Anabel Gruaja

Helena Kadare është njeri, para se të jetë gruaja e dikujt

21 Dhjetor 2017

Helena Kadare është njeri, para se të jetë gruaja e dikujt

Po e vë re gjithmonë e më shpesh. Njerëz të artit, me krijimtaritë dhe profesionet e tyre, qenie komplekse, reduktohen në thjesht “gruaja e” ose “burri i”. Dje mbrëma, Helena Kadare dhe Ylljet Aliçka ishin të ftuar për një bisedë letrare në “Hemigway”. Me gjithë sinqeritetin e mundshëm prisja që gjithë intervista të ishte për Ismail Kadarenë, për veprat e tij, jetën me të. Për fat,  pritshmëritë m’u rrënuan.

Intervista me Aida Baron më shfaqi Helenën përtej bashkëshortit të saj. Helena e dashuronte Ismailin dhe punën e tij aq shumë sa hoqi dorë nga e saja, për t’i lënë hapësirë atij të zhvillohej;

“Nëse do të kisha qenë burrë do të kisha shkruar më shumë, por puna e Kadaresë vlente më tepër. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar, por kuptova që letërsia e tij vlente. Imja do ishte mesatare. Ndoshta pak më mirë se mesatarja.”

Ama, dashuria e Helenës për letërsinë që në fëmijëri ishte aq e madhe, sa u bë problematike. Për çdo libër që lexonin, ajo dhe mikesha e saj i dërgonin letra njëra-tjetrës. Letra nga njëzetë faqe që ngjallën dyshime tek drejtori i shkollës dhe babai i saj. Po konspironin kundër sistemit apo ishin letra dashurie?

Helena Kadare është njeri, para se të jetë gruaja e dikujt

Helena është njeri i paqes, edhe pse s’ka pasur një jetë të lehtë. Ç’e gjithëpërfshin qëndrimin e saj ndaj konfliktit është një citat nga “Çifutka e Toledos”:

“Më mirë një gram paqe, sesa një tokë fitore.”

Mes kapërcimesh të shpeshta, Helena rikthehet në rini duke pikturuar një pamje të zbardhur, por nostalgjike njëherazi, të jetës në komunizëm. Ditët e atëhershme ishin kaq të gjata dhe kaq të ndryshme nga sot. S’ndodhte asgjë e re, s’dilte asnjë film i ri. “Lexo, lexo,” por pastaj çfarë? Ndërsa sot, të rinjtë s’kanë kohë për asgjë.

“Kur je i ri, nuk e ndjen fare që je i ri.”

Helena Kadare beson në fat dhe për të, prezencën e fatit në jetën e çdokujt e paraqet më së miri libri “Mos bëj dëm” i Henry Marsh. Shkruar nga një neurokirurg anglez, libri flet për jetën, vdekjen dhe fatin përmidis. E rekomandoi kaq bukur, sa jam gati ta blej që tani.

“Në zemrën e çdo kirurgu, ndodhet një varrezë e vogël.”

Helena Kadare është njeri, para se të jetë gruaja e dikujt

Prag fundit të intervistës, shkrimtarja materializoi në pak fjalë masat kundrejt individit dhe rëndësinë e të fundit:

“Kur ishim në shkollë, teoria marksiste na mësoi se roli i individit është i papërfillshëm. Rëndësi ka masa. Për mua, individi është shumë më tepër sesa masa. Një individ mund të bëjë hatanë, siç bëri diktatori jonë, apo Hitleri.”

Dola me një ndjesi qetësie të brendshme nga biseda për dy arsye. Së pari, pata mundësinë të dëgjoj një grua inteligjente të flasë për diçka tjetër, përveçse të shoqit apo jetës familjare. Dhe së dyti, shtova do libra në listë, rekomanduar nga njerëz të penës. 

Nga: Alberta Kamenica