
Jam rritur në një shtëpi, ku çdo e dielë na mblidhte rreth tavoliës e mami kishte përgatitur që nga supa e deri tek ëmbëlsira. Jam rritur në një familje me tradita përmetare e çame, ndaj nuk kam se si të mos e pëlqej kuzhinën tradicionale shqiptare. Është identiteti ynë, ndaj nuk do të kishte asnjë mundësi që unë të mos sillja për ju një pjatë të vertëtë shqiptare.
Me mamin nga Përmeti , kam shijuar disa nga gatimet tradicionale si pula me thërrime, likotë e ndryshme, kole, e shumë e shumë të tjera. Sot për ju , vendosa të sjell një pjatë të shijshmë (kalorikee!) me bazë mishin e qingjit. E vetmja këshillë që dua t’ju jap është që të zgjidhni mish të një cilësie të mirë , pasi shija e kësaj pjatë varet vetëm nga mishi. Një supë, që do t’ju shijojë pamasë.
Sillni pak aromë Përmeti në shtëpitë tuaja!
Përbërësit për 4-5 persona:
500 gr mish qingji (4-5 copa)
250 ml qumësht (1 gotë uji)
3 lugë gjelle miell
1 vezë
2 lugë gjelle gjalp
Majdanoz i freskët
Lëngun e ½ limoni
Kripë
Piper i zi
Përgatitja:
Në një tenxhere shtojmë copat e mishit dhe i skuqim për pak minuta, sa të marri ngjyrë dhe e mbulojmë më ujë(rreth 1.5 litra).I hedhim kripë dhe e vëmë të ziejë në zjarr mesatar. (Mos hidhni vaj ose gjalp në tenxhere sepse mishi i qingjit ka vetë yndyrë)
Kontrollojeni herë pas here dhe shtoni ujë nëse është e nevojshme.
Në një enë, shtoni miellin dhe qumështin dhe përziejeni që të mos ketë kokërriza. Hidheni në tenxhere .
Pritni imët me thikë një dorë majdanoz dhe shtojeni në tenxhere.
Vërëni të ziejë dhe për disa minuta , derisa të trashet lëngu i mishit.
Hiqeni nga zjarri dhe lërëni të ftohet për 5 minuta. Në një tas tjetër, rrihni me tel vezën me lëngun e limonit. Merrni pak nga lëngu në tenxhere dhe shtojeni tek veza , duke e përzierë shpejt në mënyrë që veza të mos pritet.
Hidheni vezën tek mishi, jepini një të përzierë dhe rregullojeni me kripë dhe piper të zi. Nëse doni shtoni pak majdanoz të prerë sërish.
Në një tigan shkrini gjalpin derisa të bëhet kaf dhe servireni shqeton të ngrohtë me copëza buke të thekur , gjalpin e shkrirë dhe majdanoz të freskët.
Ju bëftë mirë!
