Për punë dy ditësh në kinematë e Tiranës do të fillojë të shfaqet filmi i tretë dhe i fundit i triologjisë Fifty Shades. Plot çifte e kanë bërë traditë Shën Valentini të shohin filmin më “romatik” të kohërave tona. Përveçse nuk është romantik, as i realizuar mirë dhe kjo traditë le të marrë fund këtë vit.
Traileri u publikua në nëntor të vitit që shkoi dhe praktikisht tregoi gjithçka që ndodh në film. Anastasia dhe Christian martohen, ikin me muaj mjalti, blejnë një shtëpi, bëjnë shumë seks. E reja këtu është Jack, një personazh nga filmi i dytë që është rikthyer për të lënduar Anastasian. Kjo pjesë e fabulës supozohet të jetë qendra e vëmendjes, arsyeja pse po shkon për të parë filmin. Duke marrë parasysh dy filmat e parë, nuk pres ndonjë ndryshim drastik të rrjedhës së ngjarjeve. Një ndjekje dhe arratisje si në çdo film tjetër. Çifti shpëton dhe jetojnë të lumtur në jetë të jetëve.
Nëse jeni bërë fansa të franshizës prej karakterit erotik, lejomëni t’jua them troç. Janë filma të këqinj dhe janë filma të këqinj erotikë. Pranuar me konsensus kritkësh, “Fifty Shades of Grey” dhe “Fifty Shades Darker” s’i ofrojnë asgjë shikuesit. Madje janë si ndëshkimet që i bëhen Anastasias, por pa marrë asnjë grimcë kënaqësie mbrapsht. Nëse doni të shihni një film erotik këtë Shën Valentin, më mirë hapni një llogari në Netflix dhe zgjidhni një nga kjo listë.
Dakota Johnson dhe Jamie Dornan janë shumë të zotët si aktorë. Morën personazhe të shkruar keq, shumë keq, dhe i bënë mesatarisht të pëlqyeshëm. Për ta nuk kam ç’them, e prapë s’është mjaftueshëm arsye për të parë filmin e tretë.
Vetë producentët e regjisori e dinë që “Fifty Shades Freed” nuk është cilësor. Siç e do zakoni, filmat supozohet t'u shfaqen kritikëve disa ditë para premierës. Kritikët më pas shkruajnë përshtypjet e tyre për filmin dhe nxisin ose jo lexuesit ta shohin. “Fifty Shades Freed” nuk u shfaq për askënd para premierës, sepse priteshin reagime negative dhe kjo do të ulte shitjet e biletave.
Në vend të një pseudo erotiku, shihni më mirë “Black Panther” i cili mahniti ç’do kritik të mundshëm dhe ka kolonën zanore më të mirë deri më sot. Zgjedhja është juaja.
