Fletore Kinemaje

Si të bëhesh i pasur në kurriz të të tjerëve

28 Shkurt 2018

Si të bëhesh i pasur në kurriz të të tjerëve

E njihni Martin Shkrelin? Shqiptarin më të urryer në botë? Martin Shkreli vlen plot $70 milion, një vlerë qesharake ndërtuar mbi vuajtjen e të tjerëve. Shkreli bleu të drejtat e medikamentit Daraprim dhe ia rriti çmimin nga $13.50 në $750 për kokërr. Sado t’ju nevrikosë ky fakt, Shkreli s’është i vetmi që zbatoi këtë skemë kaq mizore biznesi dhe për ta mund të mësoni ekstensivisht në Dirty Money.

Dirty Money është një serial dokumentar me gjashtë seri, ku secila i hyn në thellësi një skandali publik, ose një mashtrimi madhor. Seria e parë flet për Volkswagen dhe automjetet e tyre diesel, të cilat u promovuan si ekologjike, por realisht emetonin dyzetë herë më shumë ndotës nga ç’kishin deklaruar.

Episodi i dytë eksploron skandalin e payday loans, borxheve të vogla, të cilat supozohet të shlyhen ditën e rrogës. Scott Tucker, pilot garash, hapi një bizes të tillë, por borxhet që jepte ishin të të konceptuara në mënyrë të tillë që të zhvasnin sa më shumë para nga huamarrësit të gjendur në ditë të hallit. Tucker u pasurua shumë dhe jetonte si perëndi, deri kur u kap. Vetë Tucker u prononcua në dokumentar, po ashtu dhe palët e prekura dhe prokurorët e angazhuar me çështjen. Historia tregohet pa mbajtur anë dhe detyra për të formësuar një opinion i lihet në dorë shikuesit.

Episodi më interesant, për mendimin tim, është ai që eksploron skemën e biznesit të Valeant, një kompanie farmaceutike. Valeant bëri atë që bëri Martin Shkreli, thjesht me një numër të konsiderueshëm medikamentesh. Kompania blinte kompani të tjera më të vogla farmaceutike, blinte të drejtat e tregëtimit të medikamenteve, u rriste çmimet pa asnjë shkak dhe fitonte shuma marramendëse. Procesi është i ligjshëm, por sigurisht, aspak etik. Valeant u mbështet nga manaxherë fondesh të rëndësishëm në Wall Street dhe ky fakt i dha një farë kredibiliteti në botën e investitorëve. Pak pasi e vërteta u nxorr në dritë, vlera e aksioneve të Valeant ra drastikisht, por u lirua nga të gjitha akuzat e ngritura nga prokurorët amerikanë.

Dokumentari gjithashtu analizon me detaje marrëdhënien e ngushtë mes karteleve meksikane dhe bankës botërore HSBC që i lejon të pastrojnë para droge, pa u interesuar një herë të vetme për origjinën e tyre. Analizohet vjedhja më spektakolare në historinë e Kanadasë, ajo e qindra fuçive me shurup panje. Ndërsa episodi i fundit i dedikohet Donald Trump dhe mënyrës si ai e brandoi veten si një biznesmen i suksesshëm. Videot e përfshira të presidentit të tanishëm të Sh.B.A. shfaqin një njeri tmerrues, sociopat dhe amoral, një kënd i dëgjuar, por i realizuar si asnjëherë më parë.

Si të bëhesh i pasur në kurriz të të tjerëve

Dirty Money është diçka që duhet parë nga kushdo, edhe nëse s’jeni simpatizantë të zhanrit. Është gazetaria investigative në ditën e saj më të mirë. E gjeni në Netflix.

Alberta Kamenica
Gazetare