Fletore Kinemaje

Shihni filmin e mrekullueshëm bazuar në jetën e pazakontë të Stephen Hawking

14 Mars 2018

Shihni filmin e mrekullueshëm bazuar në jetën e pazakontë

Përshtypjet janë të Peter Bradshaw, kritikut të filmave të The Guardian për The Theory of Everything (2014), filmit bazuar mbi jetën e Stephen Hawking me regji të James Marsh.

Urdhëroni një film të hijshëm, të ndjerë dhe aktruar fuqishëm për jetën enigmatike të Stephen Hawking, fizikantit teorik i cili i mijetoi një sëmundjeje të rëndë (ALS) që supozohej ta vriste në të njëzetat, u bë pioner i studimit të vrimave të zeza, autor i famshëm dhe përdoruesi më popullor i një karrigeje me rrota. Duke punuar mbi një libër kujtimesh shkruar nga Jane Hawking, ish gruaja e fizikantit, skenaristi Anthony McCarten dhe regjisori James Marsh arritën të shmangin goxha klishe për shkencëtarin gjenial, por edhe njerëzor, dhe në vend të kësaj portretizuan një martesë të trazuar e të vështirë.

The Theory of Everything përpiqet të arrijë diçka më reale, më të vërtetë, më intime në studimin e kompromiseve që bëhen në një martesë nën presione të veçanta.

Eddie Redmayne e luan rolin e Hawking me thjeshtësi, çiltërsi dhe inteligjencë të lirshme; hedh dritë mbi mrekullinë e mbijetesës së shkencëtarit pas të njëzetave dhe sugjeron se si kjo mbijetesë ishte falë devotshmërisë dhe dashurisë së të shoqes. Gjithashtu, tregon se si zbulimet brenda vetes së shkencëtarit e mbajtën gjallë, e shpërthyen në një yll të errët gjithë forcë, teksa korniza e tij e jashtme duhej të vuante fatin e errët emocional. Performanca e Redmayne nxjerr në pah se si pajisja e zërit e çliroi Hawking, por edhe fshehu ç’mendonte dhe ndjente realisht.

Hawking shfaqet si një matematicien i ri në Trinity Hall, Cambridge, herët në vitet ’60 teksa fillon të bëjë emër për veten dhe vuan nga simptomat e para. Pengime, filxhanë që rrëzohen, lapsa që lëshohen, të gjitha këto mund të shihen si shenja gjenialiteti. Një rënie serioze sjell dhe diagnozën e errët: Hawking vuan nga ALS dhe ka dy vite jetë. E dashura e tij, Jane, e cilat luhet me forcë dhe vendosmëri nga Felicity Jones, refuzon të heqë dorë nga marrëdhënia e tyre. Ata martohen dhe bëjnë fëmijë. Dy vitet kalojnë dhe ikin, reputacioni i Hawking sa vjen dhe rritet dhe bëhet e qartë se diçka e veçantë po ndodh.

Skenat dhe personazhet duken të njohur në fillim; çunakë të zgjuar me xhaketa sportive që vrenjtin sytë mbi ekuacionet e pazgjidhura, që pinë birra të hidhura në pub dhe flasin me vajza.

Filmi dallohet nga të tjerët në momentin që fillon dhe shfaq konvertimin e martesës së Jane dhe Stephen në një lidhje të hapur. E frustruar dhe e depresionuar, Jane formon një miqësi të ngushtë me një të ve, mjeshtrin e korit të kishës, Jonathan Hellyer Jones, i cili luhet nga Charlie Cox. Ai i bashkohet çiftit në festa familjare dhe e ndihmon Stephen si ta kishte fëmjë. Në ktë situatë Stephen tregohet i sjellshëm. Apo jo? Shumë shpejt, vetë Stephen formon një lidhje të ngjashme me infermieren e tij Elaine Mason, e cila luhet nga Maxine Peake. Marrëdhënia e tyre “miqësore” është më intime se dinamikat e shtratit martesor. Ajo nuk heziton të sillet si grua për Stephen. A ndikohen zgjidhjet e Stephen nga dhimbja emocionale që përjeton? Një tjetër mister dhe ky.

Për pak kohë, bëhet fjalë për një martesë katërshe: diçka aspak hollivudiane. Ndoshta gjërat ishin më të ashpra dhe më pak dinjitoze se ç’shfaqen në ekran. Aktorët i portretizojnë parimet dhe emocionet me delikatesë. Titulli i referohet kërkimit të Hawking për një teori gjithëpërfshirëse të universit fizik, por patosi i filmit tregon se në jetën e përditshme, jo çdo gjë ka kuptim. Duhen bërë kompromise; njerëzit duhet të ecin përmes ngatërresave. Është historia e butë, e ëmbël e dy të dashuruarve që gjetën miqësi tek njëri-tjetri gjatë dhe pas martese.

Shihni filmin e mrekullueshëm bazuar në jetën e pazakontë

Filmin e gjeni në Netflix.