Fletore Kinemaje

Po sikur sëmundjet mendore  të mos jenë sëmundje? Po sikur të jenë fuqi?

7 Shkurt 2018

Po sikur sëmundjet mendore  të mos jenë sëmundje? Po

David Haller ka vuajtur tërë jetën nga skizofrenia e theksuar. Që kur ishte fëmijë, hynte dhe dilte nga spitalet psikiatrike si të ishin shtëpia e tij. Tani që është njëzetë e pak vjeç është i lirë dhe më keq se më parë. Ajo që për të tjerët është rrjedha normale e jetës, për David është një rutinë e dhimbshme, në të cilën humbet veten. Pas një incidenti të dhunshëm, ai përfundon sërish në një institucion mendor quajtur “Clockwork”, ku edhe takon Syd, bjonden që nuk lejon ta prekë kush. Syd i ndryshon jetën, perspektivën; David mund të mos jetë skizofrenik. Mund të jetë thjesht telepatik.

Seriali quhet “Legion”, përshtatur nga Marvel Comics prej FX Networks. Skenari është shkruar nga Noah Hawley i “Fargo” dhe është një punë e shkëlqyer e një numri të konsiderueshëm njerëzish brilantë. Në morinë me seriale me superheronj që ekzistojnë sot në treg, “Legion” është padyshim në krye, si më i realizuari e me fabulën me interesante.

Regjia është e tillë që e detyron shikuesin të jetë i vëmendshëm ndaj çdo detaji, sado minimal, për të kuptuar gjithë historinë. Skenat shfaqen nga pikëpamja e David, kamera lëviz shpejt, pamjet prihen shpesh dhe e gjitha të lë me një ndjesi sikleti në stomak. Dhe ashtu duhet të jetë. Ne si shikues jemi në kokën e David, një njeriu që dëgjon zëra dhe sheh haluçinacione. Jeta për të nuk mund të jetë një lëndinë me bar. David nuk e di ç’po ndodh, dhe as ne.

David e kalon kohën e tij në spital me Lenny-n, një shoqe të tijën që para se të shtrohej. Pasi një agjent qeveritar kërkon të intervistojë dhe eksperimentojë me David, historia shpaloset në mënyrë të degëzuar. Nga pika A nuk shkon në B e më pas në C. Historia nis nga pika L, shkon në pikën 0, kalon në A, ngjitet lart, hyn brenda dhe shpërthen kudo. Konfuzuese dhe mahnitëse.

Në thelb, “Legion” është për ndjesinë e parehatisë brenda trurit tënd dhe kjo nuk i ndodh vetëm David, por çdokujt. Mesazhi në prapavijë është qartazi ai i dashurisë për veten, pranimin dhe të ecurit përpara duke përqafuar të metat tua.

Syd e thotë më mirë në një fragment. Sëmundjet mendore nuk të bëjnë anormal ose problematik. Janë thjesht pjesë e asaj që je.

Po sikur sëmundjet mendore  të mos jenë sëmundje? Po

Sezoni i parë i “Legion” u publikua vjet në pranverë. Shtatë seritë e para mund t’i gjeni na Amazon Video, iTunes, Google Play, YouTube dhe Hulu, të gjitha me pagesë. Ose mund t’i vidhni në internet, ju e dini. Sezoni i dytë publikohet më 3 prill 2018.

Vlerësime të tjera:

IMDb: 8.5/10
Rotten Tomatoes: 90% Fresh
Metacritic: 82/100

Alberta Kamenica
Gazetare