Fletore Kinemaje

Bazuar në një histori të vërtetë, ky serial shpalos prapaskenat e një krimi

16 Shkurt 2018

Bazuar në një histori të vërtetë, ky serial shpalos

Lester Nygaard është përfaqësues në një kompani siguracionesh dhe është njeriu më i mefshtë, më pa shtyllë kurrizore që ka parë ndonjëherë kjo tokë. Është aq i mefshtë, sa e ngacmon akoma i keqi i gjimnazit, në sy të djemve të tij, por sigurisht, Lester s’bëri asgjë për këtë.

Teksa po priste radhën në spital, të mjekonte hundën e thyer nga i ligu i lartpërmendur, Lester njihet me Lorne Malvo (Billy Bob Thornton), një kalimtar në qytetin e vogël të Bemidji. Këtu ndryshon gjithçka. Malvo, i egër, i errët dhe misterioz, i thotë Lesterit që do ta kishte vrarë atë maskarain që i theu hundën, nëse do të kishte qenë në vendin e tij. Le të themi që ferri çahet në dysh dhe njerëz vriten kudo, përfshirë gruan e Lester-it, e cila ka vdekjen më epike në historinë e kinematografisë (por s’ua tregoj dot, se i ikën lezeti).

Seriali quhet “Fargo” dhe s’është bazuar fare në histori të vërtetë. Fabula që përshkruajta më lart i përket sezonit të parë, pasi dy sezonet e tjera flasin për  periudha të ndryshme, ngjarje dhe qytete të ndryshme. “Fargo”  u ideua mrekullisht nga Noah Hawley dhe vëllezërit Coen. “Fargo” është një komedi e zezë, më e zezë se shpirti i Lorne Malvo. Si koncept u ndërtua mbi filmin e vitit 1996 me të njëjtin emër dhe ia ka dalë më së miri.

Në fillim të çdo serie, shikuesi përballet me shkrimin: “Kjo është një histori e vërtetë. Ngjarjet ndodhën në Minnesota në vitin 2006. Në nder të të mbijetuarëve, emrat janë ndryshuar. Për respekt të atyre që vdiqën, çdo gjë tjetër është treguar ashtu si ndodhi.” Qartësoj sërish që ndodhitë nuk janë të vërteta dhe mbishkrimi është marrë nga filmi i para 22 viteve. Autorët deshën të thyejnë kornizat e realitetit dhe ta bëjnë shikuesin të vërë në dyshim botën në të cilën jeton.

Pas gjithë vrasjeve që zymtojnë qytetin e vogël e të ngrirë, forcat policore medoemos angazhohen në gjetjen e vrasësit ose vrasësit. Loja kriminel-polici në këtë serial s’është fare si në të tjerët, një tjetër arsye për ta parë. Çdo lloj produksioni që sjell diçka të freskët, ia vlen.

Kasti i aktorëve është gjenial. Billy Bob Thornton duket sikur ka  lindur për të luajtur rolin e Malvo-s, edhe pse s’është përgatitur një ditë të vetme. Martin Freeman në rolin e  Lester, perfekt si një njeri i thjeshtë nga Minnesota, edhe pse është britanik i pastër. Kam vetëm fjalë të mira për çdo aktor në “Fargo”. E gjeni në Netflix.

Bazuar në një histori të vërtetë, ky serial shpalos

Vlerësime të tjera

Rotten Tomatoes: 97%
IMDb: 9/10
Metacritic: 85/100