“Ti, Eleanor Shellstrop, ke vdekur. Jeta jote në Tokë ka përfunduar dhe tani je në fazën tjetër të ekzistencës tënde në univers. Por mos u shqetëso. Je në Vendin e Mirë.”
Kështu nis episodi i parë i “The Good Place”. Eleanor, një grua e re, e gjen veten në jetën e përtejme duke marrë shpjegime nga një qenie e mbinatyrshme. Rrjedhimisht, kupton që është në parajsë... Gabimisht.
Eleanor ishte një njeri i tmerrshëm në Tokë. Egoiste, e vetëqendërzuar, e ligë, e pasjellshme, gënjeshtare e mashtruese. Ajo vdiq në të njëjtin moment me një tjetër Eleanor, një avokatet të të drejtave të njeriut, dhe sistemi i ngatërroi. Eleanor e ligë është në Vendin e Mirë, ndërsa e mira, në Vendin e Keq.
Në Vendin e Mirë (kështu quhet parajsa), Eleanor ka shtëpinë e ëndrrave të saj, në një qytezë utopike me fqinjët më impresionues. Ka një shpirt binjak, të quajtur Chidi, i cili në Tokë shërbente si profesor etike dhe filozofie. Eleanor i rrëfehet Chidi-t, i thotë se është gabimisht në Vendin e Mirë dhe se ka nevojë për ndihmën e tij.
Këtu hyn në lojë gjithë premisa e fabulës. Eleanor do që të bëhet njeri i mirë, që ta meritojë vendin e saj në parajsë dhe Chidi i jep leksione të përditshme filozofie. Lind pyetja: Ç’do të thotë të jesh i mirë? Përgjigjen dhe konfuzionin pas saj e gjeni në serial, shoqëruar me një ndryshim fantastik dhe surprizues të rrjedhës së ngjarjeve.
Edhe pse është një sitcom, mesazhi përcillet qartë e me nuancë. Personazhet zhvillohen gradualisht, ndërsa koncepti s’ndihet aspak i komplikuar, edhe pse është. Pas 24 episodesh, di më shumë për filozofinë dhe jetën nga ç’kam mësuar në shkollë a duke dëgjuar podcastin “Philosophize this!”
“The Good Place” është i lehtë, argëtues, e në të njëjtën kohë i rëndë, e i ngarkuar. Mu deshën dy ditë për të parë çdo episod dhe u pendova. Duhet ta kisha shijuar më ngadalë. Ka ose jo jetë të përtejme, të gjithëve në vlen të mësojmë sot si të jemi njerëz të mirë.
“The Good Place” e gjeni në Netflix. Vlerësime të tjera:
Rotten Tomatoes: 95%
Metacritic: 78%
Tv.com: 8.5/10