Fletore Kinemaje

Si mundet një virgjëreshë të ngelë shtatzënë pa bërë kurrë seks?

26 Mars 2018

Si mundet një virgjëreshë të ngelë shtatzënë

Jane punon në një hotel, studion për t’u bërë mësuese dhe ka dy vite e lidhur me të dashurin e saj, Michael. Një ditë, shkon tek gjinekologia për një kontroll rutinë dhe javë më vonë zbulon që është shtatzënë. Oh, theksojmë se Jane është katolike dhe e virgjër. Para jush, Jane, virgjëresha shtatzënë, protagonistja e serialit Jane the Virgin.

Si ndodhi kjo?

Jane ngel gabimisht shtatzënë me spermën e shefit të saj. Shefi, Rafael Solano, një djalë i keq që menaxhon hotelin ku punon Jane, vuajti nga kanceri testikular vite më parë dhe ngriu një mostër. Gruaja e ligë e Rafael, Petra shkon tek mjekja për t’u farëzuar që të mbesë shtatzënë dhe t’i zhvasë sa më shumë para. Petra dhe Jane shkojnë tek e njëjta gjinekologe, që është njëherazi motra e Rafael. Mjekja është e hutuar sepse mbrëmë kapi të shoqen me një tjetër në shtrat dhe lë shtatzënë gabimisht Jane me mostrën e Rafael-it, në vend që të farëzonte Petrën. Ka kuptim?

Ngjan si telenovelë.

Është në fakt. E gjithë premisa e Jane the Virgin rrotullohet rreth ndodhive qesharake të telenovelave dhe qejfit që vjen me to. Nuk po flasim për një serial të zgjuar apo stimulues, por për një produksion komik, argëtues, mënyrë cilësore për të shtyrë kohën.

Jane the Virgin nuk shtiret si serial i zgjuar dhe pikërisht kjo e bën diçka që duhet parë patjetër. nuk analizon heronjtë, anët e errëta, problematikat sociale. Thjesht paraqet ngjarjet dhe kaq.

Personazhet janë të gjithë fantastikë, me përjashtim të Michael, të fejuarit të Jane, që është i mërzitshëm dhe i mërzitur.

Pra ta shohim ne këtë?

Nuk mund t’ua rekomandojmë më shumë. Do të bëni qejf dhe do të përfshiheni emocionalisht.