Ditët kur shkrepnim një foto për qejfin tonë dhe pa u menduar gjatë e postonim në Instagram kanë marrë fund. Atëherë ishim të emocionuar, sepse më në fund kishim një platformë ku mund të prezantonim punën tonë, të tregonim histori, të ndanim momente nga përditshmëria dhe të frymëzoheshim nga ajo e të tjerëve. Gjithçka kishte të bënte me kreativitetin, artin dhe punën. Ishte e paparë.
Me kalimin e kohës gjithçka që deri dje lidhej me përmbajtjen dhe origjinalitetin u kthye në numra dhe algoritme dhe kushdo që ka kohë dhe para për të manipuluar sistemin fiton lojën. Lojën e kush ka më shumë ndjekës, pëlqime, komente. Dhe papritur postimi i një fotoje të thjeshtë kthehet në detyrë dhe kërkon kaq shumë përkushtim, sa zor se mund të mbash një Instagram të denjë dhe një profesion tjetër paralelisht.
Kjo shpjegon dhe lindjen e kaq shumë ‘influencers’ online. Profesioni i lindur fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi ka mbërritur edhe në Shqipëri, ndonëse nuk flasim për të njëjtat shifra. Sjellë fillimisht nga personazhet publike, tani shumë vajza dhe djem shqiptarë që kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish shfrytëzojnë Instagramin për të fituar para, ose për të përfituar produkte falas në këmbim të reklamës.
Influencer-at krijojnë një realitet gati-gati fantastik në Instagram dhe pikturojnë një jetë përrallash. Markat dhe kompanitë e ndryshme kërkojnë gjithnjë e më shumë të promovohen në këtë platformë ku audienca është e përzgjedhur në varësi të personit që kanë zgjedhur për të bërë reklamën. Megjithatë ekzistojnë dhe forma të ndryshme manipulimi.
“Markat dhe agjencitë po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse për të rritur numrin e ndjekësve,” tregon një influencer mode në anonimat për ‘Digiday’. “Disa vite më parë të gjithë po rrisnin numrin e ndjekësve në mënyrë organike. Pasi markat filluan të paguajnë për këto gjëra, njerëzit kuptuan se mund të shesin ndjekës,” shpjegon ajo rritjen e papritur të llogarive me shumë ndjekës, që përfitojnë reklama dhe para edhe pse impakti që kanë mbi ndjekësit e rremë nuk është i njëjtë.
Pagesat për këto postime nuk janë aspak modeste, përkundrazi. Influencuesit e Instagramit në botë mund të paguhen me qindra mijë dollarë, në varësi të numrit të ndjekësve dhe feedback-ut që marrin postimet e tyre. Ky profesion është krijuar dhe idealizuar nga milenialët, një industri vlera e së cilës aktualisht shkon në 500 milion dollarë dhe pritet të shkojë në 5-10 miliard dollarë deri në 2020.