Anabel Dossier

Pse të huajt vijnë për pak dhe vendosin të rrinë: Atje vetëm punë, këtu...

10 Gusht 2017

Pse të huajt vijnë për pak dhe vendosin të rrinë: Atje

E themi sa herë diskutojmë me njëri-tjetrin për këtë temë dhe është e vërtetë: të huajt që jetojnë në Shqipëri kanë gjetur parajsën. Jo sepse këtu gjithçka është fushë me lule, por Amerika ka vetëm punë, punë dhe punë. Në Shqipëri, të gjithë e gjejmë kohën edhe për punë, edhe për kafe.

“Mundësia për të patur një jetë të mirë shoqërore është më e madhe këtu sesa në SHBA, ku njerëzit janë kryesisht të fokusuar tek puna.”, shprehet Rachel Berryman nga Virginia, SHBA, që prej vitesh jeton në Shqipëri, “Në Shqipëri, njerëzve u pëlqen të kalojnë kohë me njëri-tjetrin dhe mund të krijosh një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës dhe punës.”

Barryman erdhi këtu pas 3 muajve si vullnetare në Indi, me mendimin që më pas do të kthehej në SHBA. Por vendosi të rrinte shumë më gjatë se ç’e kishte planifikuar. Erdhi këtu si vullnetare e Peace Corps-it (Korpusi i Paqes), por tani ka biznesin e saj që e drejton dhe ku punon bashkë me të huaj të tjerë.

Rachel, si edhe të tjerë të huaj që kanë vendosur të shpërngulen në Shqipëri janë pjesë e një reportazhi të Fatjona Mejdinit për BIRN, ku rrëfejnë çfarë i mban këtu. Disa prej tyre kanë ardhur me misione vullnetare afatshkurtra, por pasi kanë parë se në Shqipëri bëhet edhe puna, edhe qejfi, kanë vendosur të rrinë.

Përshembull francezi Antoine Avignon, që erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 2000, pa njohur asnjë fjalë nga gjuha. Për të kryer misionin e tij humanitar u caktua të shkonte në Peshkopi, për një punë që kishte të bënte me furnizimin me ujë. Vendosi të rrinte dhe sot, është menaxher programi për Mjedisin, Energjinë dhe Mbrojtjen Civile me delegacionin e BE-së në Shqipëri.

Si Avignon ka me mijëra të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar: mbi 2,500 të huaj kanë leje të përhershme, duke përfshirë rreth 52% turq, pjesa dërrmuese, dhe 12% kinezë. Kanadezët në Shqipëri përbëjnë rreth 8% të punëtorëve të huaj.

Ka mjaft edhe nga SHBA-ja, si përshembull çifti amerikan Kailey Rocker dhe Jonathan Eaton, të cilët u njohën në Shkodër. Ajo erdhi në 2010-ën si pjesë e një projekti shkollor dhe në 2013-ën vendosi të shpërngulej. Thotë se në Shqipëri ndihet e sigurtë, mund të vizitojë në shtetet përreth dhe të kalojë kohë me miqtë e saj vendas.

Kurse partneri Jonathan Eaton, studiues i Fulbright-it, Kanada, mund ta flasë mirë shqipen tani, 8 vite pasi erdhi për herë të parë në 2009-ën. I la mbresë trashëgimia kulturore e jona dhe vendosi të punojë më gjatë për të, si antropolog. Ai vjen nga vendi më i lakmuar prej shqiptarëve, dhe tregon pse ka zgjedhur të jetojë këtu.

“Nuk po them se Kanadaja është një vend i keq, por se Shqipëria është një vend i mirë”, thotë Jonathan, “Shqipëria më duket vërtet mikpritëse dhe jam i lumtur që po jap një kontribut pozitiv në kulturën e saj.”

Pse të huajt vijnë për pak dhe vendosin të rrinë: Atje

Avignon, nga ana tjetër, e gjeti në Shqipëri bashkëshorten, Raimondën. Për martesën e tyre, 200 miq e të afërm erdhën nga jashtë. Ai jeton me të shoqen dhe admiron vendin dhe kulturën shqiptare; malet, detin, i admiron si pjesë e vendit të vet. Por mbi të gjitha, është i dashuruar me njerëzit dhe sa më shumë e njeh Shqipërinë, aq më shumë i rrihet.

“Kam mësuar shumë për njerëzimin në të gjitha udhëtimet e mia dhe kam filluar ta njoh më mirë Shqipërinë dhe njerëzit  e saj. Shqiptarët kanë vërtet zemër të madhe.”

Kliko këtu për të lexuar artikullin e plotë të botuar në reporter.al