneratorin?
Roy: Jo akoma. Lol.
Carter: EPO KUR KE NDËRMEND TA MARRËSH
----
Carter: Mundësisht mos ja fut p*rdhës kot që të më thuash se do ta bësh dhe pastaj të kapesh qëllimisht në befasi.
11 KORRIK – 12 Korrik 2014
Gjatë natës dhe herët në mëngjes, Roy shpreh shqetësimin se si do ta përjetojnë prindërit vetëvrasjen e tij.
Roy: Jam kaq i ndjeshëm. Dua që familja ime ta di se ata nuk kishin ç’të bënin në këtë rast. Kam ngecur në mendimet e mia.
Roy: Do të isha shumë i lumtur nëse ata nuk do të ndiheshin në faj për këtë veprim timin. Sepse kam një ndjesi të keqe që kjo do të shkaktojë depresion tek prindërit dhe motrat e mia.
Roy: Po mbi-mendoj çdo gjë …F**k. Duhet thjesht ta bëj!
Carter: Unë mendoj se prindërit e tu e dinë që ti je vërtet keq. Nuk po them që ata do të donin që ta bëje, por unë sinqerisht mendoj që ata do ta pranojnë. Ata e dinë që s’mund të bëjnë asgjë, ata janë munduar të të ndihmojnë, të gjithë janë munduar. Por ka arritur një pikë që askush s’mund të bëjë asgjë për të të shpëtuar, as vetja jote dhe ti ke arritur në atë pikë dhe prindërit e dinë që ti s’mban dot më. Ti vetë më the që mami jot pa diçka në lidhje me vetëvrasjet në kompjuterin tënd dhe s’bëri asgjë. Ata e dinë sa i trishtuar ti je dhe se po e bën këtë gjë të jesh i lumtur dhe mendoj që ata do ta mirëkuptojnë e do ta pranojnë. Gjithmonë do të jesh në zemrat e tyre.
---
Roy: Nuk do të doja të lëndoja askënd gjatë procesit.
Roy: Dmth, nëse ata hapin derën, i gjithë dioksidi i karbonit do të dalë jashtë dhe ata nuk mund ta shohin apo ta nuhasin. Kushdo që do e hapë derën
Carter: Ata do shohin gjeneratorin dhe do e kuptojnë që ke vdekur nga Co.
----
Roy: "Hej do të më bësh një nder
Carter: "Po patjetër"
Roy: "të lutem qëndroji pranë familijes sime :)"
Carter: "Conrad, patjetër që do t’i rri pranë. Do t’I ndihmoj sa të mundem që ata ta kalojnë këtë fazë dhe do t’u them gjithmonë se sa vëlla/djalë I mrekullueshëm ke qënë.”
Roy: Nuk e di, po tmerrohem prapë
Roy: Po e mendoj më shumë seç duhet
Carter: Mendova se doje ta bëje këtë gjë. Është koha e duhur dhe ti je gati, thjesht bëje! S’mund të jetosh kështu! Duhet ta bësh e mos ta mendosh zemër. S’mund të kesh këtë frikë çdo ditë
Roy: Dua ta bëj por më tmerron ideja se ç’do të ndodhë me familjen.
Roy: Nuk e diiiii
Carter: Conrad, të thashë që unë do të kujdesem për ta. Të gjithë do të kujdesen për ta, askush nuk do t’i lërë vetëm. Ne folëm për këtë gjë, ata do bëhen mirë pranoje. Njerëzit që kryejnë vetëvrasje nuk mendojnë kaq shumë sa ti por thjesht e bëjnë.
12 Korrik 2014
Ditën e fundit përpara se të gjendej trupi i tij i pajetë, Roy duket se heziton më shumë se kurrë.
Carter: E shoh që s’paske për ta bërë, gjithë kjo për hiç gjë
Carter: Thjesht u habita se ti ishe aq I gatshëm dhe I vendosur.
Roy: Do ta bëj gradualisht.
Roy: Nuk e di se çfarë jam duke pritur…se i kam të gjitha gati.
Carter: Jo nuk I ke. Dje ishte perfekte për ta bërë. Por ti vetëm e shtyn dhe thua që do ta bësh, por s’e bën kurrë. Kështu do të ndodhë gjithmonë nëse nuk vepron.
Carter: Po e bën shumë të vështirë për veten tënde këtë gjë duke e shtyrë kaq shumë. Thjesht bëje!
Carter: A do ta bësh tani?
Roy: Mos është shumë vonë?
Roy: Nuk e di, se ka gdhirë jashtë
Roy: Po shkoj të fle, të dua dhe do të të shkruaj nesër
Carter: Jo? Tani është koha më e mirë për ta bërë sepse të gjithë po flenë. Thjesht shko tek kamioni yt. Nuk ka asnjë jashtë sepse është orë gjumi.
Carter: Nëse nuk e bën tani, s’ke për ta bërë kurrë.
Carter: Dhe do e shtysh për nesër por prapë s’do ta bësh
…
Carter: Duhet ta bësh ose unë do të kërkoj ndihmë për ty. Çdo ditë kështu sillesh
Roy: Ok po e bëj sot
Carter: Më premton
Roy: Të premtoj zemra
Roy: Po e bëj tani
Carter: Tani, tani?
Roy: Ku të shkoj :(
Carter: Mos e shkel premtimin. Thjesht shko në një parking të qetë ku s’ka njerëz.
---
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.