
Jemi mësuar që, kur pyesim për diçka apo kur na thuhet ndonjë kuriozitet, ta mbyllim me “për kulturë më shumë”. Por në epokën e globalizimit ku jetojmë, kultura është gjithçka, ndonëse rrjetet sociale nuk na lënë shumë kohë për të vëzhguar ndonjë gjë tjetër.
Prandaj faqja Anabel World në Instagram (@anabel_world) nisi një lëvizje në rrjetet sociale, për të nxitur njerëzit të ndajnë sa më shumë nga kultura që shikojnë, duke kulturuar kështu njëri-tjetrin edhe kur kalojmë orë të tëra në Instagram. Në vend që t’u tregojmë të tjerëve sa shopping bëmë në Paris, t’u tregojmë edhe çfarë pamë brenda Muzeut të Luvrit, apo si të shkosh atje me metro.
Thurja #PerKultureMeShume tashmë ka mbledhur mbi 100 postime, ku njerëzit postojnë fotografi të muzeve, teatrove, siteve kulturore, ekspozitave, fotografive artistike, shfaqjeve të dramaturgjisë apo të muzikës, etj., duke i vendosur këtë hashtag.
#PerKultureMeShume po mbështetet edhe nga institucione kulturore, si Akademia Hollywood, apo faqet që i dedikohen librave dhe artit, si përshembull: Librat që dua (@libratqëdua) apo Këndi i Leximit (@kendi_i_leximit), apo Instagrammers-a të njohur.
Njerëzit po postojnë foto nga udhëtimet e tyre jo vetëm për të treguar se ku e pinë koktejlin në Ibiza apo hashashin në Amsterdam, por edhe foto nga galeritë në Gjermani, Poloni, apo nga lagjet e bukura dhe të famshme të botës, që jo të gjithë mund t’i vizitojmë.
Duke shkruar #PerKultureMeShume tek kërkimi në Instagram, do t’ju shfaqen të gjitha postimet e njerëzve me këtë thurje dhe patjetër do të lexoni dhe shikoni diçka që nuk e dinit.
Bota është tepër e madhe për të mos e ndarë atë me miqtë tuaj. Nëse keni diçka interesante për të treguar, postojeni me thurjen #PerKultureMeShume dhe bota do të jetë patjetër një vend më i mirë.