Dalina@Anabel

Debati për LGBT-në në gjimnaze, është debati më idiot në 2018-ën.

27 Mars 2018

Debati për LGBT-në në gjimnaze, është debati më

Ka disa kohë që sulmohet ashpër nga ish-politikanë e pedagogë takimi që përfaqësues të LGBT-së kanë zhvilluar me gjimnazistë të Tiranës në kuadër të një fushate për ndërgjegjësimin mbi bulizmin. Ata që e kundërshtojnë këtë takim, theksojnë se “promovimi i homoseksualitetit” është i tepërt dhe i pavend në gjimnazet e Shqipërisë.

Për mendimin tim ky është diskutimi më absurd, sepse padashje, këta burra e gra që kanë ngritur zërin kundër këtij promovimi, shpërfillimin informacionin e madh që ka në dorë nga celulari i tij gjimnazisti modern dhe e konsiderojnë atë ende si një fëmijë naiv komunizmi, i “lavazhuar” nga truri që të mendojë se në botë ekziston vetëm Partia dhe martesat e lumtura.

Këta njerëz kaq të revoltuar që vazhdojnë mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje ngjitëse, po ngrihen kundër për arsyen e gabuar. Nuk është problemi që rinia merr informacion mbi këtë temë, sepse ata tashmë kanë informacione për çdo lloj teme që këtyre kundërshtarëve as nuk ua pret mendja dhe rrezik u janë dashur 20 vjet (pas rënies së komunizmit) që t’i kuptonin. Problemi është tek kanalizimi i informacionit. Si mund të edukohet ky brez që të jetë përzgjedhës? Çfarë normash morale duhet të implementohen në familje e shkolla, që fëmija të bëj diferencën midis informacionit të saktë dhe atij të panevojshëm ose të dëmshëm?

Debati për LGBT-në në gjimnaze, është debati më

Nuk edukohen gjimnazistet të cilët kanë kaluar me lehtësinë e një klikimi në celular nga Bang-Bang të Digitalbit në Gang-Bang të Youporn-it, duke ja ndaluar informacionin.

Takimi që këta përfaqësues të komunitetit homoseksual zhvilluan me gjimnazistët, është thjesht një eksperiencë “nga afër” e asaj që të rinjtë ndeshin dhe lexojnë në virtualitet. Nuk është nevoja të themi “Ububu” erdhën gay-t nëpër klasa, kur ai që ndjen se është gay, tashmë ka nisur të chat-ojë anonim nëpër faqe të ndryshme online me meshkuj të tjerë dhe s’ka nevojë fare që të “ndërrojë drejtim” se e influencuan 3 të rinj homoseksualë që i erdhën në klasë për 2 orë.

Këta burra e gra të revoltuar, bëjnë mirë që të futen më shpesh në rrjete sociale, ku mjafton të klikosh “Po, jam mbi 18 vjeç” pa asnjë lloj karte identiteti dhe të hapet një botë gjigande me informacione pa asnjë lloj filtri.

Në rastin aktual, unë mendoj se është shumë mirë që njerëz të një kategorie, në këtë rast homoseksualët, shkojnë në shkolla dhe gjimnazistët dëgjojnë nga afër “me zë dhe figurë” histori të vërteta, të cilat nuk i ndihmojnë të “devijojnë”, por i ndihmojnë të kuptojnë që në vuajtjet e tyre nga bulizmi, nuk janë të vetëm dhe mund të gjejnë një dritë jeshile.

Madje unë mendoj që këto takime duhen bërë praktikë jo vetëm nga komuniteti gay, por gjimnazistët mund të takojnë edhe ish-të droguar, që të mësojnë se kokaina nuk është një afrodiziak i këndshëm fundjave, edhe të burgosur për tregti droge, që mos të mendojnë se të merresh me këtë biznes është aq hollivudian sa në këngët e Noizy-t, edhe me të rinj vrasës që të shohin se çfarë pasojash ka gjaknxehtësia, ashtu si edhe me të rinj të suksesshëm që ja kanë dalë, pavarësisht vështirësive ekonomike e në këtë mënyrë, ndihmojnë gjimnazistët të zbehin pesimizmin, që për mendimin tim është sëmundja më e madhe e këtij kombi.

Gjimnazistëve shqiptarë të 2018-ës, nuk mundesh kurrsesi t’u ndalosh informacionin, sepse që në mendim, e ke luftën e humbur. Por ku ka më mirë, që këta adoleshentë shqiptarë, në vend që të kërkojnë një dritë shprese për problemet e tyre online tek historia e John-it në Amerikë apo e Gretës në Gjermani, t’i dëgjojnë nga vetë goja e shqiptarëve të tjerë, që ndajnë të njëjtën histori rritjeje, edukimi e traditash me ta dhe ndoshta të njëjtin qytet.  

Le të heqim dorë nga këto diskutime anadollake dhe të pranojmë që në këtë Shqipëri 28000 m2, ne i kemi të gjitha fenomenet njësoj si në botë dhe duhet t’i njohim, t’i kuptojmë, t’i zbërthejmë e të reflektojmë mbi të mirat e të këqiat e çdo fenomeni e jo të mundohemi të bërtasim në mbrojtje të një imazhi surreal “Shqipërie” që vdiq në 1990 bashkë me veprat e Enver Hoxhës.

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.