Mendoni pak për jetën tuaj në çdo aspekt të mundshëm. Mendoni për stërmundimin drejt suksesit në jetën personale, profesionale dhe shoqërore. Tani mendoni për jetën tuaj në ekran, shfaqur ashtu si ndodh në realitet, pa dramën që vjen zakonisht me skenaret.
Një ndër produksionet e rralla, në mendimin tim, që e shfaq jetën dhe marrëdhëniet ndërpersonale pa nuanca teprimi, është “Master of None”, ideuar nga Aziz Ansari dhe Alan Yang.
Dev është një aktor prag të 30-ave, i cili jeton në New York bashkë me tre miqtë e tij. Çdo gjë që ai bën ka lidhje me këta tre shokë, jetën e tij romantike apo profesionin e tij. Ngjarjet janë të mbushura me humor, sepse po flasim për një komedi, e përmbyllen me mesazhe kuptimplota që e detyrojnë shikuesin të ndryshojë pikëpamje për çështje të vogla, por domethënëse në jetën e përditshme.
Çdo episod është i orientuar rreth një subjekti, si përshembull fëmijët, prindërit apo njerëzit e moshuar. Dev e gjen veten në situata të çuditshme që e bëjnë të ekzaminojë gjithë mënyrën si mendon ai për çështjen në fjalë. Aktorët nuk janë tipikë yje Hollywood-i dhe as të fetishizuar. Janë njerëz normalë, nga ata që mund të takosh tek marketi i lagjes. Mënyra e konstruktimit të historisë dhe personazhet realistë e sjellin më pranë shikuesit epifaninë e ngadaltë të çdo episodi.
“Master of None” nuk e shfrytëzon dëshirën e shikuesit për suspansë në fund të episodit dhe as për skandal. Gjatë një episodi ku Dev takohet me gjyshen e të dashurës të gjithë presin që ajo të jetë raciste, perverse apo të vdesë papritur. Asnjë nga këto gjëra të pritshme nuk ndodh. Në vend të kësaj, historia mbyllet me një surprizë të këndshme, intelektuale dhe të ndjeshme.
Jo vetëm episodi më lart, por çdonjëri prej tyre ndjek një linjë të tillë. “Master of None” nuk kërkon më të keqen tek njerëzit, por eksploron keqkuptimet dhe paragjykimet në lidhjet njerëzore. Në vend të kësaj, që të them të drejtën është konsumuar tepër, seriali e edukon shikuesin me një mësim moral. Pak a shumë si “The Good Place”, por më me këmbë në tokë, më i arritshëm për publikun e thjeshtë.

Dy sezonet e plota të “Master of None” mund t’i gjeni në Netflix.
Vlerësime të tjera:
Rotten Tomatoes: 100%
IMDb: 8.4/10
Metacritic: 91/100