Titulli i thotë të gjitha dhe jemi të sigurtë që të paktën një herë jeni ndjerë sikur s’doni të shihni njeri me sy, të shtriheni në shtrat për dhjetëra orë dhe të hani patatina. Okay, ndoshta ndiheni kështu çdo fundjavë. S’ka asgjë të keqe, zëre se po kalon ca orë me veten, mikun tënd më të mirë.
Ç’bëhet në të tilla situata? Shihen seriale, ç’tjetër. Në nder të ditëve të tilla të vetmuara kemi përpiluar një listë me pesë seriale argëtues, me episode njëzetë minutëshe që nuk të lodhin kokën, por as të bëjnë të ndihesh injorant. Komedi e zgjuar, me pak fjalë.
1. Brooklyn Nine-Nine
Seriali më i rëndësishëm me policë i të gjitha kohërave. Kështu shkruhet në poster dhe është absolutisht e vërtetë. Jake Peralta, një detektiv i qarkut të 99 të Brooklyn, është pakëz i papjekur, por i talentuar. Kur kapiteni i vjetër zëvendësohet nga Raymond Holt, i egër, i prerë dhe serioz, konflikti mes të dyve shndërrohet në komik. Skenari është i realizuar ashtu siç duhet, është gjithpërfshirës, personazhet zhvillohen natyrshëm. Do të qeshni, e sigurtë.
2. 2 Broke Girls
Caroline dhe Max janë dy kamariere në një restorant mediokër, të cilat bëhen shoqe pavarësisht gjithë dallimeve dhe ndërtojnë një ëndërr bashkë. Caroline ishte më parë e bija e një miliarderi, deri kur ai u arrestua për punë skemash piramidale dhe ajo humbi gjithçka. Teksa ajo përpiqet të mësohet me jetën e re e trokë, ngre dhe një biznes ëmbëlsirash me Max-in. Humor i zi, seksual e që s’ka frikë të ofendojë.
3. The Good Place
Për këtë serial kemi shkruar një artikull më vete, të cilin mund ta lexoni këtu, aq shumë na pëlqen. Shkurtimisht, Eleanor përfundon gabimisht në parajsën e quajtur Vendi i Mirë dhe që ta meritojë vendin e saj aty, merr mësime filozofie nga shpirti i saj binjak, Chidi. Chidi në Tokë punonte si profesor etike dhe është njeriu perfekt për këtë punë. A mund të behet një njeri i keq i mirë? Merreni vesh në The Good Place.
4. Friends
S’ka nevojë për shumë fjalë. Friends është seriali perfekt për ditë dembele. Plot dhjetë sezone të vendosura në vitet ’90, me veshje fantastike, fabul interesante dhe gjithmonë argëtues. Gjashtë miq 20-30 vjeçarë shpalosin jetët e tyre personale e profesionale në Manhattan. Me një nga të gjashtë do të lidheni shpirtërisht medoemos.
5. Don’t Trust the B---- in Apartment 23
Chloe është vajza e momentit në New York. Ka morale të dyshimta dhe mendjen gjithmonë tek festa. June ëshë shoqja e saj e ngushtë, një vajzë e çiltër nga një qytet i vogël. Njëra i nxin jetën tjetrës, por me dashuri. Miku i përbashkët i të dyjave është James Van Der Beek, që luan veten. Duhet ta mbani mend, Dawson nga Dawson’s Creek.
Nëse doni seriale më të rëndë e më të gjatë, lexoni listën e një viti më parë duke klikuar këtu.