Sesi do të shkonte ky Golden Globes pasi shumë figura kryesore të Hollywood-it u akuzuan për ngacmim seksual, u pa vetëm mbrëmjen e djeshme, kur u mbajt ceremonia e 75-të në drejtimin e Seth Meyers.
Ishte përfolur se në monologun e hapjes, ai do të prekte çështjen e abuzimeve, dhe kështu ndodhi. Me një humor alla Meyers, prezantuesi i famshëm i TV amerikan ironizoi, sarkazmoi, thumboi pa drojë emrat e njohur që u bënë pjesë e skandaleve seksuale, që nga Harvey Weinstein, tek Woody Allen, tek Kevin Spacey.
“Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj të mbetur. Është viti 2018. Më në fund, marijuana është e ligjshme dhe më në fund, abuzimet seksuale nuk janë të ligjshme.”
“Prej vitesh, s’është parë një burrë i bardhë kaq nervoz në Hollywood. Sa për të nominuarit burra që ndodhen sot këtu: me siguri do të jetë hera e parë prej muajsh që s’do të keni frikë të dëgjoni dikë të thojë emrin tuaj me zë të lartë.”
Por Meyers s’do t’i binte nga Kina: shpejt, përfshiu emrat e Harvey Weinstein-it dhe Woody Allen-it në ironinë e tij therëse. Për të parin, u shpreh:
“Mos u bëni merak, do të kthehet pas 20 vitesh, kur do të bëhet personi i parë që publiku do të bëjë ‘buuuu’ gjatë homazhit në këtë skenë.”

Kurse Woody Allen-in e thumboi ndërsa fliste për subjektin e filmit “The Shape of Water” të regjisorit Guillermo del Torro:
“Kur më treguan për këtë film, ku një grua bie në dashuri me një përbindësh të shëmtuar, mendova se do të ishte një film i Woody Allen-it.”
Një tjetër figurë e famshme, ky i akuzuar për ngacmim seksual dhe pedofili ndaj një djali 14-vjeçar, është Kevin Spacey. Meyers u tall edhe me të duke thënë se, edhe pse bën shaka me veten se është “burrë në moshë”, përsëri:
“...gruaja që luan bashkëshorten e tij, është gjithsesi 32 vjeç.”
Skandali i abuzimeve seksuale shpërtheu në tetor, kur “New York Times” publikoi një artikull me dëshmi dhe të dhëna që tregonin se Harvey Weinstein-i ka ngacmuar seksualisht shumë gra në Hollywood, shumë prej tyre aktore të njohura (lexo këtu).
Pas kësaj, gratë nisën lëvizjen #MeToo (Më ka ndodhur edhe mua) në rrjetet sociale, ku shumë aktore dhe figura publike nisën të ndanin ngacmimet seksuale që u kanë ndodhur, duke përmendur me emra abuzuesit. Një sërë figurash publike, që nga yje të adoleshentëve si Ed Westwick apo aktorë me përvojë si Kevin Spacey, u përfshinë shpejt në akuza për ngacmim madje edhe abuzim seksual.

Kevin Spacey u akuzua nga aktori Anthony Rapp se kur ky i fundit kishte qenë 14 vjeç, ai e kishte ngacmuar seksualisht. Edhe pse Spacey e mohoi, u pushua nga puna si aktor kryesor në serialin “House of Cards” të Netflix-it si edhe skenat e filmit që po xhironte, “All the Money in the World”, u fshinë për t’u xhiruar me një aktor tjetër në vend të tij, Christopher Plummer.